Aktualitet

Kush do drejtojë perandorinë e biznesit pas vdekjes së Silvio Berlusconit?

 Italia është duke mbajtur një ditë zie kombëtare, për humbjen e Silvio Berlusconit. Të gjithë flamujt italianë dhe evropianë në ndërtesat publike janë ulur në gjysmështizë. Sheshi jashtë katedrales u mbush me mijëra njerëz që tundnin flamujt italianë të Forza Italia dhe flamujt e AC Milan, duke duartrokitur dhe brohoritur: “Silvio do të jetë gjithmonë presidenti ynë”.

Mediat italiane shkruajnë se ky lloj nderimi është i paprecedentë për një ish-kryeministër. Një funeral shtetëror është një privilegj që zakonisht rezervohet për papët, heronjtë e luftës dhe ministrat në shërbim.

Milano është një qytet i lidhur thellësisht me Silvio Berlusconin, këtu ai lindi dhe ku filloi karrierën e tij. Gjatë jetës së tij, Berlusconi grumbulloi një perandori të madhe që përfshinte median, pasuritë e paluajtshme, financat, kinemanë dhe sportin – si dhe një parti të fuqishme politike që është pjesë e qeverisë aktuale të Italisë.

Ai ishte një nga njerëzit më të pasur të Italisë. Sipas Forbes, asetet e tij të biznesit kapin vlerën e rreth 6 miliardë euro (5.15 miliardë paund).

Por ai kurrë nuk tregoi publikisht se kush duhet të drejtojë perandorinë e tij të biznesit pas vdekjes së tij, dhe ka gjithashtu pyetje të mëdha mbi të ardhmen e partisë Forza Italia që ai krijoi. Berlusconi ka dy fëmijë nga martesa e parë, dhe tre nga e dyta. Të gjithë ata kanë aksione në Fininvest. E ardhmja e interesave të tij të biznesit ka të ngjarë të varet nga mënyra se si ai ka zgjedhur të shpërndajë 61% të aksioneve që kishte në Fininvest.

A do të ketë pjesë të barabarta për të gjithë, apo më shumë për dy fëmijët më të mëdhenj, Marina dhe Pier Silvio, të cilët kanë mbajtur role drejtuese në perandori që nga fillimi i viteve 1990?

Pasuri të tjera me vlerë janë padyshim vilat e shumta luksoze të Berlusconit. Ato mund të jenë të ndërlikuara për t’u kaluar tek pasardhësit e tij në mënyrë të barabartë.

Vila e tij San Martino në Arcore, në veri-lindje të Milanos, mbulon 3.500 m2 dhe daton në shekullin e 18-të. Ai gjithashtu ka shtëpi në Liqenin Maggiore, në Romë, Kanë, Karaibe dhe vende të tjera. Më e veçanta është Villa Certosa, një rezidencë në Sardenjë që ai bleu në vitet 1970.

Ai priti liderët botërorë atje, nga Vladimir Putin te George W. Bush. Rezidenca ka 126 dhoma. Vlera e tij vlerësohet në 259 milionë euro.

Pyetja kryesore është nëse ai unitet familjar mund të ruhet tani që Berlusconi vdiq, dhe çfarë ndikimi mund të ketë në të ardhmen e perandorisë së tij të biznesit.

Vdekja e tij mund të jetë katastrofike për të ardhmen e partisë së tij politike. A mund të mbijetojë Forza Italia pa krijuesin e saj karizmatik – apo mund të shpërbëhet brenda disa muajsh?

Ai ishte lideri i fundit populist, dhe çuditërisht, partia që ai krijoi u formua tërësisht rreth personalitetit të tij.

Krahu i tij i djathtë, ministri i jashtëm Antonio Tajani, ka mohuar kategorikisht se e ardhmja e saj është në rrezik: “Është e paimagjinueshme që partia të zhduket”.

Por pjesa e votave të Forza Italia tashmë kishte rënë në 8% në zgjedhjet e përgjithshme të shtatorit të kaluar. Shumë italianë që e mbështetën partinë, e bënë këtë sepse ishin besnikë të Berlusconit dhe do të jetë e ndërlikuar të caktohet një pasardhës që ata do të duan.

Në realitet, anëtarët e partisë ndoshta do të shikojnë nga familja Berlusconi për të marrë një vendim. A do të duan të vazhdojnë të investojnë në krijimin politik të babait të tyre dy fëmijët më të mëdhenjtë, Marina dhe Pier Silvio, apo do të mbyllin buxhetin financiar?

Pa mbështetjen e tyre financiare, Forza Italia nuk ka asnjë shans për të mbijetuar. Berlusconi financoi shumë partinë e tij – thuhet se i injektoi asaj gati 100 milionë euro.

Ka disa spekulime se Marina mund ta pasojë atë si drejtues, por tani për tani kjo mbetet një thashethem. Një tjetër e panjohur është partnerja e Berlusconit, Marta Fascina, e cila është 53 vite më e re. Ajo është deputete në partinë e tij dhe ka thënë disa herë se “pasioni i saj është politika dhe është rritur me mitin e Silvio Berlusconit”.

Vajza e madhe e Berlusconit thuhet se bllokoi planin e tij, për t’u martuar me të vitin e kaluar. Paqëndrueshmëria politike vihet re pas ditës së zisë kombëtare të së mërkurës.

Në një vend kaq të njohur për krizat e rregullta politike, një kolaps i qeverisë i shkaktuar nga shpërbërja e një prej partnerëve të koalicionit, nuk duket një skenar aq i pamundur. Deri më tani, fëmijët e Berlusconit i janë shmangur vëmendjes. Por vdekja e tij mund t’i detyrojë ata të marin frenat e perandorisë së tij.

Berlusconi kishte probleme shëndetësore prej vitesh, kështu që ka të ngjarë që ai dhe fëmijët e tij ta kenë menduar mirë këtë. Ata mund të zgjedhin një tranzicion të lehtë të paralajmëruar nga motra e tyre më e madhe Marina, në vend që të hyjnë në një betejë pasardhëse që mund të shkojë keq.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button