“Mbi 12 mijë civilë të vdekur”, kostoja fatale e 3 viteve luftë në Ukrainë –

3 vite më parë, më 24 Shkurt 2022, Rusia sulmoi Ukrainën duke shënuar kështu nisjen e një lufte të papritur në Evropë e për të cilën ende nuk ka akte konkrete paqeje. Më shumë se 51 mijë bomba kanë rënë mbi territorin e Ukrainës përgjatë kësaj periudhe, jo vetëm duke e kthyer gjithçka në rrënoja, por duke marrë jetën e mbi 12 mijë civilëve. Qindra prej këtyre të fundit fëmijë, ndërsa rreth 30 mijë kanë mbetur të plagosur e plot 7 milion janë detyruar të largohen nga vendi i tyre.
Vdekjet nga të dyja palët, shkruajnë mediat e huaja, mund të kapin shifrën e 1 milion. Përtej këtyre statistikave të tmerrshme, më shumë se 100 mijë incidente dyshohen të jenë krime lufte, duke përfshirë vrasje, tortura, përdhunime apo sulme të tjera makabre ndaj civilëve.
Mbase vetëm në këtë gjë, ka të drejtë Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump kur përsërit herë pas here që “njerëzit po vdesin”…Por përpos kësaj, për këtë luftë ka pasur një sërë përplasjesh politike e përpjekjesh herë të çuara dëm!
Megjithatë, duhet theksuar se rezistenca nga ana e ukrainasve ka qenë tejet dinjitoze, pavarësisht kaosit e numrit të lartë të viktimave. Teksa Presidenti rus Vladimir Putin nuk bëri kurrë asnjë hap pas, shpresat për paqe u rritën pas rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë. Ky i fundit, para se të fitonte mandatin e tij të dytë presidencial e premtoi dhe u zotua “se do t’i jepte fund luftës në Ukrainë”. Por askush se kishte parashikuar të tillë situatën pasuese, në terma politikë.
Pak ditë më parë, SHBA dhe Rusia u ulën bashkë në tryezë bisedimesh në Arabinë Saudite, por pa konsensusin e as prezencën e Ukrainës. Edhe pse u arritën 4 pika dakordësie në parim për t’i dhënë fund luftës, kjo lëvizje e Trump shkaktoi reagime të ashpra në nivelet më të larta politike në Evropë.

Por Trump as nuk i mori parasysh, duke vijuar me deklaratat e tij të befta mbi homologun e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy. E quajti “diktator” dhe tronditi duke theksuar se ishte Ukraina ajo që kishte startuar këtë luftë.
3 vjet më vonë, Zelenskiy me të drejtë është “lodhur” (thonë burime mediatike nga Kievi) nga mbajtja në kurriz e të gjitha përgjegjësive dhe situatës së rëndë të atdheut të tij, ndërsa Evropa po përpiqet të “bashkohet” për t’i dhënë gjithë ndihmën e nevojshme.

#Mbi #mijë #civilë #të #vdekur #kostoja #fatale #viteve #luftë #në #Ukrainë
Java News