Tragjedia e një jete! Gruaja me spektrin e autizmit lihet 46 vite në spitalin psikiatrik –

Një grua me spektrin e autizmit ka qëndruar gabimisht në një spital psikiatrik për 46 vite, që nga mosha 7-vjeçare, raporton BBC.
Gruaja, e cila besohet se është nga Sierra Leone dhe i është dhënë emri Kassiba nga autoriteti lokal për të mbrojtur identitetin e saj, ishte lënë në izolim për 25 vjet.
Departamenti i Shëndetit dhe Kujdesit Social tha për BBC se është e papranueshme që shumë njerëz me aftësi ndryshe qëndrojnë ende në spitale psikiatrike dhe shpreson se reformat në Aktin e Shëndetit Mendor do të shërbejnë për parandalimin.
Dr. Patsie Staite mësoi për izolimin e Kassiba në vitin 2013 kur po kryente një kontroll rutinë dhe ishte ende fillestare në profesionin e saj si psikologe klinike. Por asaj iu deshën 9 vite për ta liruar.
“S’kisha parë askënd që të jetonte në situatën e saj. Mendoj se ishte tronditëse që ishte legjitime”. Ajo tha se kjo panoramë maskonte realitetin se Kassiba “qëndronte e mbyllur për më shumë se 23 orë në ditë”.
Kur kthehet te spitali, emri i të cilit nuk përmendet për të mbrojtur identitetin e Kassiba, Staite tregon një vrimë në gardh. Ishte prerë që Kassiba mund të shihte njerëzit që kalonin nga hapësira e jashtme e aneksit të mbyllur ku mbahej.
Mendohet se Kassiba e cila sot është rreth të 50-ave, u trafikua nga Sierra Leone para moshës 5-vjeçare. Ajo qëndroi në një jetimore për disa kohë, por ndërtesa u prish dhe në moshën 7-vjeçare u vendos në këtë spital.
Staite thotë se stafi e përshkruante si “të rrezikshme” dhe “nxjerrëse sysh”.
Ajo mësoi për një incident që kishte ushqyer akuzat e dhunës së Kassiba. Disa dekada më parë, kur ishte 19 vjeçe dhe përpara se të kalonte në izolim, kishte rënë alarmi i zjarrit dhe pavijoni po evakuohej. Kassiba ishte e shqetësuar dhe i ishte afruar një paciente tjetër. Ajo e çorri duke i shkaktuar një çarje në sy.
“Nuk dukej e vërtetë”, shprehet Staite duke shtuar se një grua në moshë të mesme me spektrin e autizmit që kishte jetuar prej dekadash në spital s’mund të ishte kaq e rrezikshme.
Pas muajsh të tërë pune, Staite paraqiti një raport prej 50 faqesh në Camden Council, autoriteti lokal që e kishte futur Kassiba aty. Tashmë ishte pranuar që Kassiba nuk kishte sëmundje të shëndetit mendor dhe raporti shkruante që s’ishte e rrezikshme dhe mund të jetonte në komunitet.
Një ekip profesionistësh u mblodh në vitin 2016 dhe e quajtën veten “komiteti i arratisë”. Misioni i tyre ishte të lironin Kassiba.
Lucy Dunstan, u caktua si avokatja e saj dhe ndërtoi çështjen përse duhej të dilte nga spitali. Por kjo mund të miratohej vetëm nga Gjykata e Mbrojtjes që vendos për personat të cilën s’kanë aftësinë mendore për të marrë vendime.
6 vite pas takimit të parë me Kassiba, ajo mori një telefonatë ku i thuhej se Gjykata e Mbrojtjes kishte vendosur në favor. “Qava. Lumturi. Çlirim. Admirim për të. Krenari”, u shpreh Dunstan. “Nuk është për mua dhe çfarë bëmë, por sepse ajo ia doli dhe ua provoi”.
Tani Kassiba jeton në komunitet me ndihmën e punonjësve socialë që komunikojnë me të përmes gjesteve të buta dhe gjuhës së thjeshtë. Kujdestarja e saj tha se i pëlqen moda, shtëpia dhe ndërveprimi me njerëzit.
“Ajo ka sens të mrekullueshëm humori. Është një njeri kaq i bukur. Pas dy javësh që unë punoja këtu, m’u afrua dhe më përqafoi. Një nxjerrëse sysh nuk bën kështu”.
Projekligji i Shëndetit Mendor parashikon që personat me spektrin e autizmit që nuk kanë një sëmundje të shëndetit mendor, nuk do të vendosen në spitale psikiatrikë për trajtim.
Qeveraia është shprehur se nuk do të sjellë ndryshime derisa të bindet se ka mjaftueshëm mbështetje alternative në komunitet. Gjithsesi, këta persona do të mbahen ligjërisht në spital për 28 ditë për shqyrtim.
Jess McGregor, drejtor ekzekutiv në Camden Council tha se ishte një “tragjedi” që Kassiba kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës në spital. “Më vjen shumë keq. Ajo s’duhet ta kishte përjetuar atë që kaloi”.
Njësia spitalore tha se kujdesi që i kishte ofruar Kassiba nuk ishte vënë në dyshim në asnjë moment dhe shërbimi ishte cilësuar i shkëlqyer nga Komisioni i Cilësisë së Kujdesit.
#Tragjedia #një #jete #Gruaja #spektrin #autizmit #lihet #vite #në #spitalin #psikiatrik
Java News