Rrjedhja e informacioneve sekrete nga SHBA, Vance kundër sulmeve në Jemen: Ndihmojnë Europën

Shtëpia e Bardhë konfirmoi skandalin, ku kryeredaktori i revistës “The Atlantic”, Jeffrey Goldberg u fut gabimisht në një grup sekret me zyrtarë të lartë të administratës amerikane në aplikacionin Sinjal, ku diskutohej për planet e bombardimeve në Jemen që para nisjes së tyre më 15 Mars.
Skandalin e bëri publik vetë Goldberg të hënën ku publikoi disa prej mesazheve të shkëmbyera nga zyrtarët më të lartë të administratës Trump mbi planet e këtij sulmi.
E teksa skandali tregoi se sa me lehtësi mund të rrjedhin informacionet sekrete brenda administratës amerikane, vëmendje tërhoqi qëndrimi i shprehur në këtë bisedë i zv/presidentit James David Vance, i cili është kundër vendimit të presidentit Donald Trump për nisjen e sulmeve.
“Pete Hegseth, nëse mendon se duhet ta bëjmë, le të vazhdojmë. Unë e urrej që të ndihmojmë sërish Europën”, tha James David Vance, zv/president i SHBA.
Edhe Sekretari i Mbrojtjes e mbështet.
“Ndaj plotësisht me ju neverinë për një ngarkesë pa pagesë për europianët. Është patetike”, tha Pete Hegseth, Sekretar i Mbrojtjes i SHBA-së.
Para gazetarëve, Hegseth akuzoi gazetarin që publikoi mesazhet sekrete për mashtrim dhe se i kishte nxjerrë fjalët nga konteksti.
Bombardimet ndaj grupit ekstremist Jemenit, Huthi synojnë të shtojnë sigurinë e transportit detar tregtar në Detin e Kuq, ku europianët kryejnë 40% të aktivitetit tregtar, ndërsa amerikanët, vetëm 3%.
#Rrjedhja #informacioneve #sekrete #nga #SHBA #Vance #kundër #sulmeve #në #Jemen #Ndihmojnë #Europën
Java News