Aktualitet

Pushkin dhe marrëdhëniet Ruso-Shqiptare gjatë Iluminizmit dhe Barokut Rus

Përgatiti Eljanos Kasaj*

Dokumentimet e para të kontakteve midis shqiptarëve dhe Rusisë datojnë aty nga fillimi i shekullit XVIII, gjatë shpërnguljes (ose zhvendosjes) së parë të shqiptarëve ose siç njiheshin ndryshe, arnautëve në Perandorinë Ruse.

Kjo vale e parë emigrantëve do të ishin shqiptarët katolikë që u larguan nga Kosova pas luftës austriako-osmane të viteve 1737-1739, e cila qe mbështetur prej fshatrave serbë, shqiptarë dhe malazesë. Por, pas thyerjes së ushtrive austriake dhe nënshkrimit të paqes me 18 shtator 1739, shumë prej këtyre serbëve dhe shqiptarëve ndoqën pas ushtrinë austriake, duke ditur se çfarë do ti priste prej hakmarrjes të osmanëve. Ata u vendosën fillimisht nga austriakët në Vojvodinë, por prej andej, rreth 500 familje u shpërngulën për në Rusi. Shqiptarët u vendosën në të ashtuquajturat rajoni “Serbia e Re/Новая Сербия/ Нова Србија” që ndodhet në Ukrainën e sotme. Aty shqiptarët themeluan fshatrat e tyre dhe gradualisht, ata hoqën dorë nga katolicizmi dhe u asimiluan nga popullsia vendase ruse dhe kozake. Prania e tyre kujtohet tani vetëm nga emrat e shumë fshatrave në rrënjë e të cilëve është fjala “Arnaut”.

Do të duhej të pritej mesi i shekullit XVIII për vendosjen lidhjeve politike midis Himarës dhe Rusisë, kur në Këshillin e Himarës, në tetor 1759 u vendos të pranohet protektorati i Rusisë dhe të dërgohen përfaqësues në oborrin Rus për bisedime. Drejtuesit e bashkësisë himariote përgatitën edhe një mesazh për Careshën Elisabeta Petrovna (të bijën e Pjetrit të Madh), ku shprehej gëzimi për fitoret e armëve ruse në Luftën shtatë vjeçare dhe shpresa, se së shpejti “këto arme fitimtare” do i shpëtojnë popujt e shtypur ortodokse të Ballkanit nga zgjedha osmane. Me 1760, kapiteni Spiro Bixhili, në emër të Këshillit të Himarës, i dorëzoj ambasadorit ruse në Perandorinë Osmane, Aleksej Mihajloviç Obreskov (1718-1787), një letër ku shprehej besnikëria e popullit të Himarës për perandorinë Ruse dhe gatishmëria për të rreshtuar nën flamujt perandorakë rusë 1-2 regjimente të himariotëve ortodoksë.

Bashkë me malësorët ortodokse të Shqipërisë së Jugut, shqiptarët katolikë në veri të vendit i bënë me dije qeverise së Carit se në rast të një lufte Ruso-Osmane, ata “mund t’i shkaktojnë armikut diversion të konsiderueshëm”. Kështu thuhej në peticionin që në mars të vitit 1762 i dorëzoi car Pjetrit III në Petërburg pjesëtari i një familje të njohur shkodrane J. Suma.

Por në të dy rastet, Petërburgu nuk e quajti të nevojshëm të futet në një aventurë ushtarake në kohe paqeje, në të njëjtën kohë intrigat e Oborrit Perandorak do të kulmonin me coup d’état të Korrikut 1762, i cili do të rrëzonte nga pushteti car Pjetrin III dhe do të sillte në fronin rus careshën Katerinjë II.

