Mund të kishim shënuar më shumë

Atalanta ka mposhtur Juventusin me shifrat e thella 0-4 në transfertë. Një fitore mjaft e rëndësishme e bergamaskëve, që vazhdojnë të mbeten ngushtësisht në garë për titullin kampion. Gasperini ka thënë për mediat pas përfundimit të takimit se kjo ishte ndeshja e përsosur për ta. Ai ka vlerësuar forcën e shfaqur nga Juventusi në këtë sezon, por ka theksuar se të mos luajturit në kompeticionet e tjera e ka ndihmuar skuadrën e tij të ketë më shumë energji në Serinë A.
“Ndeshje e përsosur. Rezultat i paimagjinueshëm për të gjithë. Kam parë ndeshje të Juventusit, ku ata kishin forcë të pabesueshme, si kundër Interit. Juventusi ka lojtarë të rëndësishëm, teknikisht dhe atletikisht. Është e qartë se të mos luajturit 3 herë në javë na ka dhënë sërish energji. Kishim 2 javë normale pas një kohe shumë të gjatë dhe kjo na ndihmoi. Mund të kishim shënuar më shumë gola.
Njerëzit duhet të ëndërrojnë, kurrë mos ia hiq ëndrrat njerëzve. Ndonjëherë, gjërat e pamundura, nëse beson fort, mund të bëhen të mundura. Interi dhe Napoli janë shumë të fortë. Kurrë nuk lëshojnë pe. Me Interin erdhëm pas 7 humbjeve radhazi, ndonjëherë kjo gjithashtu mund të jetë një shenjë. Edhe me Juven kurrë nuk kishim luajtur përballë në këtë pikë në kampionat”, ka deklaruar Xhan Piero Gasperini./Sport Ekspres/
#Mund #të #kishim #shënuar #më #shumë
SportExpress