Aktualitet

Zgjedhjet/ Pëllumbi: Objektivi i PS mandati i katërt, kemi BE në krah! Jupi: PS-PD janë bashkë, të ikin

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit po afrojnë, por cili është projeksioni elektoral për fituesit e mundshëm.

A do e marrë Edi Rama dhe PS mandatin e katërt, apo PD do rikthehet për herë të tretë në pushtet me kryetarin e saj “non grata” në SHBA-Britani dhe i akuzuar nga SPAK për dosjen e aferës “Partizani”? A do e çajnë dot forcat e reja bipolaritetin politik PD-PS për të sjellë ndryshimin apo do ketë status-quo politike.

Të ftuar në ‘5 Pyetje nga Babaramo’ në Report Tv ishin deputeti i PS, Arben Pëllumbi, që kandidon përsëri për PS më 11 maj, kandidati Akil Kraja i PD, kandidatja e Koalicionit Euroatlantik, Taulanda Jupi, dhe kreu i lëvizjes ‘Bashkë’, Arlind Qori.

“Të gjitha Kodet Elektorale kanë avantazhe dhe disavantazhe, nuk ka të mirë e të keq. Për shkak të vendimit të Kushtetueses u desh të merrej një vendim në Parlament dhe tani jemi përballë këtij kodi. Objektivi i PS është të marrë mandatin e katërt, pavarësisht se vjen nga tre mandate dhe nuk është edhe aq e lehtë. Askush nuk ka lindur në politikë apo vdes në politikë, vjen një ditë që edhe mund të largohesh. Momenti në të cilin ndodhet Shqipëria është që të japim të gjithë kontributin tonë për fitoren, edhe për shkak të integrimit dhe projektit të BE. Kjo do jetë votë për Shqipërinë drejt integrimit europian, pasi është moment historik. Vota përcakton se cili është i besueshëm, deri tnai PS ka qenë më e besueshme. PD përfaqësohet nga një personazh prej 35 vitesh, që lidhet edhe me histori të shëmtuara. Populli shqiptar nuk ka gabuar asnjëherë me votën e tij. Këtë herë kemi edhe BE-në në krah, pa atë s’e bënim dot”, tha deputeti socialist Pëllumbi.

Ndryshe mendon përfaqësuesi i PD, Akil Kraja.

“Gazmend Bardhi nuk ka qenë pro Sali Berishës, ai ka qenë kundër tij, por ja që tani është pjesë e jona në PD. Realiteti aktual tregon përfshirjen e qeverisë në skandale korrupsioni. Duhet respektuar prezumimi i pafajësisë për të gjithë, edhe për socialistët, po përse nuk u bë për Berishën dhe Salianjin. Pra mungon demokracia dhe barazia”, tha ai.

Përfaqësuesja e Koalicionit Euroatlantik, Taulanta Jupi mendon se ka nevojë për një rotacion politik pas tre dekadash, duke denoncuar dyshen Rama-Berisha që “natën bëjnë marrëveshje dhe ditën bëjnë sikur zihen”, por i votojnë.

“A do kemi rotacion për hir të rotacionin apo ndryshim thelbësor dhe ndryshim politik, konfigurim të ri në skenën politike shqiptare, me dy persona si Rama-Berisha që natën bëjnë marrëveshje dhe ditën grinden. Ata bashkuan votat për interesin e tyre, duke zgjedhur listat e mbyllura apo çështjen e herësit. Deputeti që duam i PS dhe Primaret e PD ishin thjesht makijazh. Shqiptarët duhet të kenë mundësi zgjedhjeje dhe përfaqësimi në Parlament”, u shpreh ajo.

Kurse kreu i lëvizjes “Bashkë”, Arlind Qori mendon se Shqipëria ka ndryshuar dhe shqiptarët besojnë se këtë herë mund të realizohet rënia e sistemit dhe bipolaritetit politik PS-PD.

Ai tha se nëse do zgjidhej deputet në Parlament, nuk do të ishte më kryetar i partisë, por do e kalonte stafetën.

“Shqipëria ka ndryshuar. Nevoja dhe besimi se sistemi duhet thyer i bipolarizmit të PD-PS duhet thyer dhe për herë të parë pas 16 vitesh mund të ndodhë vërtetë, besimi është më i lartë se shumë vite më parë. Nëse do të zgjidhem deputet në zgjedhjet e 11 majit, kryetari i partisë “Bashkë” nuk do të jem unë, por do të jetë Redi Muçi. Ashtu siç e kam thënë edhe më parë, edhe kur kandidova për kryebashkiak të Tiranës dhe i qëndroj. Kryetari duhet të jetë shembulli i marrjes së përgjegjësive jo i përfitimeve, ai që vrapon më shumë se të tjerët dhe jep shembullin. Nëse qytetarët shqiptarë marrin pjesë masivisht në zgjedhje, sistemi politik aktual do të thyehet”, deklaroi Qori.

#Zgjedhjet #Pëllumbi #Objektivi #mandati #katërt #kemi #në #krah #Jupi #PSPD #janë #bashkë #të #ikin
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button