Aktualitet

KFOR të kontrollojë Veriun/ Rama i vjen në ndihmë Vuçiçit edhe një herë tjetër

Dërgimi i një skuadre terroristësh në veri të Kosovës nuk e ka zhbërë aleancën politike Rama-Vuçiç. I kamufluar me një gjuhë patriotike, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama hodhi sot dy propozime që i dëmtojnë përpjekjet e vështira, por deri tani të suksesshme të Albin Kurtit për të vendosur rend dhe siguri në veri të Kosovës.


Së pari, ishte propozimi i Ramës që veriun e Kosovës ta marrë nën kontroll KFOR.


Ky propozim bëhet kur neutralizimi i grupit të armatosur terrorist po konsiderohet një nga operacionet më të suksesshme të forcave speciale të policisë së Kosovës, pasi ndërhyrja e KFOR nuk u pa e nevojshme.

Gjatë operacionit policia e Kosovës shmangu viktimat mes civilëve brenda në manastirin e Zveçanit, eleminoi katër prej terroristëve që vranë policin Afrim Bunjaku, sekuestroi arsenalin masiv të armëve dhe zbuloi dokumentat, që provojnë se sulmi u organizua nga strukturat shtetërore të Serbisë.

Suksesi i operacionit kanë shtuar besimin se strukturat ligjzbatuese në Kosovë janë të afta të garantojnë rend dhe sigurinë në veri, gjë që nuk shihet me sy të mirë nga Beogradi.

Prandaj presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i kërkoi ambasadorëve të vendeve perëndimore të martën, që KFOR të marrë situatën në kontroll në veri të Kosovës.

“Përsërita pikëpamjen e Serbisë për ngjarjet e fundit në Kosovë dhe Metohi dhe kërkova që (Forca e NATO-s në Kosovë) KFOR-i të kujdeset për të gjitha çështjet e sigurisë në veri të Kosovës në vend të policisë së  Kurtit”, tha Vuçiç të martën pas takimit me ambasadorët.

Kërkesa e Beogradit vjen në një moment të pafavorshëm për Vuçiçn, që me homazhet për të vrarët ka marrë përsipër edhe përgjegjësinë për sulmin.

Pikërisht në këtë moment të vështirë për Vuçiçin, i ka ardhur në ndihmë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“KFOR-i duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës” tha Rama në konferencën me gazetarët nga kryeministria dhe këtë propozim e justifikoi me rrezikun e një konflikti të armatosur që mund ta shndërrojë veriun e Kosovës në një Dombas të dytë.

“Më vjen mirë që këtë tanimë e kërkon dhe Kosova, KFOR-in në veri” manipuloi Rama gjatë bisedës me gazetarët, pasi as Kurti, as Osmani nuk e kanë artikuluar një kërkesë të tillë.

“Nuk kam dëgjuar ta kundërshtojë Serbia , madje disa zëra e kanë kërkuar edhe nga pala serbe, por kjo është puna e tyre, sepse këtu s’ka rëndësi fare kush e kërkon, pse e kërkon, si e kërkon” shtoi ai.

Nga kjo kërkesë e Ramës, anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes Arbër Zaimi (shiko me lart) ka ngritur disa pyetje që kanë të bëjnë me sinkronizimin Rama-Vuçiç.

“Në këtë moment kur terrorizmi i mbështetur e sponsorizuar nga Serbia u zbyth, kujt i intereson të largojë nga ai territor policët e Kosovës?” pyet Zaimi në një mesazh në rrjetet sociale.

E vërteta është se Edi Rama është plotësisht i ndërgjegjshëm se kujt i intereson lënia e veriut të Kosovës nën kontrollin e KFOR. Gazetarja Fjorela Beleshi i kujtoi një mesazh të datës 19 Qershor, kur vetë Rama i vinte në dukje Albin Kurtit rrezikun e kthimit të KFOR në veri.

“Sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFOR-in në krye të punës! E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFOR-it në Veriun e Kosovës!” ishte mesazhi i Ramës pak muaj më parë. (lexo më poshte të plotë mesazhin e Ramës)

 

Për ndryshimin 180 gradë të qëndrimit brenda pak muajsh (VIDEO ME POSHTE), kryeministri Rama mbeti pa përgjigje dhe u detyrua të formulojë disa sentenca pa asnjë kuptim.

Propozimi i dytë i Ramës i shkon sërish përshtat Vuçiçit dhe ka të bëjë me asosacionin e komunave serbe në veri të Kosovës si prioritet të dialogut.

“Një draft i asociacionit të komunave me shumicë serbe brenda kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës duhet të vihet në tryeze një orë e më pare” përsëriti Rama në konferencë duke i shtuar kësaj edhe nevojë e një konference ndërkombëtare me praninë e presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman.

Kërkesa është e njëjtë që i bëhet Albin Kurtit në tryezat e dialogut nga Vuçiç, Lajçak dhe Borrell dhe kanë qenë shkaku që bisedimet kanë dështuar deri tani.

Të dyja propozimet e Ramës janë në vazhdën e qëndrimeve të sinkronizuara që kryeministri i Shqipërisë ka mbajtur me presidentin e Serbisë vitet e fundit, që nga Ballkani i Hapur, fajësimi i Kurtit për dialogun apo anulimi i mbledhjes së dy qeverive.

Ndryshimi është se kësaj radhe ato erdhën të ambalazhuara me një retorikë patriotike që kishte të bënte me faktin se Shqipëria nuk ra dakort me një rezolutë të BE-së, që ishte hartuar para sulmit terrorist në Zveçan dhe me dënimin që Rama i bëri homazheve shtetërore në Serbi për vrasësit e policit Afrim Bunjaku. Por përtej ambalazhit, aleanca politike Rama-Vuçiç është ende në fuqi dhe vrasja e një polici shqiptar nuk mjafton për ta zhbërë atë./



#KFOR #të #kontrollojë #Veriun #Rama #vjen #në #ndihmë #Vuçiçit #edhe #një #herë #tjetër

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button