ZYRTARE/ Lojtari shqiptar vendos rekord me transferimin e tij, 21-vjeçari do të luajë në Rumani

Tashmë është zyrtare. Drilon Hazrollaj është transferuar në radhët e FC Rapid 1923. Futbollisti shqiptar ka vendosur rekord në kampionatin e Kosovës, duke qenë transferimi më i shtrenjtë në histori. Klubi rumun ka paguar një shifër prej 900 mijë eurosh për të blerë kartonin e 21-vjeçarit të talentuar. Malisheva ka njoftuar opinionin sportiv përmes faqes së saj zyrtare në “Facebook” se Hazrollaj do të luajë në Superligën e Kosovës deri më 17 qershor, e më pas do të udhëtojë drejt Rumanisë për të veshur fanellën e Rapidit.
“Kompletojmë marrëveshjen për transferimin e Drilon Hazrollajt në FC Rapid 1923. Njoftojmë opinion publik se lojtari jonë më i mirë është transferuar në Rapid të Rumanisë, për një shifër rekord në futbollin e Kosovës, duke e bërë atë lojtarin më të shtrenjtë që ka kaluar ndonjëherë nga klubet kosovare!
Ndonëse Driloni do të bëjë hapin e madh drejt një karriere ndërkombëtare, ai do të mbetet me FC Malishevën deri në përfundim të sezonit, duke dhënë kontributin e tij të çmuar në skuadër, deri më 17 qershor, kur ai do t’i bashkohet skuadrës së re në Rumani.
Kjo është një arritje jo vetëm për Drilonin, por edhe për klubin tonë, që ka besuar dhe investuar në zhvillimin e tij, e të talentëve tjerë dhe rritjen e mundësive për të shkuar në nivele të larta.Ky transferim është një dëshmi e angazhimit të klubit tonë për të përmbushur vizionin e tij: të zhvillojmë lojtarët e rinj dhe të krijojmë talente që kanë synim arenen ndërkombëtare.
Ne besojmë se ky është vetëm fillimi i një rrugëtimi të shkëlqyeshëm për futbollistët tanë dhe do të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për të krijuar mundësi për futbollistët e rinjë, të mbështesim dhe shndërrojmë ëndrrat e tyre në realitet. Ky është vetëm fillimi – së bashku do të arrijmë shumë më tepër! Suksese Drilon në kapitullin e ri!”, ka njoftuar klubi Malisheva./Sport Ekspres/
#ZYRTARE #Lojtari #shqiptar #vendos #rekord #transferimin #tij #21vjeçari #të #luajë #në #Rumani
SportExpress