“Me kthimin e Brojës, jemi gati më shumë se kurrë”! Nedim Bajrami flet para ndeshjes me Anglinë

Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami ishin sot në konferencën për shtyp në “Shtëpinë e Futbollit”, ku folën për përgatitjet e skuadrës për dy ndeshjet e para në kualifikueset e Kupës së Botës ndaj Anglisë dhe Andorrës.
Nedim Bajrami tha se Anglia është një kundërshtar me shumë cilësi, por theksoi se ekipi është i përqendruar dhe po përgatitet mirë për këtë sfidë. Ai shtoi se është gati dhe do të japë maksimumin në çdo pozicion ku e vendos trajneri.
A jeni gati për duelin me Anglinë? – 6 muajt e parë i fillova mirë te Rangers, pastaj kohët e fundit nuk kam pasur shumë minuta, por kjo është pjesë e futbollit. Jam gjithmonë gati dhe nuk kam humbur asnjë stërvitje.
Ku e ndjen veten më mirë Bajrami, ku ka mundësi më shumë për të luajtur? – Që ka trafik në futboll është normale. Konkurenca është e madhe, kështu që çdo futbollist jep maksimumin në stërvitje dhe trajneri do të vendosë. Në krah dhe mesfushë, unë e ndjej veten mirë. Jam gati ku të më vendosë Silvinjo për të dhënë maksimumin në ndeshje.
4 vite më parë keni luajtur me Anglinë, çfarë do të jetë ndryshe këtë herë? – Po, ajo ndeshje që kemi bërë me Anglinë ka kaluar. Tashmë është një sfidë tjetër. Duhet të përgatisim ndeshjen shumë mirë sepse e dimë se çfarë kundërshtari është. E dimë se çfarë kualiteti kanë. Të gjithë djemtë janë gati dhe Silvinjo do ta përgatisë ndeshjen shumë mirë.
Eleminuat Mourinhon në Europa League, a ju ka motivuar kjo? – Besoj se po, sepse ishte një fitore e madhe të eliminosh Mourinhon dhe Fenerbahçen. Më ka dhënë një vetëbesim dhe me këtë kam ardhur në Kombëtare. Jam gati të ndihmoj skuadrën në fushë dhe jashtë fushe ku ka nevojë.
Sa gati është Shqipëria për të përballuar Anglinë? – Kampionati skocez është shumë fizik. Anglia luan shumë fort, të gjithë çunat janë gati. Me rikthimin e Brojës, jemi më shumë se kurrë gati.
UEFA ka ripostuar golin tuaj të shënuar me Italinë në Euro 2024, mendon se mund të vendosësh një tjetër rekord me Anglinë? – Rekordi është rekord. Të shikojmë çfarë do të bëjmë me Anglinë. Do të jetë një ndeshje ndryshe. Unë do të jap maksimumin. Të gjithë çunat janë gati për ndeshjen me ta.
Nga Liga e Kombeve te kualifikueset e Kupës së Botës, çfarë ka ndryshuar? – Çdo kompeticion është i ndryshëm. Tashmë luajmë për kualifikueset e Botërorit. I gjithë fokusi është këtu. Çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë kemi bërë keq duhet të mësojmë për të ecur përpara.
#kthimin #Brojës #jemi #gati #më #shumë #kurrë #Nedim #Bajrami #flet #para #ndeshjes #Anglinë
SportExpress