Aktualitet

Shqipëria shkëlqeu si Vendi i Nderit –

Nën sloganin “Albania All Senses”, Shqipëria turistike, e shpallur si “Vendi i Nderit” për 2025 në ITB Berlin, u shpalos mbrëmjen e djeshme në një spektakël ngjyrash dhe larmisë së ofertave në panairin më të madh global të turizmit.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale fotoalbumin nga ky aktivitet duke e cilësuar “një mbrëmjeje krenarie shqiptare”.

Kreu i Ekzekutivit thekson se “në zemër të Gjermanisë, Shqipëria shkëlqeu si Vendi i Nderit në Panairin global të Turizmit në Berlin”.

Ndryshe nga formula e zakonshme që ndiqet çdo vit, ku një shtet i caktuar bën kërkesë për të qenë vend nderi në panairin e ITB-së në Berlin, në rastin e Shqipërisë kanë qenë vetë organizatorët e panairit që në vitin 2023 kanë bërë kërkesë që të jetë Shqipëria vend nderi duke parë shifrat e turizmit dhe ekonomisë.

Në këtë panair, Shqipëria ka një stendë të mrekullueshme prej 700 metra katrorë duke ofruar përvoja interaktive, mundësi për të bashkëpunuar dhe njohur industrinë shqiptare të turizmit.

Deri më datë 6 mars, Shqipëria do të prezantojë trashëgiminë e saj të pasur natyrore e kulturore, panoramë të peizazhit të investimeve në Shqipëri si dhe do të shfaqë një show të drejtpërdrejtë gatimi duke zbuluar shije autentike shqiptare.

“Agroturizmi, Tradita dhe Folklori” do të jetë gjithashtu në fokus të eventeve promovuese të Shqipërisë, do të mbahen diskutime për shkëmbimin kulturor në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe Shqipërinë inovative.

Gjithashtu, do të shfaqet dokumentari “Peeping Tourist – Një Udhëtim Përtej Perdes së Ndaluar”, që paraqet transformimin e Shqipërisë nga një enigmë e fshehur nën Perden e Hekurt në destinacionin e tanishëm shumë të dëshiruar nga turistët, me plazhe të pastra, male madhështore dhe histori të pasur.

Konkursi fotografik Wanderlust in Albania, i organizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit të Shqipërisë, do të zbulojë imazhet dhe videot më të mira promocionale të vendit, duke theksuar bukurinë natyrore dhe vibrimin kulturor të Shqipërisë përmes lentes së fotografëve kombëtarë e ndërkombëtarë.

Nuk do të mungojnë diskutimet mbi “Turizmin e Aventurës nën Rrugën e Çiklizmit Trans Dinarica”. Korridori kulturor, i cili lidh Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, do të theksohet si një iniciativë kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Ballkanin Perëndimor.

#Shqipëria #shkëlqeu #Vendi #Nderit
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button