Fitoi zgjedhjet në Gjermani, Merz kërkon “pavarësi” nga SHBA. A është gati pjesa tjetër e Europës? –

Partia konservatore gjermane CDU/CSU fitoi zgjedhjet me 28.6% të votave. Lideri i saj, Friedrich Merz do të përpiqet të krijojë një koalicion në tetë javët e ardhshme për të krijuar qeverinë.
Rezultat suprizues në zgjedhje mori edhe partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), të cilët dolën të dytët me 20.8% të votave, por Merz ka përjashtuar një koalicion me ta.
Social Demokratët e Olaf Scholz morën rezultatin më të keq në histori, me 16.4% të votave. Menjëherë pas publikimit të rezultateve, Merz foli për një ndryshim të madh në Europë.
Ai u shpreh se SHBA-ja është bërë shumë “indiferente për fatin e Europës” dhe se është “prioritet absolut” i tij për të forcuar kontinentin për të arritur “pavarësinë e vërtetë nga SHBA-ja”. Po ashtu, Merz vuri në pikëpyetje të ardhmen e NATO-s në formën aktuale dhe kërkoi që Europa të rrisë mbrojtjen e vet.
Kjo sipas BBC-së përbën një lëvizje sizmike për Europën. Ne do t’ju shpjegojmë në këtë artikull se çfarë mund të sjellin zgjedhjet në Gjermani për Europën.
Ky ton nga aleati i ngushtë i Shteteve të Bashkuara, pra nga Gjermania dhe nga goja e Friedrich Merz, i cili njihet si një mbështetës pasionant i transantlantizmit, deri pak muaj më parë ishte e paimagjinueshme.
“Është një zhvendosje sizmike”, shkruan BBC. Për shumë mund të duket si hiperbolizim, por ajo që po përjetojmë tani sa i përket marrëdhënieve transatlantike është e paprecedentë në 80 vite që kur përfundoi Lufta e Dytë Botërore.
Fuqitë e mëdha europiane janë shokuar nga administrata e Donald Trump, i cili ka sugjeruar se mund të heqë dorë nga garancitë e sigurisë për Europën, të cilat janë në fuqi që prej vitit 1945.
“Nuk e mendoja kurrë se do duhej të thoja diçka të tillë në një emision televiziv, pas komenteve të Donald Trump javën e kaluar… është e qartë se kësaj qeverie nuk i intereson shumë fati i Europës. Prioriteti im absolut është të forcoj Europën sa më shpejt të jetë e mundur në mënyrë që hap pas hapi, ne mund të arrijmë vërtetë pavarësinë nga SHBA-ja”, shtoi ai.

Merz nënkuptoi se përpjekjet janë shumë urgjente saqë as vetë ai nuk është i sigurt se udhëheqësit e aleancës transatlantike do të mblidhen në Qershor “do të flasin ende për NATO-n në formën aktuale apo nëse do u duhet të krijojnë një aftësi të pavarur për mbrojtjen europiane shumë më shpejt”.
Kancelari i ardhshëm i Gjermanisë, e vendosi Amerikën e Donald Trump në një nivel me Rusinë, duke i shikuar si një kërcënim për sigurinë e Europës dhe më gjerë.
“Jemi nën një presion të madh nga të dy krahët dhe është prioriteti im absolut që të krijoj unitet në Europë”, tha Merz.
Friedrich Merz po ashtu pranon se Gjermania me të drejtë duhet të jetë pjesë e takimit që Trump do të zhvillojë me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Berlini është një nga tre fuqitë e mëdha europiane krah Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

