Aktualitet

PD duhet të ndajë mendjen nëse do të shkojmë drejt BE-së, apo do ta shkatërrojmë BE

Nga Mero Baze

Më në fund spektri politik i Shqipërisë po normalizohet. Për herë të parë në këto zgjedhje kemi një parti në qeveri, e cila ka shpallur objektiv elektoral integrimin në Bashkimin Evropian në vitin 2030, dhe një parti të madhe në opozitë që është kritike e fortë e Bashkimit Evropian. Kryetari i PD, Sali Berisha, e ka akuzuar Bashkimin Evropian ditën e djeshme se ka kontribuar në vendosjen e diktaturës në Shqipëri. Pra, në një farë mënyre, objektivi i Berishës është të ndryshojë Bashkimin Evropian pasi të fitojë, kurse objektivi i Ramës është të ndryshojë Shqipërinë duke e futur në Bashkimin Evropian.

Edhe pse asnjëri mund të mos ia dalë dot ta realizojë objektivin, së paku kemi të qartë tendencën politike në raport me Bashkimin Evropian: një palë pro dhe një palë kundër.

Deri këtu çdo gjë është e qartë, bazuar në deklaratat publike.

Ajo që mbetet e paqartë është beteja e PD-së për të sulmuar PS-në se nuk ka për ta futur dot Shqipërinë në BE.

Tani, këtë betejë nuk e kuptoj. Nga njëra anë shajnë Bashkimin Evropian që ka ndihmuar “diktaturën” në Shqipëri, që ka heshtur për Berishën, që po kufizon liritë njerëzore, madje janë në një vijë me trampistët kundër tij; nga ana tjetër i qajnë hallin Edi Ramës që nuk ka për të futur dot Shqipërinë në Bashkimin Evropian.

Po nëse nuk e fut dot, ata pse mërziten, se ata nuk janë partizanë të Bashkimit Evropian?

Në përpjekje për të imituar trumpizmin, ata tani po marrin një profil anti-evropian, kështu që çdo dështim i Edi Ramës në rrugën drejt BE është fitore e tyre.

Duke qenë se për herë të parë një parti në pushtet bën krejt betejën për integrimin në BE, dhe pala tjetër betejën kundër BE-së, shoqëria e ka më të qartë se nga duhet të shkohet.

PD nuk është partia e parë e djathtë evropiane që është kundër BE-së. Ka një sërë partish anti-BE në Evropë, në spektrin e djathtë, që synojnë shpërbërjen e BE-së dhe rikthimin tek identiteti kombëtar i çdo vendi.

Problemi i PD-së është që nuk di se çfarë do. Ajo një herë bën sikur është me BE, një herë sikur është kundër, një herë e do të shpërbëhet, një herë e do të ngrijë rrugën drejt BE-së, një herë e quan dështim integrimin, një herë e quan krim… etj.

Pak a shumë si me SHBA-në deri para pak muajsh: herë e urrenin, herë e mallkonin, herë e klononin në mendjen e tyre me një SHBA tjetër e kështu me radhë. E gjitha kjo, sepse ajo parti do vetëm një njeri: Sali Berishën.

Dhe sipas halleve të tij duan apo urrejnë gjithë botën.

#duhet #të #ndajë #mendjen #nëse #të #shkojmë #drejt #BEsë #apo #shkatërrojmë
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button