Reuters: ShBA po harton një plan për lehtësim të mundshëm të sanksioneve ndaj Rusisë

Agjencia e njohur e lajmeve, “Reuters”, raporton se Shtetet e Bashkuara janë duke hartuar një plan që potencialisht t’i dhurohet një lehtësim i sanksioneve Rusisë, përderisa presidenti amerikan, Donald Trump, po synon që t’i rivendosë lidhjet me Moskën dhe ta ndalë luftën në Ukrainë.
Kështu i kanë thënë agjencisë “Reuters” një zyrtar amerikan dhe një person tjetër me njohuri rreth çështjes, thuhet në artikull.
Shtëpia e Bardhë ka kërkuar nga Departamenti i Shtetit dhe nga Departamenti i Thesarit që të hartojnë një listë të sanksioneve që do të mund të lehtësoheshin në mënyrë që zyrtarët amerikanë t’i diskutojnë me përfaqësuesit rusë në ditët e ardhshme si pjesë e bisedimeve të gjera të administratës amerikane me Moskën rreth përmirësimit të marrëdhënieve diplomatike e ekonomike, thanë burimet.
Zyrat e sanksioneve tani janë duke hartuar një propozim për heqjen e sanksioneve ndaj entiteteve e individëve të përzgjedhur, përfshirë disa oligarkë rusë, sipas burimeve.
Të ashtuquajturat letra të opsioneve hartohen shpesh nga zyrtarë që punojnë rreth sanksioneve, por kërkesa specifike e Shtëpisë së Bardhë për një të tillë ditëve të fundit e nënvizon gatishmërinë e Trumpit dhe të këshilltarëve të tij për t’i lehtësuar sanksionet ndaj Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme me Moskën.
Nuk ishte menjëherë e qartë se çfarë saktësisht mund të kërkojë Uashingtoni në këmbim të ndonjë lehtësismi sanksionesh.
Rusia është njëra nga prodhueset më të mëdha të naftës në botë dhe nëse sanksionet amerikane ndaj sistemit të saj energjetik lehtësohen, një masë e tillë do të mund të ndihmonte në parandalimin e rritjes së çmimit të karburanteve, nëse Trumpi ndërmerr masa shtypëse ndaj eksporteve të naftës nga Irani, që është anëtar i organizatës OPEC.
Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit, Departamenti i Thesarit dhe ambasada ruse në Uashington nuk iu përgjigjen menjëherë kërkesave për koment.
Kremlini vitin e kaluar i përshkroi marrëdhëniet ShBA – Rusi si “nën zero” gjatë pushtetit të administratës së ish-presidentit Joe Biden, demokrat që e mbështeti Ukrainën me armë dhe i vendosi Rusisë sanksione të ashpra për ta ndëshkuar për fillimin e pushtimit të Ukrainës më 2022.
Në janar, Trumpi kishte kërcënuar me shtimin e sanksioneve ndaj Rusisë, nëse Putini nuk do të ishte i gatshëm për ta negociuar përfundimin e luftës në Ukrainë. Megjithatë, më vonë, zyrtarë të administratës së tij haptazi e kanë pranuar mundësinë për lehtësimin e sanksioneve ndaj Moskës.
#Reuters #ShBA #harton #një #plan #për #lehtësim #të #mundshëm #të #sanksioneve #ndaj #Rusisë
gazetablic.com