Për të kuptuar Trumpin, ndiqni paranë! –

Nga Alessio Marchionna
Javës që shkoi, Donald Trump postoi ndoshta gjënë më surreale që kur ka hyrë në politikë. Videoja e realizuar përmes Inteligjencës Artificiale, tregon se çfarë mund të bëhet Rripi i Gazës nën planet e administratës së tij. Imazhet absurde kanë një fill i përbashkët: paranë!
Dhe jo aq shumë paratë që duhet të mbërrinin në Gaza, por mbi të gjitha paratë që mund të fitojë Trump duke e shndërruar Rripin në “rivierën” e Lindjes së Mesme. Por videoja ka më shumë elementë realë se sa duket në pamje të parë.
Në momente të caktuara, shohim hyrjen e një rrokaqielli që mban emrin “Trump Gaza”, shumë i ngjashëm me hotelet e kazinove, përmes të cilave presidenti ka ndërtuar një pjesë të madhe të pasurisë së tij.
Në një moment tjetër shfaqet statuja të tij (natyrisht e artë) që ka dalë në shitje në raftet e një dyqani, gjë që sjell ndërmend qindra gjëra që Trump shet në faqen e tij të internetit, përfshirë kapelet me logon e tij, varëse, vathë, kravata, pantofla, përparëse, pizhama, çorape Krishtlindjesh, mbajtëse çelësash etj.
Por sa herë që përpiqeni të analizoni mënyrën e qeverisjes së Trump, s’duhet të harroni se mundësia e përfitimit personal, luan gjithmonë një rol kyç. Fitorja në zgjedhjet e fundit ishte një dhuratë nga Zoti për të dhe familjen e tij, sidomos në një kohë kur biznesi nuk po shkonte dhe aq mirë.
Ty Cobb, një avokat që ka punuar për Trump gjatë mandatit të tij të parë dhe më pas u distancua prej tij, është shprehur për Wall Street Journal, se presidenti është bërë shumë më i pacipë në përfitimin nga presidenca, duke shpërfillur rreziqet e konfliktit të interesit.
Po ashtu, ai po përfiton në maksimum nga klima politike, e cila po i detyron bizneset dhe mediat që t’i përkulen vullnetit të tij. Familja Trump ka marrë deri më sot të paktën 80 milionë dollarë në forma të ndryshme nga një sërë kompanish, shumica e të cilave janë paguar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ligjore.
Meta, kompania që kontrollon Facebook, Instagram dhe WhatsApp, ka rënë dakord të paguajë 25 milionë dollarë (avokatët e Trump e akuzuan rrjetin social të Mark Zuckerberg për shkelje të rregullave të lirisë së shprehjes pas pezullimit të llogarisë së presidentit pas trazirave të vitit 2021 në Kapitol).
Në dhjetor të vitit të kaluar, ABC News, kanali i lajmeve në pronësi të Disney, njoftoi se do të paguante 15 milionë dollarë për t’i dhënë fund listës së gjatë të padive të Trump kundër gazetarit të njohur të këtij televizioni George Stephanopoulos.
Një stacion tjetër televiziv, CBS, njoftoi se ishte në bisedime me presidentin, i cili e sulmoi atë me akuzën absurde se kishte manipuluar një intervistë me kundërshtaren e tij Kamala Harris. Sipas gazetave amerikane, Paramount Global, kompania që kontrollon CBS, mund të detyrohet të paguajë deri 10 milionë dollarë.
Edhe Google mund të bëjë një zgjidhje të ngjashme në një proces gjyqësor që filloi pasi llogaria e Trump në YouTube u fshi në vitin 2021. Pjesa më e madhe e këtyre parave, u paguan si donacione për fondin e bibliotekës së presidentit, i drejtuar nga një organizatë jofitimprurëse, misioni i së cilës është të “ruajë dhe menaxhojë” trashëgiminë e Donald Trump.
Më pas janë dhjetëra miliona dollarë, të cilat po përfundojnë ose do të përfundojnë në mënyra të ndryshme në xhepat e të afërmve të presidentit. Amazon, një kompani që krenohet se është e kursyer në investime dhe që di të negociojë, ka rënë dakord të paguajë 40 milionë dollarë për të realizuar një dokumentar për jetën e Melania Trump.
Është shuma më e lartë e shpenzuar ndonjëherë nga kompania e Jeff Bezos për një dokumentar dhe gati 3-fishi i ofertës që u rendit e dyta. Netflix dhe Apple refuzuan të bënin një ofertë, teksa Disney ofroi 14 milionë dollarë.
Ndërkohë, Bezos ka bërë disa lëvizje për t’u afruar më tej me presidentin. Disa ditë më parë njoftoi se faqja e opinionve në Washington Post (që zotërohet prej tij) do të fokusohet tek “liritë personale” dhe “tregjet e lira”. Zonja e Parë e SHBA-së pritet të marrë 70 për qind të totalit.
