Aktualitet

“Berisha në krye të organizatës me 12 kriminelë”, Shote dhe Vjollca Haklaj: Ja provat që e impikojnë në vrasje kreun e PD

Prej vitesh drejtësia që ishte nën kontrollin e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe miqve të tij Fatos Nano, Ilir Metaj e Edi Rama, grumbullonte provat e çdo vrasjeje tropojani, por asnjëherë nuk e thirri Sali Berishën as si të akuzuar. Me krijimin e SPAK nën patronazhin e ndërkombëtarëve, u hap për herë të parë një dosje ndaj Sali Berishës pas kallëzimit të Aishe Haklajt, shoqëruar me 14 orë deklarime me data, vende, skenarë, kurthe, emra vrasësish e viktimash, bashkëpunëtorësh dhe emër urdhëruesi, financuesi e mbrojtësi, të vrasësve të vëllezërve të saj e të tjerëve.

Hetimet vazhdojnë dhe pozitat e Sali Berishës dhe besnikëve të tij në atë kohë mund të tronditen pasi është depozituar një kallëzim i ri penal nga Shote Haklaj dhe Vjollca Haklaj, të përfaqësuara nga avokati Idajet Beqiri, ndaj ish-Presidentit dhe deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe disa personave të tjerë. Kallëzimi penal paraqet një sërë provash, dokumentesh dhe materialesh filmike që sipas palës kallëzuese vërtetojnë përgjegjësinë ligjore të të akuzuarve. Ato lidhen me vrasjen e tre shtetasve të së njëjtës familje: Sokol Haklaj, Elez Haklaj dhe Cen Haklaj.

12 të kallëzuarit bashkë me Sali Berishën në krye

Të kallëzuarit në SPAK nga Shote Haklaj dhe Vjollca Haklaj janë: Sali Berisha, Sokol Mulosmani, Miftar Lumneshi, Rasim Lumneshi, Besim Hajdarmata, Zef Lleshi, Agim Vuka, Fufi (Mamuras), Haki Halil Hoxha, Sokol Zmaji Hoxha, Elez Imer Kuliçi, Riza Banush Metalija dhe Hamdi Shaqir Çelaku. Sipas kallëzimit penal që disponon gazeta “SOT”, personat e sipërm akuzohen për vepra penale të rënda si: “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal. “Organizatë kriminale”, neni 333 i Kodit Penal. “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar penal”, neni 334 i Kodit Penal.

“Shpërdorimi i detyrës”, neni 248 i Kodit Penal “Korrupsioni pasiv i prokurorit”. “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, neni 301 i Kodit Penal. “Përkrahja e autorit të krimit”, neni 302 i Kodit Penal. Referuar fakteve të paraqitura, kallëzuesit argumentojnë se, për motive hakmarrëse politike dhe private, të kallëzuarit janë përgjegjës për vrasjen e tre familjarëve të viktimave: Elez Haklaj, Sokol Haklaj dhe Cen Haklaj. Si rrjedhojë, ata kanë mbledhur prova të mjaftueshme për të depozituar këtë kallëzim penal dhe kërkojnë ndërhyrjen e organeve kompetente për vënien në vend të drejtësisë.

Çfarë kërkojnë familjarët e viktimave?

Familjarët e viktimave Sokol Haklaj, Elez Haklaj dhe Cen Haklaj akuzojnë drejtpërdrejtë Sali Berishën si krijuesin e organizatës kriminale që ka bërë ekzekutimin e 3 pjestarve të familjes së tyre për hakmarrje primitive pse nuk e ndoqën pas këtë agjent të Serbisë dhe të futjes së Shqipërisë dhe të shqiptarëve në vrasjet zinxhirë që ka bërë posaçërisht ndaj Familjes “Haklaj” “Emrat e 3 kriminelëve që kanë qenë në makinën nga ku janë qëlluar Elez Haklaj dhe Cen Haklaj, emrin e personit të kërcënuar tek Lloçi i Kolgecajve, emrin e personit me të cilin kanë folur pas varrezave të Margegajve këta kriminel, si dhe emrin e personit të organizatës kriminale nga Dragobia, në shtepinë e të cilit kanë fjetur atë natë pas dy vrasjeve të kryera, grupi kriminal, familjarët e viktimave do t’i paraqesin para jush, Zoti Drejtues i SPAK, por me kushtin e tyre që domosdoshmërisht të jetë i pranishëm kur të jepen deklarimet Avokati Idajet Beqiri, të cilin e kanë pajisur me Prokurën e Përgjithshme nr.160 rep/51 kol, datë 24.01.2025. Vlerësojmë dhe ju kërkojmë të regjistrohet procedimi penal dhe të kryhen hetimet përkatëse për ekzekutimin nga organizata kriminale e udhëhequr nga Sali Berisha të Sokol Haklaj e Brahim Rrustemi në Urën e Milotit dhe të Elez Haklaj e Cen Haklaj të ekzekutuar në qytetin e Bajram Currit”, thuhet në kallëzimin që ka shkuar në SPAK.