E teksa SHBA-ja dhe Rusia kanë nisur të bisedojnë bashkë, pa Ukrainën, duket sikur ka një kthesë globale në politikën e fuqive të mëdha.
Por Gjermania ka humbur veprimin për një farë kohe në skenën europiane dhe botërore. Qeveria në largim e Scholz u dobësua për shkak të problemeve të brendshme. Kjo zemëroi votuesit gjermanë që donin fokusin në ekonomi dhe emigracion ndërsa aleatët europianë kërkonin veprim mbi Rusinë, sigurinë dhe mbrojtjen.
Merz thotë se prioritet kryesor për Gjermaninë është të riangazhohet ndërkombëtarisht. Vendi i tij është ndërkohë donatori i dytë më i madh për ndihmën ushtarake në Ukrainë pas SHBA-së.
Merz do ta vazhdojë këtë mbështetje, ndryshe nga Franca dhe Britania, që së fundmi kanë qenë me idenë për të dërguar ushtarë në Ukrainë për të mbështetur një armëpushim eventual atje.
Megjithatë siç shkruan BBC, të dhënat tregojnë se Gjermania “i ka zvarritur këmbët” sa herë ka qenë puna për mbështetjen për Ukrainën. E megjithatë ka përfunduar duke dërguar më shumë ndihma se çdo vend tjetër europian. Pra, një “JO” tani, nuk do të thotë një “JO” e përhershme për angazhimin e trupave në çfarëdo forme që mund të marrë një “forcë sigurie” europiane në Ukrainë.
Është shumë e pazakontë që politika e jashtme të jetë shqetësimi i votuesve në zgjedhje. Por në Gjermani këtë javë, krah ekonomisë dhe emigracionit, votuesit u shprehën të shqetësuar edhe për paqen në Europë dhe se ndihen shumë të pasigurt.

Në Nëntor, Ministria e Brendshme gjermane tha se po bën një listë të bunkerëve që mund të sigurojnë strehim emergjent për civilët. Ukraina mund të jetë larg, por gjermanët ndjejnë rrezik të madh nga Rusia për dy arsye.
Së pari për sasinë e pajisjeve ushtarake që ky vend ka dërguar në Ukrainë. E djathta ekstreme, AfD, me sloganin “Gjermania e Para”, bëri fushatë që Berlini të ndahet nga Kievi dhe të rilidhë marrëdhëniet me Rusinë. Një strategji jo shumë ndryshe nga ajo e Donald Trump.
Së dyti, shumë në Gjermani mendojnë se nëse Rusia do të destabilizojë me të vërtetë Europën, do të tundohet të godasë një prej Tre Fuqive të Mëdha me një raketë me rreze të gjatë. Franca dhe Mbretëria e Bashkuar janë fuqi bërthamore. Gjermania jo. Madje ushtria e saj ka mungesa në personel dhe pajisje, prandaj frikësohen se Gjermania mund të jetë një shënjestër e butë.
Aq më tepër nëse Donald Trump tërheq ushtarakët e tij nga Gjermania. Ai ka premtuar se do të reduktojë praninë e trupave amerikane në Europë.
Ndjenja gjermane e pasigurisë së thellë e shtyu Friedrich Merz të sugjeronte javën e kaluar se do i hedhë sytë nga Franca dhe Britania për të formuar një “ombrellë bërthamore europiane”, për të zëvendësuar garancitë që ofron SHBA-ja.
Është një ide që sillet shumë lehtë gjatë fushatave, por në realitet është shumë komplekse pasi shtrohen pikëpyetjet e aftësive, angazhimit dhe kontrollit.
Në të vërtetë Friedrich Merz-it do i duhen shumë para për planet e tij për të siguruar Gjermaninë e Europën, por ekonomia gjermane është në “depresion”.
Mbi të gjitha ai duhet të arrijë fillimisht marrëveshje me partnerin ose partnerët, që do të ketë koalicion, me të cilët do të formojë qeverinë e ardhshme gjermane. Po ashtu duhet të jetë në një mendje edhe me vendet e tjera europiane. Dhe ata mund të mos duan që të mbajnë një ton kaq të ashpër kundër SHBA-së.
Këto zgjedhje mund të paralajmërojnë një lidership më të fortë nga Gjermania, por a është gati pjesa tjetër e Europës?
Shkrim nga BBC
#Fitoi #zgjedhjet #në #Gjermani #Merz #kërkon #pavarësi #nga #SHBA #është #gati #pjesa #tjetër #Europës
Java News