Situata do të ndryshonte dramatikisht, kur më 1768 Perandoria Osmane me përkrahjen e Francës dhe Austrisë rinisi luftën kundër Perandorisë Ruse (1768-1774). Në këtë kohë Caresha Katerina II ndërmori një operacion shumë të guximshëm: dërgimin e flotës se Baltikut në Mesdhe nën komandën e komandantit të përgjithshëm të Flotës ruse Aleksej Grigorieviç Orllov (1737-1807/1808), dhe e ndihmuar prej britanikëve që e lejuan të ankorohej në Portsmuth (Portsmooth), mbërritja e saj në Ballkan tregoj se reformat e Pjetrit të Madh kishin filluar të kishin efekt dhe eksperienca në Luftën 7-vjeçare (1756-1763) dhe Luftrat për Trashëgiminë e Austrisë (1741-1743/1748) kishte provuar se Rusia dispononte tashmë një ushtri moderne, e cila ishte tashmë në nivelin e atyre evropiane (prusiane, suedeze, austriake, etj). Ndërkaq shumë himariotë iu përgjigjen thirrjes së komandantit Orllov, për të hyrë në shërbimin ushtarak rus dhe luftuan me trimëri krah me krah me ushtarët rusë, duke fituar  lëvdata dhe admirim prej gjeneralëve rusë. Disa syresh, pas mbarimit të luftës dhe nënshkrimit të paqes së Kyçyk-Kajnarxhasë më 21 korrrik 1774, u shpërngulën në Krime bashkë me familjet e tyre, duke shënjuar kështu valën e dytë të emigrimit të shqiptarëve në Perandorinë Ruse.

Pikërisht këta luftëtarë do të bëheshin bërthama e “batalionit shqiptar/ Алба́нские войска” ose “Batalionit të Ballakllavijas/ Батальон Балаклавы” të Armatës perandorake Ruse(!)-e themeluar në vitin 1769 nga konti Aleksej Grigorieviç Orllov, trimfatori i Betejës detare të Çezmës (prej nga kishtë marrë dhe llagapin Orllov-Çesmenskij) nga grekët e Moresë dhe shqiptarët himariotë që shërbenin në marinën ruse. Pas vitit 1774 batalioni u vendos në provincën Jekaterinosllav, por Careshë Katerina II nuk e harroi besnikërinë e treguar prej luftëtarëve shqiptarë së cilëve iu ndanë toka në afërsi të Kerçit dhe Jenikales, fortesat e të cilave qenë nën komandën e tyre. Më 3 gusht 1779, batalioni u riemërua në emrin “Batalioni Grek”, por emri “Batalioni Shqiptar i Ballakllavias” vijoj gjithashtu të përdorej.

Në total, njësitë shqiptare që ishin pjesë e Armatës perandorake Ruse, morën pjesë në të gjitha luftërat ruso-turke të gjysmës së dytë të shekullit XVIII, duke u dalluar në luftërat e viteve 1768-1774, 1787-1792, 1806-1812, si dhe në luftën e Krimesë (1853-185). Në vitin 1859 batalioni u shpërbë dhe trupat që shërbenin në të u bënë pjesë e njësive ushtarake rajonale ose garnizonëve në kryeqendrat e gubernave.

Në 1787, Katerina II filloi një turne inspektimi në Taurida (aneksimin e të cilës ajo e kishte dekretuar me 1783), të njohur ndryshe si i famshmi “Udhëtim në Krime”, i cili zgjati nga janari deri në korrik. Në turne ishin të ftuar përfaqësues diplomatikë të Anglisë, Francës, Mbreti i Polonisë Stanislav Poniatovski dhe Perandori i Austrisë Josef II. Qëllimi i turneut ishte të tregonte aftësitë ekonomike dhe ushtarake të Rusisë dhe territoreve të reja të fituara pas luftëra kundër Perandorisë Osmane. Me këtë rast, Grigori Aleksandroviç Potjemkin (1739-1791), i cili ishte dhe organizatori i këtij turneu, u frymëzua për të formuar një njësi ushtarake të grave, si një rishfaqje e Amazonave mitike. Me urdhër të komandantit K. Zaponis dhe mikut të tij P. Sarantis (Sarantov), ​​u rekrutuan rreth njëqind gra dhe vajza të ushtarëve shqiptare dhe grek, të cilët formuan një “batalion Amazonash” të drejtuar nga Elena Ivanovna Sarantova(1755-1849), gruaja e Joannis Sarantis. Ky i fundit ishte mik i Potjemkinit dhe më vonë u emërua këshilltar në gjykatën e Krimesë. Gratë iu nënshtruan stërvitjes intensive ushtarake në kalërim, pengesa dhe qitje. Më 24 maj 1787, “Batalioni i Amazonës” takoi Katerinën në fshatin Kadikoj(Kadikoy), mbi kalë, me uniforma shumëngjyrëshe të qëndisura me ar, të armatosura me pushkë me tyta të gjata dhe me pendë në kokë, ndërsa fytyrat e tyre “rrezatonin një hir të papërshkueshëm”! Spektakli i bëri përshtypje vizitorëve të huaj, Jozefi II shprehu kënaqësinë e tij për vizitën në kampin e batalionit, ndërsa diplomatë të tjerë e vunë re si pjesë e ngjarjeve spektakolare të organizuara nga Potjemkin për t’i bërë përshtypje Katerinës dhe të ftuarve të huaj. Elena Sarantovës iu dha grada e kapitenit (ajo do të qe gruaja e pare ruse që do të mbante një gradë të tillë) dhe një byzylyk diamanti. Batalionit iu dha 10.000 rubla. “Amazonat” shoqëruan Katerinën gjatë gjithë turneut dhe “u zhdukën” pas përfundimit të tij.