Po ashtu, ajo po përpiqet të maksimizojë potencialin e saj të fitimit në mënyra të tjera, përfshirë përpjekjen për të shitur “sponsorizime” për filmin, duke filluar nga 10 milionë dollarë, miliarderëve që ishin të ftuar në inaugurimin e bashkëshortit të saj.
Përpara zgjedhjeve, Melania thuhet se i kërkoi CNN 250.000 dollarë për të dhënë një intervistë. Nga djemtë, Donald Jr. ka qenë deri më tani më aktivi në lidhjen e marrëveshjeve të biznesit, që mund të përfitojnë nga afërsia e tij me pushtetin.
Duke e portretizuar veten si një kampion të luftës kundër korrektësisë politike, ai po ndjek një sërë sipërmarrjesh për të përfituar nga ndryshimi i nxitur nga administrata e babait të tij. Disa ditë pas fitores së babait të tij, njoftoi se do të bëhet partner në 1789 Capital, një kompani investon në fushë biznese konservatore.
Ndër investimet përfshijnë kompania e komunikimit e Tucker Carlson, ish-prezantues i Fox News. Donald Jr. i është bashkuar edhe disa kompanive që mund të përfitojnë nga politikat federale, nga shpenzimet e Pentagonit, rregulloret e lojërave të fatit në internet dhe tarifat mbi importet kineze.
Njoftimet për përfshirjen e tij, çuan në rritje aksionet e këtyre kompanive. I tillë është rasti i Unusual Machines, që prodhon dronë, aksionet e të cilëve u rritën 249 për qind pasi djali i presidentit u emërua këshilltar.
Pastaj është çështja e kriptomonedhave, për të cilat Trump ndryshoi mendje gjatë fushatës zgjedhore (dikur i quajti “një katastrofë që e pritet të ndodhë”), sepse e kuptoi se me to mund të fitojë shumë para. Tre ditë para se të hynte në Shtëpinë e Bardhë, miratoi lëshimin e “monedhës së tij meme”, $TRUMP.
Në pak orë ajo arriti vlerën 10 miliardë dollarë, përpara se të binte në rreth 3.3 miliardë. Një monedhë e ngjashme, e emetuar më 19 janar nga Melania Trump, ka një vlerë prej rreth 210 milionë dollarë. Gati në të njëjtën kohë, Trump dhe djemtë e tij Eric dhe Donald Jr. ndihmuan në hapjen e World Liberty Financial, një kompani kriptomonedhash, që mblodhi më shumë se 300 milionë dollarë, duke shitur tokenin e saj dixhital, $WLFI.
Dhe menjëherë pas marrjes së detyrës si president, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për ta stimuluar këtë industri, teksa ka paralajmëruar vazhdimisht synimin e tij për të pakësuar rregulloret, duke krijuar terrenin e duhur për kolapsin e të gjithë sistemit financiar.
Ashtu si kompanitë e Silicon Valley, edhe kompanitë e kriptomonedhave kanë financuar fushatën e Trump për të pasur më vonë ndihmë dhe shpërblime. Rasti më i habitshëm është ai i Coinbase, një platformë shkëmbimi kriptomonedhash që në vitin 2023 u hetua nga Komisioni i Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimeve (SEC, rregullatori financiar) për shkeljen e rregullave që kërkojnë regjistrimin e kompanive ndërmjetësuese.
Gjatë fushatës zgjedhore, drejtuesit e Coinbase dhuruan 75 milionë dollarë për një komitet për mbledhjen e fondeve, që mbështeti disa kandidatë republikanë në garën e tyre për në Kongres. Dhe pas fitores së Trump, dhuruan 1 milion dollarë për ceremoninë e inaugurimit të tij.
Pak ditë më parë, SEC hoqi dorë nga padia kundër platformës, e cila kohët e fundit punësoi Chris LaCivita, menaxher i fushatës së Trump, për marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin. Në janar, gazeta Neë York Times publikoi një udhëzues të ilustruar për të gjitha konfliktet e mundshme të interesit të Trump.
Ndërsa britanikja The Guardian, u fokusua tek anëtarët e tjerë të familjes. Më pas do të çelej një kapitull mbi konfliktet e mundshme të interesit midis ministrave të administratës Trump, shumë prej të cilëve janë miliarderë.
Dhe një tjetër për Elon Musk, i cili në krye të Departamentit të Efiçencës së Qeverisë (DOGE) po përpiqet të marrë kontrollin e një qeverie, e cila i ka dhënë ndër vite kontrata në shumën 38 miliardë dollarë. Ai po i justifikon pushimet nga puna të mijëra njerëzve, me nevojën për të luftuar korrupsionin në administratën publike. Është e lehtë të imagjinohet se do të fitojë edhe më shumë para vitet e ardhshme.
Disa ditë më parë, Administrata Federale e Aviacionit, ra dakord që ta përdorë sistemin e tij të internetit Starlink për të përditësuar rrjetet kompjuterike që menaxhojnë hapësirën ajrore të SHBA-së.
#Për #të #kuptuar #Trumpin #ndiqni #paranë
Java News