Aktualitet

“Nuk do ma vjedhin presidencën”, Marine le Pen: Sistemi na lëshoi bombën bërthamore

Pasi u dënua në Francë me “vdekje politike”, Marine le Pen reagon furishëm me një gjuhë lufte.

“Sistemi ka lëshuar bombën e tij bërthamore dhe nëse përdor një armë kaq të fuqishme kundër nesh, është sigurisht se ne jemi duke fituar zgjedhjet. Prandaj ata i thonë vetes se gjithçka që kanë vënë në zbatim deri më tani nuk ka funksionuar dhe se mund t’u duhet të kalojnë në një nivel tjetër”, tha Le Pen.

Liderja e ekstremit të djathtë vazhdoi më tej të kundërshtojë vendimin e gjykatës që e dënoi me përjashtim 5 vite nga gara për postet publike, përfshirë atë të presidentit, 4 vite burg nga të cilat 2  të pezulluara dhe 2 të tjera me një byzylyk elektronik, duke përsëritur se është plotësisht politik, pavarësisht se u shpall fajtore për përvetësim të fondeve të Bashkimit Europian.

“Ata na vodhën zgjedhjet legjislative përmes manovrave skandaloze. Dua të jem e qartë, ne nuk do të lejojmë që zgjedhjet presidenciale të na vidhen ne francezëve. Prandaj do ta mbrojmë veten dhe do të përdorim të gjitha mënyrat në dispozicion për të lejuar që populli të zgjedhë liderin e ardhshëm të tij. Ne do të fitojmë.”

Marine le Pen akuzoi drejtësinë franceze se po prish demokracinë dhe po shkel sundimin e ligjit duke u vënë në dispozicion të pushtetit dhe kundërshtarëve të saj.

“Nëse liderët politikë të gjyqtarëve janë ata që vendosin se kush mund të kandidojë dhe për kë mund të votojnë francezët, atëherë ne nuk jemi më në një demokraci. Dhe kështu do të luftojmë, të gjitha mjetet ligjore do të analizohen dhe përdoren”, Le Pen.

Marine le Pen sinjalizoi organizimin e protestave të mëdha për të kundërshtuar dënimin, i cili gjithashtu do të apelohet në gjykatë dhe do të dërgohet për shqyrtim në Këshillin Konstitucional. Ndalimi për të garuar për 5 vite për poste publike ka thyer ëndrrën e politikanes për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, në të cilat rezulton favorite në sondazhe. Në vend të saj mund të garojë lideri i Frontit Nacional Jordan Bardella.

#Nuk #vjedhin #presidencën #Marine #Pen #Sistemi #lëshoi #bombën #bërthamore
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button