Porta, e poshtëruar nga këto manifestime pompoze dhe e shqetësuar nga përkrahja e Rusisë për lëvizjet e mëdha anti-osmane në Ballkan, vendosi që të rifillonte luftën kundër Perandorisë Ruse(1787-1791),e përkrahur nga Anglia dhe Prusia, të cilat e shikonin me frikë këtë zbritje të Rusisë drejt Jugut,

Operacionet ushtarake në Ballkan u gjallëruan në vitin 1788, ku serishmi shumë himariotë u rreshtuan me luftëtaret e flotës vullnetare që vepronte në Mesdhe kundër osmanëve nën komandën e oficerit të shërbimit rus Llambros Kaconis (1752-1805). Një pjesë e madhe e këtyre ushtarëve dhe detarëve pas nënshkrimit të paqes së Jashit më janar 1792 u vendosën në Rusi, pranë qytetit-port të sapo-themeluar të Odesës. Kësaj periudhe i përkasin emrat e rrugëve të Odesës “Arnautë e Madhe/Большая Арнаутская” dhe “Arnautë e Vogël/ Малая Арнаутская” dhe fshati “Arnautovka/ Арнаутовка” (tani Aleksandrovka) afër Odesës. Në këtë kohë divizionët e Odesës dhe batalionet e Odesës u formuan kryesisht nga luftëtarët shqiptarë.

Në kufirin e shekullit XVIII-XIX lidhjet ruse-shqiptare vazhduan të zgjerohen. Gjatë ekspeditës së admiralëve Fjodor Fjodoroviç Ushakov(1745-1817) dhe Dmitri Nikolajeviç Semjavin (1763-1831) në Detin Mesdhe dhe qëndrimit të trupave ruse në ishujt e Jonit, shumë shqiptarë luftuan nën flamujt perandorakë rusë kundër atyre të Direktoratit francez. Është dokumentuar se gjatë rrethimit të Korfuzit (1798-1799) morën pjesë afër 4500 luftëtarë shqiptarë. Ndërsa qindra shqiptarë shërbyen me besnikëri në “Legjionet e pushkatarëve të lehtë”, të krijuar me 1805 nga komanda ruse në ishujt e Jonit, të cilët në bazë të Traktatit të Amienit(Amiens) të qershorit të vitit 1802 do të krijonin një “Republike të pavarur” nën protektoratin e Perandorisë Ruse.

Besnikëria, trimëria dhe rregullsia e këtyre trupave fitoj një popullaritet të madh në Armatën Perandorake Ruse, duke fituar admirimin e monarkëve dhe gjeneralëve të lartë rusë, por dhe atë të inteligjencës ruse, siç do të ishte rasti i shkrimtarit të njohur romantik Aleksandër Sergejeviç Pushkin (1799-1837), i cili i pa dhe njohu nga afër shqiptarët gjatë periudhës së ekzilit të tij në qytetin e Kishinjevit në Besarabi (kryeqyteti i Moldavisë së sotme) prej qeverisë cariste së car Nikolajit I. Përshtypjet e poetit të madh rus i gjejmë në tregimin “Krxhalli” –të botuar në Rusi në vitin 1834 dhe të përkthyer një shqip prej shkrimtarit të njohur Mitrush Kuteli (1907-1967), i cili jep edhe përshkrimin e parë në letërsinë ruse të shqiptarëve dhe së bashku me vargjet e poemës “Child Harold” të poetit britanik Xhorxh Gordon Llojd Bajron(1788-1824) ose Lord Bajron, shënjon hyrjen e figurës së popullit shqiptar në letërsinë romantike evropiane.

*Fakulteti i Shkencave Politike. Universiteti i Wroclaw (Uniwersytet Wrocławski), Poloni

 

 

 

#Pushkin #dhe #marrëdhëniet #RusoShqiptare #gjatë #Iluminizmit #dhe #Barokut #Rus
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button