Sport

“E gjithë bota vjen këtu për të parë ndeshjet”! Klaus Gjasula në rolin e ambasadorit për EURO U17

Klaus Gjasula dhe Valbona Selimllari, dy ambasadorët e finaleve të Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025”, folën për mediat pas përfundimit të ceremonisë së shortit në “Shtëpinë e Futbollit”.

Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula, i cili tërhoqi goglat gjatë shortit, u shpreh se organizimi i Kampionatit Europian U-17 në Shqipëri nuk është një plus vetëm për futbollin, por edhe për vetë shtetin shqiptar, pasi e gjithë bota do të ketë vëmendjen te ky turne shumë i rëndësishëm.

Gjasula inkurajoi djemtë, duke theksuar se nuk duhet të kenë frikë, pasi luajnë në shtëpi dhe do të kenë mbështetje të madhe nga tifozët. Ai u shpreh se duhet ta shijojnë këtë kompeticion dhe të japin maksimumin.

Je përzgjedhur si ambasador i Kampionatit Europian U-17 “Shqipëri 2025” – Jam krenar, është një kënaqësi e madhe.

Si duket një Europian që zhvillohet në Shqipëri? – Organizimi i “Euro 2025” në Shqipëri nuk është një plus vetëm për futbollin, por edhe për shtetin shqiptar, pasi e gjithë bota do të vijë këtu për të parë ndeshjet. Ne mund t’i tregojmë gjithë botës që nuk kemi ecur përpara vetëm në futboll, por kemi bërë përparime edhe si shtet. Nga ana e organizimit nuk do të jetë e lehtë, pasi është një event shumë i madh. Por unë jam i bindur që do t’ia dalim, do të kënaqim të gjithë njerëzit dhe do të jetë një festë e bukur.

Sa e rëndësishme do të jetë për të rinjtë, duke pasur parasysh se në stadium do të jenë të pranishëm shumë skautë? – Nuk ka asgjë më të rëndësishme në futboll sesa të kesh një mundësi të tillë për t’u prezantuar. Nuk është diçka e përditshme. Do të jenë shumë njerëz që do të shohin ndeshjet, jo vetëm skautë, por edhe ata që do t’i ndjekin nga televizori. Për një talent, ky event është maksimumi, pasi do të kenë mundësinë të shfaqin aftësitë e tyre në një skenë me rëndësi. Ekipit tonë i uroj shumë fat dhe sukses, por mbi të gjitha duhet ta shijojnë këtë turne. Nuk duhet të frikësohemi nga emrat e kundërshtarëve, pasi luajmë në shtëpi dhe e dimë që tifozët do të na mbështesin. Kemi besim te djemtë, ata duhet të japin maksimumin.

A mund të kemi surpriza nëse futemi në fushë me mentalitetin e një ekipi që s’ka asgjë për të humbur? – Patjetër që po, këtë e ka treguar historia e futbollit gjithmonë. Edhe verën e kaluar, kur ishim në Europianin “Gjermani 2024”, askush nuk kishte besim te ne. Por ne treguam paraqitje të mira dhe për pak sa nuk u kualifikuam në raundin tjetër. Tani është radha që të mbështesim Kombëtaren U-17 në këtë Kampionat Europian.

#gjithë #bota #vjen #këtu #për #të #parë #ndeshjet #Klaus #Gjasula #në #rolin #ambasadorit #për #EURO #U17
SportExpress

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button