Jo vetëm turizëm, por edhe inovacion! – JavaNews.al

Startoi në Messe, Berlin, edicioni i 59 i “ITB Berlin”, panairi më i madh i turizmit në botë, ku këtë vit vendi mikpritës është Shqipëria, me hashtagun e saj të mirënjohur “Albania – All senses”. Çdo vit, një vend i rëndësishëm i lihet inovacionit dhe ndërthurjes së tij me turizmin, ndaj nuk është rastësi që për herë të parë vendi ynë merr pjesë në panair me një ekip start up-esh dhe sipërmarrjesh inovative.
Stenda e start up-eve dhe sipërmarrjeve shqiptare të inovacionit në ITB Berlin u vizitua edhe nga kryeministri i Shqipërisë, zoti Edi Rama, i cili ka treguar, sidomos vitet e fundit, një mbështetje të madhe për digjitalizimin, teknologjinë dhe inovacionin në vend, duke përmirësuar bazën ligjore, qasjen fiskale e të taksave, por edhe duke dhënë grante drejtpërdrejtë për idetë dhe bizneset inovative, sidomos ato të lidhura me teknologjinë.
“Delegacioni” ynë i inovacionit në ITB Berlin 2025 përbëhet nga shtatë start up-e sipërmarrje inovative si “Albanian Night” e Immersive MA dhe GADK, koncepte moderne të promovimit të kulturës, traditës e turizmit shqiptar. Po ashtu “Space 05” kushtuar promovimit të industrisë kreative Made in Albania apo C4Communities, laboratori ku talente vendase takohen me gjenialitetin e nomadëve digjitalë. Pjesë e delegacionit janë edhe start up-e si “Patoko”, theboatapp (e para marine data cloud në vendin tonë) apo Rent from locals, të gjithë pionierë të teknologjisë e inovacionit në vend.
Përfaqësimi i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare me start up-e dhe sipërmarrje inovative është shumë domethënës në këto kohë kur flitet intensivisht për të ardhmen e inovacionit në gjithë botën. Ballkani Perëndimor duhet të nxitojë që t’i bashkohet Evropës me një ekosistem inovacioni më të fuqizuar, ku Shqipëria ka avancuar me hapa galopantë vitet e fundit. Vendi ynë ka tashmë një ekosistem të mirëfilltë inovacioni e start up-esh dhe është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse, jo vetëm turistike, por edhe për nomadët digjitalë dhe investitorët e huaj.
Për krijimin dhe fuqizimin e këtij ekosistemi, iniciativat e reja po gjejnë mbështetje tek EU4Innovation, zbatuar nga GIZ në Shqipëri, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, apo grantet e Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe Agjencisë Startup Albania.
#vetëm #turizëm #por #edhe #inovacion #JavaNews.al
Java News