Aktualitet

Skema me 2 koalicione, si Berisha po shet PD-në te Ilir Meta

Ndarja me dy koalicione do të ngatërrojë demokratët dhe ata që do votojnë për koalicionin “Bashkë Fitojmë” te fleta e këshilltarëve, çojnë ujë te mulliri i Ilir Metës…

Sali Berisha edhe këto zgjedhje u ul në gjunjë para Ilir Metës. Në zgjedhjet e pjesshme të një viti më parë ai u fut me logon e LSI, ndërsa këtë herë do të bëjë të njëjtën gjë. Por në dallim nga 6 marsi 2022, në këto zgjedhje do të garohet dhe për këshillat bashkiakë dhe duket se Berisha ka bërë autogol me skemën e ndjekur.

“Foltorja” do të shkojë në zgjedhje me dy koalicione. Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, që përbëhet nga PL, PDK dhe PBDNJ do të paraqesë si kandidatë për kryebashkiakë emrat e dalë nga primaret, ndërsa për këshillat bashkiakë do të jenë në shumicën e qyteteve kandidatët e Ilir Metës. Dule pritet të futë disa emra në zonat minoritare, ndërsa Nard Ndoka në veri. Ndërkohë në bashkitë e tjera Meta do të dalë me lista të plota për këshillat bashkiakë, duke lënë jashtë loje Berishën.

Ky i fundit, për të mos hequr dorë nga këshillat bashkiakë do të fusë në zgjedhje një tjetër koalicion të quajtur “Aleanca Liberale e Djathtë”. Ky koalicion do të fusë kandidatë për kryebashkiakë fiktivë dhe do përdoret nga Berisha për të futur kandidatë për këshillat bashkiakë. Pra me pak fjalë, te koalicioni i Metës, Berisha do garojë për krerët e bashkive dhe te koalicioni tjetër për këshillat bashkiakë.

Por një manovër e tillë çon ujë te mulliri i Ilir Metës. Së pari do të jetë shumë e vështirë të bindësh elektoratin që te njëra fletë të votojnë për koalicionin “Bashkë fitojmë” dhe te fleta tjetër koalicionin “Aleanca Liberale e Djathtë”. Kjo mund të sjellë dhe ngatërresa. Shumica e votuesve shqiptarë historikisht janë mësuar që votojnë për të njëjtin koalicion ose parti te të gjitha fletët. Padyshim fokusi i votuesit është te krerët e bashkive dhe jo shumë te këshillat. Kjo do të thotë se nuk është çudi që ata demokratë që do të votojnë koalicionin “Bashkë Fitojmë” me qëllim që të fitojë kandidati i “Primareve” të bëjnë të njëjtën gjë dhe te fleta e këshilltarëve. Dhe nëse ndodh kjo, të gjitha votat shkojnë te kandidatët e Metës për këshillat bashkiakë.

Pra kushdo që voton koalicionin “Bashkë Fitojmë” te fleta e këshillave bashkiakë voton për kandidatët e Metës. Ky i fundit e di këtë gjë dhe duket se ka futur në grackë Berishën, pasi me shumë mundësi shumë votues do të ngatërrohen dhe në mënyrë të pavetëdijshme do të çojnë votat te Meta.

Duke qenë se Lulzim Basha e rrënoi PL me skemën e zgjedhjeve të 2021, duket se Meta tani kërkon të ngrihet nga hiçi po me vota e demokratëve. /Pamfleti

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button