Ja çfarë shkruhet në dosjen që ndodhet në tryezën e SPAK

“Familja e Elez Haklaj jetonte në qytetin Bajram Curri. Më 21 qershor 1997, në mëngjes, në Bajram Curri ndodhi një tentativë vrasjeje me armë-zjarri ndaj Rizait Rrustemi, i cili mbeti i plagosur rëndë. Riza ishte vëllai i Brahim Rrustemit, shoku më i ngushtë i Sokol Haklaj, i cili është vëllai i dy viktimave që përfaqësoj dhe mbroj unë, Av. Idajet Beqiri. Pas plagosjes së Rizait, Agim Rrustemi, vëllai i tij, shkoi dhe e takoi Sokol Haklaj, i cili ishte vëllai i viktimave të përmendura dhe njëkohësisht shoku i ngushtë i Brahim Rrustemit. Agimi i kërkoi Sokolit që të shkonte në Tiranë për t’i dhënë lajmin Brahimit dhe t’i çonte atij vëllain që kishte mbetur i plagosur rëndë në spitalin e qytetit. Brahim Rrustemi ishte gardist në Gardën e Republikës dhe jetonte në Tiranë.

Sokol Haklaj pranoi menjëherë kërkesën e Agimit dhe u nis për në Tiranë, por para se të nisej, shkoi tek xhaxhai i tij, Muharrem Isuf Haklaj, në fshatin Haklaj, për t’i treguar për situatën dhe për t’i thënë Shkelzen Haklaj, vëllait të tij, që po udhëtonte në Tiranë për të marrë dhe sjellë Brahimin. Shkelzeni kishte shkuar të flinte atë natë tek xhaxhai Muharrem, prandaj Sokol e informoi për udhëtimin që do të bënte. Fatmir Haklaj, djali i Muharremit dhe kushëriri i parë i Sokol Haklaj, kur mori vesh që Sokol do të udhëtonte në Tiranë, vendosi ta shoqëronte për t’u siguruar që Sokol të mos udhëtonte vetëm. Sokol, Fatmir dhe Agron Gjyriqi, kushëriri i Fatmirit, u nisën drejt Tiranës. Ata arritën atje dhe shkuan tek shtëpia e Brahim Rrustemit. Aty gjetën bashkëshorten e Brahimit, e cila u tha se ai ishte në punë në Gardën e Republikës dhe se do të kthehej pas orarit të shërbimit. Ata qëndruan në Tiranë derisa Brahimi ktheu nga shërbimi.

Më 22 qershor 1997, Sali Berisha do të zhvillonte një miting në Bajram Curri për të prezantuar kandidatin e PD-së për zgjedhjet e vitit 1997. Për këtë udhëtim, Sali Berisha do të shoqërohej nga tre makina të Gardës së Republikës dhe një numër të konsiderueshëm gardistësh, për shkak të sigurisë së tij, duke qenë se vendi ndodhej në kaos dhe destabilitet, me gjendjen e luftës që po sundonte në atë kohë. Njëkohësisht, njerëzit e Sali Berishës, veçanërisht ish-punonjësit e SHIK të Bashkim Gazidedes, mbanin nën mbikëqyrje të plotë familjen Haklaj dhe ata që konsideroheshin “armiq” të tij, duke ndjekur me kujdes çdo lëvizje të tyre. Për pasojë, udhëtimi i Sokol Haklaj, Fatmir Haklaj dhe Agron Gjyriqi nga Bajram Curri në Tiranë u raportua menjëherë tek Sali Berisha, megjithatë qëllimi i këtij udhëtimi nuk ishte i njohur për ata që e ndjekin. Sokol Haklaj, Fatmir Haklaj dhe Agron Gjyriqi qëndruan në Tiranë deri në orarin e kthimit të Brahim Rrustemit. Kur ai mbërriti në shtëpi, ata e informuan për plagosjen e Rizait dhe i thënë se po përmbushnin amanetin e tij për ta çuar në spital vëllain e tij të plagosur, Brahim Rrustemin.

