Madhështorë dhe…në SPAK! –

Nga Skënder Minxhozi/
E keni gjysmën e qeverisë në burg, u mbushën qelitë me zyrtarë të PS, jua mori Altin Dumani në pranga partinë. Këto batuta hokatare dhe të tjera të ngjashme me to i dëgjon rëndom në studiot televizive, podiumin e parlamentit dhe kudo tjetër ku opozita sulmon çdo ditë qeverinë. Ka të drejtë në ato që thotë sepse lista e zyrtarëve socialistë është bërë vërtetë e gjatë dhe emrat kanë nisur të jenë të rëndë.
Megjithatë, kur ndodhesh në klimë zgjedhjesh, një kohë kur gjithçka krahasohet, matet e peshohet në raport me atë që ke përballë, kjo fanfarë e gëzuar akrobatësh duket se nuk i mendon shumë fjalët para se t’i nxjerrë nga goja. Kur ju thua socialistëve, fjala vjen, që ju kanë futur në burg numrin dy të maxhorancës, duhet të ndalesh një çast e ta mendosh atë që po thua. Sepse replika që mund të të vijë nga karrigia përballë mund të të vendosë në vështirësi. “…Kurse ju keni në SPAK si të pandehur ose prapa hekurave të tre krerët e partive kryesore të opozitës së sotme, Berishën, Metën dhe Mediun”!
Arrestimi i Veliajt, përveçse ka bërë që Rama të hapë gojën kundër SPAK, e ka futur në një pozitë delikate edhe raportin e opozitës me drejtësinë e re. Në harkun e pak orëve, Sali Berisha kaloi nga kërcënimet e hapura për ta shkrirë SPAK pas 11 majit, në një qëndrim më të butë për korigjimin e asaj që nuk shkonte me Strukturën e Posaçme dhe deri në deklaratat e fundit këtë të hënë, kur tha se Rama i ka çuar fjalë për ta shpërndarë SPAK pas zgjedhjeve, porse ai nuk pranon!
Ky balet fjalësh pasqyron një vështirësi konkrete intepretimi dhe qasjeje që Berisha dhe të tjerët rrotull tij kanë me hetimet e fundit dhe sidomos me arrestimin e kreut të bashkisë Tiranë. Dëshira për t’u gëzuar dhe rrahur shuplakat nga kënaqësia, por edhe përdorimi elektoral i arrestimit në fjalë, përplasen brenda opozitës së sotme me hallin konkret që ka në lidhje me SPAK i gjithë lidershipi opozitar. Nuk dinë ç’të bëjnë me prangat në duart e zyrtarëve të maxhorancës, të gëzohen e të thonë ndonjë fjalë të mirë për prokurorët, apo të vazhdojnë t’i mallkojnë ata në emër të halleve të Doktorit, Ilirit dhe Fatmirit?!
Zgjatja e radhës së të hetuarve VIP në dyert e drejtësisë po e bën të paefektshme lojën dhe përdorimin politik lara-lara të SPAK dhe viktimave të tij. Nuk mund të jesh dakord me Dumanin “deri në ora tre” e të jesh kundër tij pas kësaj ore! Njëherësh nuk mund të fërkosh barkun dhe të tallesh me prangat e kundërshtarit, pa shikuar më parë duart e tua ku shndrijnë byzylykët e burgut. Madhështorë dhe në SPAK, e thënë ndryshe!
E të mendosh se jemi ende në suazën e hetimit dhe gjykimit të dosjeve që lidhen me akuzat për vjedhje. Nuk kemi ardhur akoma tek dosjet e vrasjeve politike, ato të hershmet ende të pazgjidhura, ku shteti zhduku provat dhe pengoi hetimet. Aty paneli i madhështorëve tkurret edhe më shumë sepse edhe akuzat janë më të rënda dhe më të kobshme. Megjithatë ngushëllimi për opozitën është që SPAK vijon të mendohet edhe gjashtë vjet pasi ka nisur nga puna, për të bërë drejtësi për vrasjet në fjalë. Gjumë të mbarë!
#Madhështorë #dhenë #SPAK
Java News