Berisha prezanton programin e PD: Do ngrihet bord për monitorimin e kursit të këmbimit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim në biznesin e fasonerisë në Durrës, ku ka prezantuar një pjesë të programit të kësaj force politike, e të koalicionit të krijuar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore”.
Berisha u shpreh se kur të vijë në qeverisje, nëse fiton zgjedhjet e 11 majit, do të ndërtojë një bord të veçantë për të monitoruar luhatjen e kursit të këmbimit. Ai premtoi se përmes këtij bordi, do të kompensojë çdo sipërmarrës, i cili është ndikuar nga rënia e kursit të këmbimit, sidomos për euron. Berisha sqaroi se rënia me 35% e kursit të këmbimit euros është shkatërrimtare për biznesin, pasi eksporti bëhet përmes monedhës evropiane dhe ndikon kështu në sipërmarrje. Në këtë mënyrë, ish-kryeministri vendos e një herë në theks se programi i PD-së, i ka kushtuar zë prodhimit vendas, pra “Made in Albania”.
“Këto zgjedhje janë para të gjithash për ekonominë, ekonominë. Ne kemi përcaktuar Made in Albania si krenari kombëtare e do bëjmë gjithçka të mbështesim prodhimin shqiptar. Të bëjmë gjithçka për suksesin e sipërmarrësit shqiptarë. Të lehtësojmë në maksimum barrën fiskale, të mbrojmë eksportet. Ju jeni një sipërmarrje eksporti. Unë kuptoj vështirësinë që ju shkakton narko-euro. Ata sjellin kontejnerë dhe vagona me eurot e drogës dhe rrëzojnë përtokë euron në Shqipëri. I shndërrojnë në kullat e drogës dhe korrupsionit, kurse sipërmarrjet shkojnë drejt falimentimit dhe falimentojnë me shumicë. Qeveria do kompensojë çdo qindarkë të kursit të euros për të gjithë eksportuesit, gjë e cila i bën ata të punojnë në kushte më të qeta, më të sigurta. Të kesh një rënie të euros në 35 % sa ç’është rënia, është pothuajse shkatërrimtare pasi këto janë sipërmarrje që kanë të bëjnë me euron dhe shkëmbimi bëhet me euron. Në këtë kontekst, një bord i veçantë do ngrihet për të monitoruar lëkundjet e kursit dhe për të kompensuar për çdo sipërmarrës, gjersa ne me gërshërët e ligjit t’ia presim rrugën dyndjes së kokainës dhe parave të kokainës, për të cilat ekonomia shqiptare nuk ka nevojë. Ekonomia shqiptare ka nevojë për prodhim, prodhim, prodhim. Prodhimi në Shqipëri po bie çdo vit. Ka një rënie të dhimbshme sepse shoqërohet me humbjet e vendeve të punës të burrave dhe grave që detyrohen të marrin mërgimin si alternativë të vetme për të mbijetuar.”, tha Berisha.
Sakaq, Berisha premtoi se energjia elektrike do të ketë një çmim të ulët me vlerë prej 6 lekë. Një ulje e tillë sipas kryedemokratit do të fuqizojë biznesin shqiptar.
“Gjithashtu unë jam sot këtu për t’u zotuar para jush, energjia elektrike do paguhet me 6 lekë. Shqipëria do ketë çmimin më të lirë të energjisë në Evropë për biznesin. Ne e kemi pasur, nuk është se po bëjmë diçka të re. Do ta rikthejmë përsëri fuqishëm në mënyrë që t’i japim hapësirë më të madhe investimeve, por edhe të lehtësojmë biznesin.”, u shpreh Berisha.
Më tej, kreu i PD-së shtoi se programi i tij i ekonomisë përmban taksën prej 10%, duke e konsideruar një taksë të tillë të drejtë e të moralshëm.
“Natyrisht sistemi më i ulët i taksave është zotimi ynë. Taksa 10 % është taksa më e lashtë. Në Bibël dhe Kuran është taksa 10 % më e drejta. Nuk duhet të synosh t’i marrësh tjetrit më shumë se 10% taksën. Ka një moral njerëzor dhe ne i përmbahemi atij morali. Ne jemi të bindur se ajo është taksa më e drejtë. Gjithçka që është e drejtë, funksionon shumë më mirë. Kur e vendosëm taksën e sheshtë në vitin 2005, ne na thanë se do e pësoni nga kjo gjë, do t’u falimentojnë financat. Mirë, u thamë ne FMN-së, ju rrini e shihni si po ecën dhe ne po e bëjmë. Ne e bëmë dhe në fund të 6 muajve, në arkën e shtetit, në buxhet erdhën 300 milionë euro më shumë se sa kishin ardhur me taksat e larta. Pra, taksa e drejtë funksionon shumë më mirë. Lehtëson biznesin, ia lë paratë në konto biznesit dhe biznesi i përdor ato për të investuar, për të rritur rrogat, për të përmirësuar kushtet e punës. Në këtë aspekt ne do krijojmë lehtësira të mëdha fiskale për biznesin.”, përmbylli Berisha.
#Berisha #prezanton #programin #ngrihet #bord #për #monitorimin #kursit #të #këmbimit
Java News