Siç e përmendëm më parë, Brahim Rrustemi ishte gardist në Gardën e Republikës dhe më 21 qershor 1997, ai do të ishte pjesë e autokolonës së gardës që do të nisej rreth orës 21:15 nga Tirana, me drejtimin për në Bajram Curri, për të garantuar sigurinë e mitingut të Sali Berishës, të nesërmen, më 22 qershor. Autokolona përfshinte dy makina të Gardës dhe një “Fuori-stradë”. Mirëpo, kur Brahimi mori vesh që Sokol, Fatmir dhe Agron kishin ardhur për të marrë lajmin e përshkruar dhe për ta çuar atë në spital, ai u përgatit dhe u nis për Bajram Curri me ta rreth orës 23:00. Rreth dy orë më parë, një autokolonë me dy makina të Gardës dhe një Fuori-stradë ishin nisur nga Tirana në drejtim të Milotit dhe Tropojës. Aksi i rrugës që do të ndiqnin ishte Tiranë, Milot, Rubik, Shpal dhe Tropojë. Fatmir Haklaj ishte në timon të makinës, me Brahim Rrustemi në vendin e parë, Agron Gjyriqi pas tij dhe Sokol Haklaj pas Brahimit.

Sapo kaluan urën e Milotit (një nga urat më të njohura, e quajtur edhe “Ura e Zogut”), rreth orës 01:00 të 22 qershorit 1997, makina e tyre u qëllua me breshëri plumbash automatike për disa sekonda. Një grup prej katër ose pesë kriminelësh i kishte organizuar pritën. Fatmir Haklaj ndali menjëherë makinën dhe doli jashtë saj, ndërsa Brahim Rrustemi nuk lëvizi nga vendi. Kur kontrolluan, gjetën se Brahimi kishte vdekur brenda në makinë nga plumbat. Sokol Haklaj gjithashtu ishte plagosur nga armët automatike. Agron Gjyriqi, i cili ishte në gjumë në makinë, u zgjua dhe u përball me situatën. Fatmir, i përkulur dhe me qetësi, mundohej të kuptonte nga vinte zhurma e plumbave. Pas disa sekondash, zjarri u ndal dhe një nga kriminelët doli nga prita dhe iu afrua makinës nga ana e Brahimit, duke konstatuar se ai ishte i vdekur.

Pastaj, krimineli iu afrua makinës nga pas dhe pa parë Agron Gjyriqin, iu drejtua duke i thënë: “Mos lëviz!” Në këtë moment, Fatmir Haklaj, i cili kishte një armë pistoletë, qëlloi kriminelin, duke e lënë të vrarë. Agron Gjyriqi doli nga makina dhe u bashkua me Fatmir Haklaj. Pas disa sekondash, një nga kriminelët filloi të thërriste me emrin “Agim” dhe iu drejtua dy ose tre herë. Krimineli Agim Vuka kishte mbetur i vrarë nga plumbat e pistoletës së Fatmir Haklaj. Pas kësaj, katër kriminelët e tjerë filluan të qëllonin pa pushim me breshëri automatike mbi makinën ku ndodheshin Sokol, Fatmir, Brahim dhe Agron, me qëllimin që të gjithë të vdisnin. Fakti që në makinë u gjetën 157 plumba të dalë nga armët e tyre e vërteton këtë qëllim. Pas disa shkëmbimeve me armë, kriminelët u larguan me shpejtësi në drejtim të Milotit. Bilanci i kësaj prite ishte: Brahim Rrustemi i vdekur, Sokol Haklaj i plagosur rëndë, një prej kriminelëve i vrarë, ndërsa Fatmir Haklaj dhe Agron Gjyriqi shpëtuan të padëmtuar.

