SPAK në kushtet e grushtit të shtetit, duhet të ndërhyjë Kushtetuesja! Ja pse nuk qëndron akuza ndaj Veliajt … –

Analisti Ilir Kulla e ka cilësuar vendimin e SPAK për të arrestuar një kryetar bashkie të ngjashëm me atë të një grushti shteti. Kulla deklaroi ae akuza e SPAK ndaj Veliajt se ka emëruar një zv/ ministre në kushtet e konfliktit të interesit nuk qëndron, pasi ajo është e drejtë e Këshillit të Ministrave dhe jo e një ministri.
Ai tha në “Zonë e Lirë” se ndodhemi përballë një përplasjeje të fortë kushtetuese, e cila mund të çojë në një krizë institucionale të paprecedentë.
“Akuza është bërë për Erion Veliajn, por emërimin e zv.ministres nuk e bën Erion Veliaj. Këtu jemi në një pikë që ka një përplasje të fortë kushtetuese, që s’ka ndodhur ndonjëherë. Jemi deri në limitet e përplasjes që mund të çojë deri në përplasje që mund të konsiderohet në thonjëza dhe “grusht shteti”. Gjyqtari ka dhënë autorizimin për procedim për arrest për kryetarin e bashkisë dhe për bashkëshorten, duke thënë që konflikti i interesit që ka krijuar kryetari i bashkisë, atëhere ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale para 10 vjetësh, është që bashkëshorten e njërit nga këta biznesmenët me të cilët ai ka pasur marrëdhënie miqësie, e ka bërë zv.ministre të ministrisë së vet. Çështja është që nuk e merr Erion Veliaj në punë. Zv/ministrat i emëron këshilli i ministrave dhe kryeministri. Unë kam qenë kryetari i kulteve dhe kam patur të njëjtin status me zv.ministrin dhe kam qenë emërtesë e drejtpërdrejtë e kryeministrit dhe jam emëruar nga Fatos Nano. Jam shkarkuar nga Sali Berisha” deklaroi Kulla.
Në këtë kontekst, Kulla theksoi se situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur një përshkallëzim të përplasjes institucionale.
“Normalisht këtu duhet të ndërhyjë Gjykata Kushtetuese dhe të thotë ku është limiti i njërit dhe i tjetrit. Një gjykatë në vend, aq më tepër Gjykata e Posaçme e cila i thotë, në këtë rast kryetarit të Këshillit të Ministrave i thotë që ti ke bërë një emërim, e çon deri në vepër penale ai në akuzën që bën, një emërim në përplasje me interesa, ndërkohë që kjo është një e drejtë ekskluzive kushtetuese e kryetarit të Këshillit të Ministrave dhe Këshillit të Ministrave, është e shkruar e zezë mbi të bardhë. Në këto raste çfarë ndodh, në këto raste normalisht Këshilli i Ministrave duhet të shkojë ta marri dokumentin që është dhe të shkojë në Gjykatë Kushtetuese dhe të thotë, të lutem interpretoje një çikë. Se në qoftë se këta e kanë bërë një herë, do ta bëjnë edhe herë të tjera sepse kjo është një e drejtë ekskluzive e Këshillit të Ministrave”, theksoi Kulla.
#SPAK #në #kushtet #grushtit #të #shtetit #duhet #të #ndërhyjë #Kushtetuesja #pse #nuk #qëndron #akuza #ndaj #Veliajt
Java News