Drejtësia mund t’i ketë “vjedhur” shtetit më shumë lekë se të “korruptuarit” e dënuar me paraburgim

Nga Mero Baze
Në mars të vitit 2022, me urdhër të SPAK-ut, u arrestuan në pikën kufitare të Morinit 32 punonjës policie për akuzën e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës. Operacioni u zhvillua mes Kosovës dhe Shqipërisë. Nga ana e Kosovës operacioni preku rreth 40 veta, përfshirë policë dhe doganierë.
Nga hetimet dilte se policët merrnin 5 deri në 10 euro për të “lehtësuar” kalimin e shpejtë në kufi, ose në ndonjë rast për uljen e vigjilencës ndaj ngarkesave, apo tolerimin e kalimeve gjatë kohës së pandemisë.
Prokuroria e Posaçme deklaroi se kishte dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të efektivëve të policisë gjatë një viti, ku ata merrnin si praktikë 5 euro për “nderet” që bënin.
Çfarë ndodhi më pas?
Policët u futën të gjithë në burg dhe për gati një vit u harruan aty, pa i marrë kush në pyetje. Disa prej tyre përjetuan drama të rënda familjare, pasi ishin njerëz pa mbështetje ekonomike dhe kryefamiljarë të vetëm. Arrestimi i tyre përfundoi pas më shumë se një viti, dhe për të ruajtur “nderin” e SPAK, shumë prej tyre u dënuan duke iu llogaritur vetëm koha e paraburgimit.
Koha dhe kostoja e qëndrimit të tyre në burg, nëse i llogarit, i ka kushtuar shtetit shqiptar dhjetëra herë më shumë sesa “dëmi” i tyre si policë abuzues me detyrën.
Ndërkohë që në Shqipëri ata u masakruan publikisht për të justifikuar paraburgimin, pala kosovare e policëve dhe doganierëve – numri i të cilëve ishte 40 – që bashkëpunonin me policët tanë në këtë “trafik”, nuk qëndruan në burg. Ata u liruan me detyrim paraqitjeje dhe procesi final përfundoi në shumicë me vërejtje për pushim nga puna dhe ndonjë rast tjetër largim nga detyra.
‘Krimi’ ishte i njëjtë, por sjellja e drejtësisë në dy shtete të ndryshme ishte krejt tjetër. Në Shqipëri paraburgimi ishte brutal dhe ata u lanë thuajse një vit brenda pa u pyetur asnjë ditë, ndërsa në Kosovë sjellja ishte më racionale dhe në përpjesëtim me “krimin” që kishin kryer.
Nëse qëllimi i drejtësisë është ndëshkimi i korrupsionit, ndëshkimi duhet domosdoshmërisht të jetë proporcional me veprën penale dhe nuk duhet të synojë vuajtjen fizike apo shkatërrimin e jetës së njerëzve që kanë gabuar në raport me ligjin.
Nga ana tjetër, kostot që paguan shoqëria për gabime të tilla të SPAK janë shumë herë më të mëdha se dëmi që kanë shkaktuar personat e akuzuar, dhe këto kosto janë kosto të drejtësisë, që mbesin gjithnjë pa u ndëshkuar.
Nëse, kur vjedh dikush, dënohet në mënyrë brutale në raport me dëmin e shkaktuar, kur dikush padit shtetin për shkak të padrejtësisë, fajtorët që janë në anën e drejtësisë jo vetëm që nuk preken, por shpesh promovohen për gabimet e tyre.
Në një analizë të saj, gazeta britanike “The Independent”, në një shkrim të një prej pedagogëve më të njohur shqiptarë në Britani të Madhe, Andi Hoxha, theksonte shqetësimin rreth politikave të paraburgimit në Shqipëri, ku ka rreth 166 të burgosur për 100 mijë banorë. Ajo që është më shqetësuese është se 61.3% e të burgosurve janë të paraburgosur, që ende nuk janë dënuar.
Pra, më shumë se gjysma e atyre që janë në burg ende nuk janë dënuar. Në pamje të parë të krijohet ideja se burgjet shqiptare janë mbushur me vrasës apo njerëz të kapur në krime flagrante, ndërkohë që në fakt 90% e atyre që mbahen në paraburgim janë njerëz që presin të dënohen për vepra penale që shpesh dënohen me një deri në dy vite burg – shumë më pak se sa koha që kanë qëndruar tashmë në burg.
Pjesa tjetër endet gjithë jetën duke kërkuar t’u vihet në vend padrejtësia e bërë nga drejtësia, por nuk gjejnë më zgjidhje. Ata janë pjesë e statistikave të “drejtësisë” që ka mbushur burgjet.
Ilir Meta mund të mos merrej seriozisht pa hyrë në burg për shkak të lajthitjeve të tij, por ajo që thotë – se në burg ka takuar njerëz shumë më dinjitozë se ata që janë jashtë – ka një të vërtetë. Dhe kjo lidhet pikërisht me njerëzit e thjeshtë të paraburgosur pa pikë mëshire, në raport me veprën e tyre ende të paformuluar penalisht.
Burgosja paraprake vlen për ata që vrasin apo kapen në flagrancë si njerëz me rrezikshmëri shoqërore, dhe jo për një polic që kapet se merr pesë euro në një pikë doganore. Ai padyshim duhet ndëshkuar, por ndëshkimi duhet të jetë proporcional dhe i drejtë, për të mos zëvendësuar një korrupsion endemik me një krim të ri ndaj qytetarit.
Nëse në Shqipëri ka ndjeshmëri kur arrestohen politikanë paraprakisht, nëse shoqërisë i bën përshtypje urrejtja patologjike e disa prokurorëve ndaj Veliajt, apo arrestimi paraprak i Ilir Metës ende pa iu ngritur akuza penale – për qindra shqiptarë të pafajshëm, të pafuqishëm dhe të pazë, që enden burgjeve – drejtësia është përgjegjëse për paraburgimin e tyre për vepra thuajse banale, të cilat mund të ndiqen në gjendje të lirë pa shkaktuar shkatërrime jetësh.
Edhe pse flitet vazhdimisht për këtë çështje, duket se drejtësia jo vetëm që nuk reflekton, por e ka burgosjen paraprake mjetin e vetëm për t’u dukur “e suksesshme” – nga njëra anë për statistikat dhe nga ana tjetër për ta përdorur si presion për të gjetur prova rrugës dhe për të justifikuar skandalet e veta.
Ndaj kjo gjë duhet të marrë fund nga ligjvënësit dhe jo të lihet në dorën e drejtësisë. Kjo histori duhet të përfundojë në Parlament, për t’u sanksionuar qartë se kush arrestohet në flagrancë, kush mund të mbahet në burg ende pa iu ngritur akuza apo pa u dënuar, dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi nëse ndodh e kundërta.
Kam frikë se nëse i hyjmë ndonjë studimi të thelluar dhe të kërkojmë dëmshpërblim për të gjithë ata që paraburgosen kot, rrezikon që drejtësia t’i ketë “vjedhur” më shumë lekë shtetit se “hajdutët” e akuzuar për korrupsion.
Por për fatin e keq të tyre – dhe fatin e mirë të shtetit – jo të gjithë e dinë që duhet të padisin prokurorët dhe gjyqtarët që i arrestojnë për qejf, këdo që u teket.
#Drejtësia #mund #ketë #vjedhur #shtetit #më #shumë #lekë #të #korruptuarit #dënuar #paraburgim
Java News