Aktualitet

Nuk përmbyset historia e Kosovës dhe e askujt me lobistë

Nga Fitim Zekthi

Djali i presidentit Donald Trump tha se ShBA e sulmoi Serbinë për shkak të nevojës së presidentit Klinton për të mbuluar skandalin e çështjes Levinsky. Siç dihet ne pranverë të vitit 1999 NATO nën komandën e SHBA nisi sulmet ndaj regjimit kriminal të Serbisë e cila kishte kryer masakrën e Reçakut, kishte përzenë mbi 1,5 milionë shqiptarë nga Kosova dhe kishte kryer krime të përbindshme vazhdimisht.

Kur analizohen ngjarjet ndërkombëtare analiza merr në konsideratë, ose duhet të marrë në konsideratë, tre nivele; Individin, shtetin, sistemin. Pra, duhet të merren në analizë lideret e NATO-s veçanërisht presidentin Klinton, shtetet e NATO-s, veçanërisht SHBA (por edhe Britani, Gjermani, Francë etj), sistemin ndërkombëtar pra vlerat e politikës së rendit nderkombëtar dhe të aktorëve. Djali i presidenetit Trump duket që as e kishte menduar ndonjëherë se do të duhej një analizë e tilë tri nivelëshe për të folur për një çështje të tillë kaq delikate dhe komplikuar sa ndërhyrja ushtarake e NATO-s në Serbi.

Eric Laurent një historian francez shkruan në librin e tij “Geurre du Kosovo” se presidenti Klinton ishte shumë i zënë me çështjen Levinsky dhe gati të gjithë pokitikën e jashtme amerikane për Kosovën e drejtonte Madelene Albright. Kishte një rol gjithashtu edhe sekretari i Pentagonit William Kohen (republikan). Gjithçka për Kosovën vendosej nga këta të dy sidomos nga Albright. Presidenti Klinton i besonte ata plotësisht. Madelene Albright ishte një politikane që ishte e ndikuar në një mënyrë të jashtëzakonshme nga krimet dhe genocidet sepse ajo vetë dhe familja e saj ishin rritur duke përjetuar tmerret e krimeve naziste. Familja e saj ishte larguar nga Çekosllovakia pasi Gjermania e pushtetoi atë.

Studiuesi Daniel Server thotë se vendimi për të sulmuar Serbinë është marrë pas analizash shumë të gjata në Këshillin e Sigurisë kombëtare. Sandy Beger kryetar i Këshillit të Sigurisë ishte në një linjë me sekretaren Albright dhe sekretarin Kohen për të sulmuar Serbinë si të vetmen zgjidhje. Albright i kishte thënë presidentit prej kohësh që Millosheviç ka mendësi totalitare dhe është njeri gjenocidal. Ai ka kryer krime dhe do bëjë në Kosovë atë që bëri në Bosnje. Këshilli i Sigurisë, gjeneralët përcaktuan piketat dhe planet.