Pasi makina ishte dëmtuar rëndë dhe nuk mund të lëvizte, Fatmir Haklaj e mori Sokol Haklajn, i cili ishte plagosur rëndë, në shpinë dhe së bashku me Agron Gjuriqin që i ruante, u nisën për në Milot. Pasi kishin kaluar një distancë të shkurtër nga vendi i aksidentit, 4 kriminelët, të cilët ishin larguar më parë, rifilluan të qëllonin me breshëri automatiku në drejtim të tyre. Në këtë moment, Fatmiri e kaloi Sokolin nga shpinë te Agroni dhe iu përgjigj kriminelëve me breshëri. Pas kësaj, zjarri nga kriminelët u ndal. Fatmiri dhe Agroni e mbajtën Sokolin e plagosur gjatë gjithë rrugës, ndërsa, para se të arrinin në Milot, u ndalën tek një shtëpi e parë që takuan, duke kërkuar ndihmë, por pa përgjigje. Ata vazhduan rrugën dhe në një moment u ndeshën me një autokolonë të Gardës së Republikës, e cila përbëhej nga dy automjete transporti dhe një foristradë, të mbushur me ushtarë të Gardës dhe disa vullnetarë civilë, të komanduar nga Sokol Mulosmani, komandant i Gardës në atë kohë. Fatmiri i informoi ata për ngjarjen, për pritën e kriminelëve, për Brahim Rrustemin që ishte vrarë dhe për Sokolin që ishte plagosur rëndë.

Sokol Mulosmani i vuri në dispozicion foristradën dhe kështu Fatmiri dhe Agroni e dërguan Sokolin në Spitalin e Laçit, ku pas pak minutash ai vdiq. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të theksojmë se ky grup i Gardës, siç ishte planifikuar, ishte nisur për në Tropojë për të siguruar mitingun e Sali Berishës. Përveç komandantit Sokol Mulosmani, në këtë autokolonë kishte edhe gardistë dhe vullnetarë nga Tropoja, përfshirë edhe vëllain e kriminelit të vrarë, Agim Vukën, i cili ishte gardist në Gardën e Republikës. Në këtë moment të ngjarjes, komanda e Gardës, megjithëse kishte informacion për grupin e kriminelëve dhe kishte armë të Gardës, nuk ndërmori asnjë masë për të ndjekur ata, as për të kryer një krehje të zonës. Ata nuk njoftuan as strukturat e tjera të policisë, por vazhduan misionin e tyre për të “pastruar” rrugën për kalimin e Sali Berishës në mitingun e Bajram Currit. Një fakt tjetër që është i rëndësishëm është që Sali Berisha, sapo mori lajmin për ardhjen e Fatmir Haklaj dhe grupit të tij në Tiranë, e kuptoi këtë si një përpjekje për të realizuar një prite kundër tij dhe për ta eliminua atë gjatë rrugës për në Bajram Curri.

Berisha gaboi në vlerësimin e tij, duke menduar se shkaku i kthimit të Fatmirit dhe grupit ishte për ta eliminuar në një prite, duke mos kuptuar se ishte një ndihmë që Fatmiri po jepte për të shpëtuar Sokol Haklajn dhe të tjerët. Në vijim, disa prova të tjera të rëndësishme që vërtetojnë organizimin e pritës nga ana e Sali Berishës përfshijnë: Sokol Mulosmani, komandant i Gardës, pohon se misioni ishte të sigurohej mitingu i Berishës në Bajram Curri. Megjithatë, gjatë mitingut të datës 22 qershor 1997, nuk kishte asnjë gardist, as Sokol Mulosmani. Nëse ata do të ishin aty, do të kishin ndërhyrë dhe do ta kishin ruajtur mitingun, por ata nuk u shfaqën. Kjo tregon se misioni i tyre ishte pjesë e një operacioni të organizuar për të realizuar pritën në Urën e Milotit dhe për të ekzekutuar Fatmir Haklajn dhe të tjerët. Ndërsa autokolona e Gardës u nis nga Tirana, Fatmiri dhe grupi i tij ishin dy orë pas tyre, dhe megjithatë, ata u ndeshën me ta shumë më vonë në Milot, që krijon dyshime mbi qëllimin e vërtetë të autokolonës, e cila mund të kishte pasur detyra të tjera, përfshirë trajtimin e trupave të vrarë dhe largimin e provave.

