Zhvillohet panairi i punës në UAMD. Nënshkruhen kontratat e para.

Për të tretin vit radhazi, Panairi i Punës dhe Karrierës që zhvillohet pranë Fakultetit të Biznesit në UAMD arriti të bëjë bashkë bizneset dhe studentët, me qëllim punësimin e këtyre të fundit ende pa mbaruar ciklin studimor.
Ndërsa shumë nga bizneset kompletuan stafin e tyre, sidomos në këtë periudhë kur sezoni veror rrit ndjeshëm kërkesën për punonjës sezonalë.
Këtë vit rreth 200 biznese morën pjesë në panair, ndërkohë që risi ishte akordimi i bursave për 5 studentët e degës Hoteleri-Turizëm.
“Sot, në edicionin e tretë të panairit marrin pjesë 200 biznese nga të gjithë sektorët dhe industritë, por nuk mungojnë edhe institucionet publike. Panairi i arriti objektivat e tij”,- deklaron dekani Shkëlqim Fortuzi.
“Po shikoj një interes të shtuar nga biznesi për të forcuar urat e bashkëpunimit, që të jenë aktorë të qenësishëm në kurrikulat e universiteteve, por edhe në nevojat që ata kanë nga të rinjtë që duan të rekrutojnë”, deklaroi para mediave Rektorja Kseanela Sotirofski.
E pranishme në panair ishte edhe kryebashkiakja e Durrësit Emirjana Sako.





