Temperatura zgjat edhe 7 ditë… –

Virozat në këtë sezon dimri kanë qenë më agresive dhe po krijojnë infektime që zgjasin në kohë, duke sjellë përkeqësimin e shëndetit të popullatës.
Edhe pse numri i infeksioneve në rang vendi është ulur, në qendrat shëndetësore në kryeqytet, numri i pacientëve të vegjël që vizitohen te mjeku mbetet i lartë.
Mesatarisht gjatë një dite në ambulancën nr. 10, vizitohen 180 deri në 240 fëmijë.
“Nuk kam patur ulje të rasteve. Deri në orën 10 e gjysmë kam bërë 13 vizita. Domethënë është numër i lartë vizitash, 20-25 ka qenë mesatarja ditore”, tha mjeku Bektash Mandri.
Simptomat sipas tij zgjasin deri në tre javë, sidomos kolla dhe sekrecionet.
“Këto që kanë patur infeksione të rrugëve të sipërme respiratore kanë qenë me sekrecione të trasha, të verdha, shpesh herë me ngjyrë jeshile, me skuqje të syve, lotim të syve, këto i jep gripi i zakonshëm. Temperatura ka qenë tek 39-ta të gripit të zakonshëm, jo më shumë, ndërsa ato që janë të dyshuar për Covid kjo shkon të paktën te temperatura 39-40. Grupmoshat më problematike në këtë periudhë kanë qenë nga 10 deri në 20 vjeç. Këto kanë qenë grupmoshat që kanë ardhur më shpesh dhe këto kanë qenë të gjithë me infeksionet të rrugëve të poshtme respiratore, janë ankuar për dhimbje gjoksi. Jo të rrallë kanë qenë dhe me vështirësi në frymëmarrje”, tha Mandri.
Mjeku u bën apel prindërve që të drejtohen te mjeku pediatër që fëmijët të mos agravohen më shumë dhe kur janë të sëmurë të mos çohen në kopsht apo në shkollë.
“Sepse duke i dërguar të sëmurë, ata sëmurin të tjerët dhe zinxhiri nuk ndërpritet. Nuk lejnë as fëmijët e tjerë që të përmirësohet gjendja klinike e tyre, sepse nëse një virus merret sot është çështje ditësh që në klinikë ta manifestojnë të gjithë. Vetëm çështje imuniteti, dikush më imun dikush më pak imun”, tha mjeku pediatër.
Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se numri i infeksioneve respiratore gjatë Janarit dhe Shkurtit ishte 40% më i lartë se e enjtja e periudhës së vitit të shkuar. Ndërkohë që sezoni i gripit zgjat deri në fund të muajit Mars.
#Temperatura #zgjat #edhe #ditë
Java News