Edwqard Lutwak, drejtues i Qendrës per Studime Strategjike ka thënë që vendimi ishte dicka e pritshme dhe e arsyeshme. SHBA, NATO, presidenti Klinton, kryeministri Blair, sekretarja Albright nuk do ta lejonin kurrë Serbinë të bënte genocid dhe të zbrazte Kosovën. Ishte çështje kohe. Ambassadori William Walker ishte ai qe i vuri kapakun me dëshminë nga Reçaku. Kishte kohë që planifikohej sulmi ndaj Serbisë. Nuk do kishim më një Jugosllavi ku Serbia millosheviçiane ishte problemi themelor i trazirës në Ballkan. Dijetarë, studies apo gazetarë, diplomatë apo politikanë gjatë gjithë këtyre viteve kanë thënë pak a shumë të njëjtën gjë. Kanë thënë që NATO dhe SHBA e sulmuan Serbinë për shkak të krimeve që ajo po bënte dhe për shkak të krimeve edhe më të rënda që mund të bënte. Një Bosnje e dytë nuk mund të lejohej. Do të ishte një rrënim i plotë i legjitimitetit të NATO-s të moralit politk dhe të legjitimitetit politik të vendeve të Europës dhe të SHBA. Shtetet kanë nevojë për legjitimitet politik, sigurisht edhe moral. Është në interesin e shteteve që të synojnë vazhdimisht legjitimimin e tyre dhe të interesit të tyre. Nuk është çështje dashurie apo mosdashurie është çështje e interest të shtetit, është çështje e interesit të pushteteve politike në secilin prej shtet. SHBA-ja, Anglia, Franca, Gjermania, Spanja, Italia etj, duke sulmuar Serbinë fitonin kedibilitet moral dhe politik në hapësirat e tyre. Drejtuesit politikë dhe qeveritë mbanin në këmbë narrativat e tyre 60 vjeçare të politikës dhe vlerave që mbronin. Këto shtete gjithashtu dobësonin një aleat të mundshëm të Rusisë e cila në një kohë të dytë (si sot) mund të përdorte më shumë një Serbi më të madhe dhe më të fortë. Kishte një kombinim të përsosur të moralit, të legjitimiteteit politik dhe juridik, të legjitimitetit të narrativës dhe të interesave gjeostrategjike. Pra lufta e Kosovës do të bëhej patjetër dhe nuk varej fare nga çështje si Levinsky. Studiusit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se ka raste kur kushdo që të jetë në krye do të bëjë të njëjtën gjë. Joseph Nye dhe Daviud Welch thonë se kushdo do ta sulmonte Afganistanin pas sulmeve të 11 shtatorit qoftë ky Bush apo Al Gore, kushdo do ta sulmonte japoninë pas sulmit në Pearl Harbour qoftë ky Roosvelt apo Alf Landon (kundërshtari republikan në zgjedhjet e 1936), kushdo do ta përkrahte Berlinin perëndimor me ndihma të pandërprera nga ajri pas bllokadës sovjetike qoftë ky Truman, Eisenhauer, Stivenson apo Dewi.

Sa i takon nivelit të tretë, asaj të sistemit duhet thënë se tërë sistemi ndërkombëtar, vlerat e OKB-së, vlerat e NATO-s, garancitë e sigurisë që duhet të ofronte NATO, narrativa e gjithë botës perëndimore, e gjithë konfigurimit kulturor të botës perëndimore e cila ishte turpëruar në Bosnjë me Srebrenicën dhe e kishte sulmuar Serbinë bash për Srebrenicën (ndonëse me vonesë) nuk do të lejonte Serbinë të sillej siç donte por do ta sulmonte atë.

Pra, nuk hyn fare Lewinsnky. Për mendjet e paqeta, delirante, të mangëta analiza e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk sheh asgjë përtej nivelit individual. Ato nuk pranojnë dot që ka arsye shteti, që ka arsye sistemi, që ka vlera shteti, që ka vlera sistemi. Djali i presidentit Trump mund ta mbrojë Serbinë, Vuçiç-in, krimet e serbëve por historinë nuk e ndryshon dot. Ai mund të mendojë se marrëdhëniet ndërkombëtare kanë vetëm një nivel analize, atë të individit. Ai mund të mendojë se një vendim varet vetëm nga individi që drejton dhe jo nga interesi dhe vlerat e shtetit, jo nga vlerat e pesha e sistemit. Ai mund të reduktojë gjithçka në një çështje individi por kjo është vetëm një gjë qesharake. As diktaturat më të forta nuk vendosin kështu. Edhe në një vend diktatorial vendimet merren duke vlerësuar interesin dhe peshën e shtetit, interesin dhe vlerat e shtetit dhe të sistemit.
Trump junior mund të mos dojë t’ia dijë fare se sa krime ka kryer Serbia dhe se sa shumë është masakruar Kosova por nuk e mohon dot të vertetën që çoi në sulmet ndaj Serbisë.

#Nuk #përmbyset #historia #Kosovës #dhe #askujt #lobistë
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button