Kaos në Serbi, alarm i njëkohshëm për bomba në 115 shkolla të vendit

Situatë problematike në Serbi pasi në 78 shkolla fillore dhe 37 shkolla të mesme në Beograd janë dhënë alarme për bomba.
Sipas Ministrisë serbe të Arsimit, njoftimi për vendosje bombash në shkolla u dërgua me postë elektronike, ndërsa menjëherë janë marrë duke u evakuuar nxënësit dhe stafi i shkollave.
Autoritetet po kryejnë kontrolle në shkolla, ndërsa nuk dihet ende se kush e ka dërguar paralajmërimin në Ministri.
Beogradi u përball vetëm pak javë më parë me dy masakra që i morën jetën 17 personave.
Kujtojmë se më 3 maj, një 14-vjeçar u mori jetën tetë fëmijëve dhe një roje sigurie, pas të shtënave me armë në një shkollë fillore në kryeqytetin e Serbisë.
Dy ditë më pas, më 5 maj, një tjetër sulm i rëndë ndodhi në Serbi, ku një 21-vjeçar qëlloi me armë drejt njerëzve duke lënë të vdekur 8 prej tyre, një prej të cilëve polic, dhe duke plagosur 13 të tjerë.