Pas ngjarjes, Elez Haklaj, babai i Sokolit, mori iniciativën për të hetuar rreth kriminelëve të përfshirë në këtë prite. Ai mësoi se Agim Vuka, i vrarë gjatë përleshjes, ishte vëllai i gruas së Zef Lleshit, një person me një të kaluar kriminale dhe një njeri i besuar i Sali Berishës. Sipas hetimeve të tij, Zef Lleshi dhe të tjerë ishin përfshirë në planifikimin e pritës. Në një moment, Elez Haklaj shkoj në Prokurorinë e Lezhës për të kërkuar informacione, por atij iu tha se hetimi ishte mbyllur për shkak të mungesës së provave, edhe pse ai ofroi informacione konkrete që mund të kishin ndihmuar në zbardhjen e ngjarjes. Pas shumë përpjekjeve për të marrë drejtësi, Elez Haklaj zbuloi gjithashtu se Zef Lleshi ishte pjesë e grupit kriminal të Sali Berishës dhe kishte marrë pjesë në realizimin e pritës që çoi në vdekjen e Sokolit dhe Brahim Rrustemit. Pas vrasjes së tij dhe mikut të tij, Fufi, nga policia gjatë një operacioni, Elez Haklaj vazhdoi përpjekjet e tij për të zbuluar të vërtetën, por gjithçka u mbyll nga Prokuroria. Në fund, Sali Berisha përballoi protestat dhe zemërimin e popullit të Tropojës, duke bërë që mitingu i tij të përfundonte në kaos, ndërsa Fatmir Haklaj dhe të tjerët u përballën me veprime të tilla që shkelën çdo kod moral, ligjor dhe tradicional shqiptar.

Autokolona e Sali Berishës, e shoqëruar nga gardistët e Gardës së Republikës, u nis nga Tirana në orën 21:15. Një fakt tjetër shumë i rëndësishëm që kontribuon në hetimin objektiv të kësaj çështjeje dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave që morën pjesë në organizatën kriminale, të udhëhequr, frymëzuar, nxitur dhe urdhëruar nga Sali Berisha për të vrarë Fatmir Haklajn dhe 3 persona të tjerë, është një ngjarje që ndodhi disa muaj para 22 qershorit 1997 në Bajram Curri. Atje, një incident verbal pati ndodhur mes Sokol Mulosmanit, Fatmir Haklaj dhe Sokol Haklaj. Mulosmani kishte ardhur në Bajram Curri, i shoqëruar nga ushtarë të Gardës së Republikës, dhe kërkonte djem dhe burra vullnetarë të Malsisë, që, sipas tij, i therriste Sali Berisha për të mbrojtur Atdheun nga “Jugu komunist,” që po tentonte të ndahej nga Shqipëria dhe bashkimin me Greqinë. Përkundër kërkesës së Mulosmanit, ndërhyrja e Fatmir Haklajt, Elez Haklajt dhe Sokol Haklajt, si dhe e tre burrave të moshuar dhe të respektuar të Malsisë, e bëri që ky qëndrim të dështonte dhe Mulosmani të kthehej bosh në Tiranë.

