Lufta e tarifave, Bashkimi Europian kërcënon SHBA me kundërmasa të forta

Lufta e tarifave po hyn në një fazë të re. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi qartë Shtetet e Bashkuara për një reagim të furishëm me kundërmasa shkatërruese nëse do të konsiderohen të nevojshme.
Duke folur në Parlamentin Europian, ajo konfirmoi unitetin në veprim, pavarësisht se theksoi nevojën për t’i zgjidhur problemet me dialog dhe jo tarifa.
“Përgjigja jonë e menjëhershme ndaj tarifave është uniteti dhe vendosmëria. Unë kam qenë tashmë në kontakt me krerët tanë të shteteve dhe qeverive për hapat e ardhshëm. Ne e kemi këtë debat parlamentar tani këtu sot. Dhe ne do t’i vlerësojmë nesër njoftimet me shumë kujdes për të kalibruar përgjigjen tonë. Objektivi ynë është një zgjidhje e negociuar. Por sigurisht, nëse është e nevojshme, ne do të mbrojmë interesat dhe kompanitë tona. Europa nuk e ka nisur këtë konfrontim. Ne nuk duam domosdoshmërisht të hakmerremi. Por nëse është e nevojshme, ne kemi një plan të fortë për t’u kundërpërgjigjur dhe do ta përdorim atë”, tha Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian.
Von der Leyen theksoi edhe njëherë se europa nuk e filloi këtë luftë tregtare, duke e quajtur të gabuar. Presidentja nënvizoi se tarifat vetëm do të rrisin inflacionin, gjë e cila është e kundërta e asaj që bota po kërkon të arrijë aktualisht, dhe kryesorja do të dëmtojë qytetarët amerikanë.
“Strategjia jonë është e ndërtuar në 3 shtylla. Së pari, jemi të hapur për negociata. Ne do t’i qasemi këtyre negociatave nga një pozicion fuqie. Europa ka shumë karta, nga tregtia te teknologjia e deri te madhësia e tregut tonë. Por kjo forcë bazohet edhe në gatishmërinë tonë për të marrë kundërmasa të forta nëse është e nevojshme. Të gjitha instrumentet janë në tryezë”, tha Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian.
Më tej përmendi dhe fuqinë e tregut të përbashkët të Bashkimit Europian, duke e konsideruar atë si më të madhin në botë dhe një mjet të fuqishëm për rritje dhe mbrojtje të interesave e vlerave të përbashkëta. Reagimi i von der Leyen vjen pasi presidenti amerikan ka paralajmëruar tarifa ndaj BE-së dhe ndaj atyre vendeve që prodhojnë automjete, me synimin siç thotë Donald Trump, “për t’i dhënë fund praktikave të pabarabarta”.
#Lufta #tarifave #Bashkimi #Europian #kërcënon #SHBA #kundërmasa #të #forta
Java News