BKH sekuestron dosjet e Landfillit- Tiranë te 5 bashkitë e qarkut; në “tavë” edhe 4 ish-kryetarë të Saliut

Firmëtarët e Landfillit- Sharrë, që u sajua nga kryeministri Edi Rama, Ëngjëll Agaçi dhe Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, janë edhe 3 ish-kryebashkiakët e Saliut: Xhelal Mziu i Kamzës, Fiqiri Ismaili i Vorës, Isa Sakja i Kavajës dhe Beqir Nuredini i partisë së Shpëtim Idrizit në Rrogozhinë, i cili pas marrjes së mandatit u bashkua me frontin e djathtë
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë mësyrë në Bashkinë e Tiranës dhe 4 bashkitë e Qarkut, ku kanë sekuestruar dokumente kontraktuale që lidhen me landfillin e Sharrës.
Katër bashkitë e tjera, janë Vora, Kamza, Kavaja e Rrogozhina, të cilat me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 855, datë 7.12.2016, janë bërë pjesë e koncesionit të landfillit të Sharrës dhe kanë pranuar, për të depozituar mbetjet e zonave të tyre.
Nga dokumentet e gjetura deri tani, ka rezultuar se marrëveshja koncesionare dhe studimi e fizibilitetit të bërë nga Ministria e Mjedisit, është firmosur nga kryetarët e 5 bashkive, duke pranuar ofertën e Klodian Zotos, për pagesën nga 7.4 milionë euro në vit pa TVSH për 30 vite.
Po kështu, kanë rënë dakord e kanë firmosur, që kostoja për njësi të jetë 29.05 Euro/ton pa TVSH, deri në sasinë 700 ton mbetje në ditë në total për 5 bashkitë, ndërsa për sasitë me tepër, do bëhej marrëveshje tjetër financiare.
Agjentët e BKH, kanë bërë të ditur për “Pamfleti”-n, se në bashkitë Vorë, Kamzë e Kavajë, kanë gjetur një dokument të titulluar “Akt-Marrëveshje” e përbashkët mes qeverinë dhe 5 bashkive të Tiranë, Vorë, Kamzë, Kavajë e Rrogozhinë, në formën e një shoqërie aksionare të mbetjeve.
Sipas dokumentit të firmosur, që tani është futur në dosjen hetimore, rezulton se kryetarët e këtyre bashkive, kanë rënë dakord që për depozitimin e mbetjeve në landfilin e Sharrës, shuma 130.8 milionë Euro pa TVSH të paguhet nga qeveria nga buxheti i shtetit.
Ndërsa vlerën 91.7 milionë, plus shtesa e mundshme por jo me shumë se 7 milionë Euro pa TVSH, ta paguajnë 5 bashkitë nga të ardhurat e tyre, ku pjesën 45% e mori përsipër Bashkia e Tiranës.
Ndërsa dokumentet në kryeministri, janë tërhequr në prill 2022, pas përfundimit të Komisionit hetimor parlamentar për landfillet, kohë kur agjentët e BKH hasën pengesa nga Sekretari Engjëll Agaçi, i cili për 1 muaj nuk u paraqit në zyrë, me justifikimin se gjoja ishte për kurim në Itali.
Sekuestrimi i dokumenteve, tregon se SPAK me presionin e SHBA, ka filluar të merret me dosjen e Landfillit të Sharrës në Tiranë, për të cilin plaku “non grata” dhe ortakja e rusëve Monika Kryemadhi, akuzojnë vetëm kryebashkiakun Erjon Veliaj e kryeministrin Edi Rama.
Por sipas dokumenteve, në marrëveshjen e Landfillit të Sharrës në muajin qershor 2017, që sajuan kryeministri Edi Rama, Ëngjëll Agaçi, Lefter Koka dhe Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, kanë firmosur edhe 4 ish-kryebashkiakët e partisë së plakut “non grata”.
Konkretisht, ka firmosur ish-kryebashkiaku Xhelal Mziu i Kamzës, Fiqir Ismaili i Vorës, Isa Sakja i Kavajës dhe Beqir Nuredini i partisë së Shpëtim Idrizit në Rrogozhinë, i cili pas marrjes së mandatit më 2015-ën, u bashkua me frontin e djathtë nën hijen e Sali Berishës.
Se për çfarë motivesh e interesash, ish-kryebashkiakët “blu” kanë firmosur në qershor 2017 urdhrat, pazaret dhe kontratat e kryeministrit e ministrave “mavi”, këtë e dinë vetëm ata; por dihet që letrat e firmosura prej tyre, agjentët BKH i kanë gjetur edhe në arkivën e Klodian Zotos.
Pra, filluan të hapen letrat e Landfilit të Tiranës, por hetimet nuk dihet nëse do fillojnë nga Rama e Agaçi, apo nga kryebashkiakët, 1 prej të cilëve është në Tiranë, 1 është deputet i Foltores, 1 ka ri-kandiduar me primaret në Kavajë, ndërsa po 2 merren me biznes./Pamfleti