Fatmir Haklaj e quajti këtë veprim si një tradhti ndaj Malsisë dhe Shqipërisë, duke i thënë Mulosmanit se po shërbente për interesat e Greqisë dhe Serbisë, dhe jo të Shqipërisë. Ky dështim i turpshëm bëri që Sali Berisha të kthehej në armik të Familjes Haklaj dhe të vendoste t’i gjakoste ata, veçanërisht Fatmir Haklajn. Një fakt tjetër që mbështet këtë akuzë është që, në vitet e mëvonshme, Sali Berisha ka bërë pohime në intervista dhe media që dëshmojnë urrejtjen e tij ndaj Familjes Haklaj dhe ndaj individëve të saj, duke përfshirë edhe pohimet që ai ka dhënë se vrasjet e Sokol Haklaj dhe të katër kushërinjve të tij janë organizuar dhe komanduar nga ai personalisht. Ai ka deklaruar, në një intervistë në TVVizion Plus, se “Haklajt më dolën përpara kur po shkoja për në Tropojë dhe unë vazhdova rrugën përpara”, duke e konfirmuar se kishte dijeni dhe ishte pjesë e këtij plani të dhunshëm. Në intervista të tjera, ai ka folur me cinizëm dhe urrejtje për Familjen Haklaj, duke i akuzuar ata për vrasje dhe “krime të mëdha”, dhe duke i quajtur terroristë dhe bandë plaçkitëse.

Në rastin e Milotit, ku u vranë Sokoli dhe Brahimi, qëllimi i vrasësve ishte qartësisht vrasja e Fatmir Haklajt, dhe mënyra e realizimit të këtij atentati – me breshëri armësh automatike mbi një makinë civile në lëvizje, pa asnjë paralajmërim dhe pa dallim – tregon se qëllimi i tyre final ishte eliminimi i të gjithë atyre që ndodheshin në makinë, jo vetëm Fatmir Haklaj. Ky akt konsiderohet një atentat terrorist, pasi u krye në mënyrë të tillë që çdo pasagjer i rastësishëm mund të ishte viktimë. Gardisti që ishte nën komandën e Sokol Mulosmanit, vëllai i kriminelit të vrarë Agim Vuka, u pajis me pasaportë diplomatike nga Sali Berisha dhe tani jeton në Australi. Një tjetër ngjarje e rëndësishme është vrasja e Elez Haklajt dhe Cen Haklajt në 8 maj 2002, afër shtëpisë së tyre në Bajram Curri, nga të njëjtët ekzekutorë të lidhur me organizatën kriminale të Sali Berishës. Vrasësit qëlluan mbi ta ndërsa ata ishin në lëvizje dhe më pas dogjën makinën. Ky krim tregon qartë lidhjen e drejtpërdrejtë të Sali Berishës me veprimet e kësaj organizate kriminale.

Vrasësit, pas kryerjes së krimit, u larguan nga qyteti dhe, duke kaluar përmes fshatit Klysyrë, dogjën makinën dhe vazhduan rrugën drejt fshatit Dragobi. Ata u ndalën për një kohë të shkurtër për të komunikuar me një tjetër person, i cili ishte pjesë e grupit të organizatës kriminale. Ky person u bë dëshmitar i ngjarjeve dhe u kërcënua me jetë nga kriminelët për të mos folur për atë që kishte parë. Ky dëshmitar më vonë, nga frika e madhe, iku në SHBA, ku jetoi për disa vite, dhe tani është kthyer në Shqipëri. Për më tepër, prokuroria e Rrethit Tropojë, nën presion të fortë dhe kërcënime serioze për eliminim fizik nga organizata kriminale e komanduar nga Sali Berisha, ka dështuar të japë drejtësi për këto vrasje. Pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në këto vrasje ishin Miftar Lumneshi dhe Rasim Lumeshi, të cilët kanë marrë pjesë në krime si ekzekutorë dhe financues të kësaj organizate kriminale. Në pranverën e vitit 2006, Ajshe Haklaj, vajza e Muharrem Haklaj, shkoi në zyrën e Prokurorit të Rrethit Tropojë, Besim Hajdarmataj, për të kërkuar informacion në lidhje me hetimet për vrasjen e xhaxhait të saj, Elez Haklaj, dhe djalit të tij Cen Haklaj. Mirëpo, Prokurori Hajdarmataj e trajtoi atë keq, duke i treguar se ai ishte mbrojtësi i organizatës kriminale, dhe jo një përfaqësues i drejtësisë”, thuhet ndër të tjera në kallëzimin penal që ka shkuar në SPAK.

Gazeta Sot

#Berisha #në #krye #të #organizatës #kriminelë #Shote #dhe #Vjollca #Haklaj #provat #që #impikojnë #në #vrasje #kreun
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button