Dallgët deri në 3.5 metër dhe era e fortë, në Vlorë lundrimi pezullohet edhe për 24 orë

Situata hidro-meterologjike në Vlorë ishte parashikuar që të përmirësohej duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit të kësaj të marte. Kohë kjo kur mjetet e vogla lundruese si dhe mjetet e peshkimit do të lejoheshin të dilnin në det. Ishte parashikuar fillimisht që pas mëngjesit të kësaj të marte të kishte një përmirësim të kushteve, por parashikimet në vijimësi treguan krejtësisht të kundërtën.
Moti i përkeqësuar, me reshje shiu dhe erë të fortë bregdetare bëri që pezullimi i lundrimit detar për këto mjete të shtyhej.
Sipas informacioneve, shkak për pezullimin e lundrimit është bërë era me shpejtësi 35-40 metër për sekondë. Shpejtësi e erës e cila edhe në brendësi të qytetit të Vlorës shkon deri në 25 metër për sekondë. Pikërisht era bregdetare e cila ka prekur prej ditësh qytetin, shkakton në det të hapur dallgë deri në 3.5 metra në det të hapur ndërsa në gji deri në 2 metër duke e bërë të pamundur lundrimin detar.
Era bregdetare me drejtim jug-juglindje, bënë që forca e detit të shkojë deri në 8 ballë në det të hapur dhe 6 ballë në gji duke e patur të pamundur këto mjete lundrimin.
Mësohet se trageti i linjës me Brindisin i është kthyer udhëtimeve në destinacionin me Italinë në normalitet. Për shkak se në krahasim me të hënën, ka një përmirësim të lehtë të kushteve hidro-meterologjike me forcë deti deri në 8 ballë çka mund ta përballojë ky traget. Por për shkak të motit, është vonuar disa orë më tepër për të mbërritur në Vlorë seç e ka të parashikuar në orarin zyrtar.
Sipas kapitenerisë së portit detar të Vlorës, pezullimi i lundrimit detar është shtyrë me 24 orë. Pritet që mëngjesin e së mërkurës të ketë një ulje të intensitetit të erës, duke ulur forcën e detit dhe duke bërë që këto mjete të dalin në lundrim.
#Dallgët #deri #në #metër #dhe #era #fortë #në #Vlorë #lundrimi #pezullohet #edhe #për #orë
Java News