Celularët i ka Olsi, bashkë me lodrat e fëmijëve dhe ish-makinën e vjehrrit –

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj në një tjetër reagim nga qelia në rrjetin social “Facebook” shprehet se do të mundohet të çmontojë kurthin për të cilin është në burg.
Veliaj në reagimin e tij është ndalur tek rreziku i prishjes së provave ku thekson se cilat prova rrezikon të prishë ai, kur celularët e tij janë në dorë të prokurorit Olsi Dado.
Kryebashkiaku shprehet se janë marrë edhe lodrat e fëmijëve dhe ish-makina e vjehrrit.
“Olsi Dado dhe Erion Bani, ju mendoni se jeni më të lirë se unë në burg, por ju burgun e keni në shpirt e njerëz të lirë nuk keni qenë kurrë!”, shkruan ndër të tjera Veliaj.
Reagimi i plotë i Veliajt:
Se mos prishen lodrat!
Më ka marrë malli pa fund për ju të gjithë: Familjen, Tiranën e secilin që bën punë të mira në këtë vend.
Por, gjer sa të shihemi sërish, më duhet të vazhdoj çmontimin e kurthit pse jam në burg: rrezik ikje, prishje provash, rrezik shoqëror.
Dje rrëzova “frikën e ikjes” prej Ols Dados e Erion Banit, pasi kisha ikur 3 herë e isha kthyer 3 herë, teksa gatuhej çarku ndaj meje.
Arsyeja e dytë pse gjykatësi Bani pranoi nga Olsi burg për mua, është rreziku i prishjes së provave. Po cilat prova do prish unë? Celularët i ka Olsi, timin dhe të nja 10 grarive në Tiranë, me të cilët mund të vojerizojë gjithë ditën e gjithë natën, të shohë çdo foto familjare, bebet, kërthizën, dhëmbin e parë, videot e fjalëve të para, fotot me gjyshin e ndjerë në plazh; të gjitha provat e nevojshme për ku e si jetojmë.
Cilat prova do të prish unë?
Kanë edhe lodrat e fëmijëve dhe ish makinën e vjehrrit. Ç’a halli kanë? Mos do vete do formoj legot, e nga traktor do bëj vapor lodër, apo do marr makinën e Ben Xoxës e do e djeg në Fushë-Krujë a Mumajes si mjet i krimit?
Çfarë provash do prish?
Do vete në Yrshek të nxjerr fakirin nga shtëpia një katëshe apo do fshij statuset për balerinët e Preljocajt?
Boll u bëtë qesharakë! Po i thoni miletit se po punove do ta hash, po pate kurajo do dënohesh, po solle progres do të bëjnë gjëmën, po fitove do të të shqyejmë.
Olsi Dado dhe Erion Bani, ju mendoni se jeni më të lirë se unë në burg, por ju burgun e keni në shpirt e njerëz të lirë nuk keni qenë kurrë!
Përqafime të gjithëve!
#Celularët #Olsi #bashkë #lodrat #fëmijëve #dhe #ishmakinën #vjehrrit
Java News