“Kemi rezerva kur drejtësia lajthit…”, Rama: E dinim që “shpata” do të binte edhe mbi kokat tona

Kryeministri Edi Rama, nga Athina, deklaroi se sot të gjithë e njohin Altin Dumanin falë qeverisë së tij, që ia dha “shpatën e drejtësisë” në dorë.
“Dhe pavarësisht se kemi rezerva dhe mund të habitemi në një moment të pushtetit tjetër (gjyqësor) për ndonjë lajthitje, mjafton të dëgjoni bufin që thotë “në 11 Maj do marr vota dhe në 12 Maj do shkrij SPAK-un”. Sot të gjithë shqiptarët e dinë se kush është Altin Dumani. Dumani ka qenë prokuror me vite të tera, asnjë nuk e njihte. Askush nuk dinte që Altin Dumani ekzistonte. Kurrë më parë Altin Dumani nuk kishte thirrur një politikan. Ai nuk e kishte shpatën, sepse shpatën e mbajti “bufi i kënetës” për të futur në burg Fatos Nanon”, tha Rama.
“Ne sot e çmojmë punën e SPAK-ut dhe ajo punë nuk do të përmbyset, vetëm nëse e bashkojmë flamurin e Shqipërisë me atë të Europës, që nuk e prek më asnjë buf kënete”, shtoi kreu socialist.
Rama theksoi se Partia Socialiste është e vetmja garante e kësaj reforme. Sipas kreut të qeverisë, opozita nuk donte ta votonte as vetting-un, as SPAK-un dhe madje u mbyllën në çadër.
“E dini mirë se Shqipëria sot po ndryshon edhe në një aspekt, në aspektin e barazisë para ligjit. Për herë të parë që kur Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë, njerëz të lidhur me pushtetin politik, figura me fuqi po shkojnë para drejtësisë. Prokurorisë dhe gjykatës të pavarur po i marrin në pyetje, po hetojnë, akuzojnë dhe dënojnë. Tani dëgjoni se të gjithë këta me bufin e kënetës në krye dhe me dashurinë time Lulin, të gjithë këta ishin armiq, jo kundërshtarë të betuar të reformës në drejtësi. Nuk donin ta votonin reformë, vettingun e SPAK dhe u mbyllën të tërë në çadër dhe kërcënuan se nuk do të hyjnë as një zgjedhje. Sot shpresa e tyre e vetme, e dëshpëruar dhe e mjerë është që SPAK dhe gjykata speciale do të shkatërrojë PS dhe më në fund do t’u vijë dita e tyre’, tha Rama.
Ai ironizoi edhe partitë e vogla: “Ajo që ata nuk kuptojnë, bashkë me shitësit e vegjël të qilimave, që janë të gjithë vegla dhe që të re kanë vetëm fytyrën dhe moshën e tyre. I patë, edhe futën baballarë, krushq e teze në lista. Nuk kuptojnë një gjë që ne nuk jemi në një punë, por në një mision: që ta bëjmë Shqipërinë njëherë e mirë pjesë të familjes evropiane. E dimë shumë mirë që për ta bërë këtë barazia e ligjit është kusht, ashtu sikundër mund të mos jemi shumë të mençur por s’besoj se na merr njeri për budallenj sa t’i hynim detit në këmbë dhe të mos e dinim se duke i dorëzuar shpatën, nuk parashikonim që ajo shpatë do të binte edhe mbi kokat tona, e disave nga ne. Ne e dinim këtë. Nuk jemi penduar për këtë, por jemi krenarë për këtë.”
#Kemi #rezerva #kur #drejtësia #lajthit #Rama #dinim #që #shpata #të #binte #edhe #mbi #kokat #tona
Java News