Transparencë dhe akses më i lehtë për qytetarët –

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) prezantoi sot strategjinë e re të komunikimit, një dokument të hartuar me mbështetjen e Këshillit të Europës, i cili synon të përmirësojë transparencën dhe të forcojë marrëdhënien me qytetarët.
Gjatë prezantimit, Drejtoresha e Përgjithshme e ASHK-së, Znj. Lorena Goxhobelli, theksoi rëndësinë e kësaj strategjie, duke e cilësuar si një hap të parë, por të rëndësishëm për modernizimin e institucionit dhe krijimin e një komunikimi më të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Strategjia e re synon të sjellë një transformim të rëndësishëm në mënyrën se si ASHK komunikon dhe bashkëvepron me qytetarët. Për të arritur këtë qëllim, do të riorganizohen burimet njerëzore, duke garantuar një menaxhim më të mirë të informacionit dhe përgjigjeve ndaj kërkesave të qytetarëve. Po ashtu, do të fuqizohet linja telefonike pa pagesë, e cila do të sigurojë një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe më efikas për çdo pyetje apo shqetësim që mund të kenë qytetarët.
Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet informimit të qartë dhe të kuptueshëm duke krijuar materiale audio-vizive dhe guida orientuese, të cilat do t’i ndihmojnë qytetarët të kuptojnë më lehtë procedurat dhe shërbimet që ofron agjencia. Paralelisht, pritet të rritet ndjeshëm prania dhe angazhimi në rrjetet sociale, duke ofruar një komunikim më dinamik dhe interaktiv.
Në kuadër të përmirësimit të aksesit në shërbime, faqja zyrtare e internetit e ASHK-së do të ristrukturohet tërësisht, duke u bërë më e thjeshtë për përdoruesit dhe më e aksesueshme për të gjithë. Synimi është që çdo qytetar të mund të marrë informacionin e nevojshëm në mënyrë të shpejtë dhe të sigurt, pa burokraci të tepërt dhe pa vonesa të panevojshme.
ASHK po përjeton një transformim të madh – theksoi Znj. Goxhobelli, me regjistrimin fillestar të pronave dhe digjitalizimin e plotë të të dhënave si dy shtylla kyçe të këtij ndryshimi. Objektivi është që brenda vitit 2026 të përfundojë digjitalizimi i hartave kadastrale, ndërsa deri në qershor të vitit të ardhshëm të digjitalizohen kartelat e pronësisë dhe dokumentacioni tekniko-ligjor.
“Për ne është thelbësore që çdo qytetar të ndjejë se ky institucion është në shërbim të tij, dhe jo e kundërta. Besimi nuk kërkohet me fjalë, por fitohet me punë dhe rezultate konkrete. Prandaj, kjo strategji komunikimi vjen në një moment të rëndësishëm dhe do të na ndihmojë të ndërtojmë një marrëdhënie të re me qytetarët, bazuar në transparencë, respekt dhe besim të ndërsjellë,” përfundoi ajo.
#Transparencë #dhe #akses #më #lehtë #për #qytetarët
Java News