Microsoft po mundohet të modernizojë akoma më tepër sistemin operativ përmes Windows 12

Microsoft po punon sërisht për të krijuar një version modern të Windows, dhe në vitin 2024 raportohet se kompania do të prezantojë versionin e ri të Windows 12. Një gjë e tillë është tentuar dhe më parë nga Microsoft nëpërmjet Windows 10X që më pas nuk u finalizua si projekt.
Zac Bowden nga Windows Central raporton se iniciativa e re është titulluar nga punonjësit CorePC, dhe qëllimi është krijimi i një sistemi operativ nga i cili do të përfitojnë kompjuterat e formateve të ndryshme. Në këtë përpjekje projekti CorePC është i pajisur me të gjitha shërbimet e mundshme të Windows, të cilat ndahen më pas në një dizajn modular që i përshtatet llojeve të ndryshme të pajisjeve.

Njëri prej këtyre versioneve mendohet të jetë dhe një rival i ChromeOS që do të përdorë Edge, aplikacionet për Android, aplikacionet e Microsoft Office, si dhe do të jetë 60-75% më i vogël se Windows 11 SE. duhet të kujtojmë se Windows 11 SE është një version që ka kërkesa të ulëta për sistemin dhe është i fokusuar tek edukimi.
Gjithashtu Microsoft po tenton të rikrijojë suksesin që Apple pati pas krijimit të proçesorëve të saj, për të bërë një integrim më të mirë midis hardware-it dhe software-it, duke rritur performancën dhe efiçiencën e këtyre pajisjeve.

Aspekti i fundit që përmendet në raportim është dhe ai i inteligjencës artificiale. Kjo teknologji do të jetë shumë e rëndësishme në Windows 12, dhe nuk është aspak një surprizë, duke konsideruar investimet e mëdha të kompanisë në këtë drejtim si dhe integrimin në Bing apo aplikacionet e tjera të Microsoft.