Aktualitet

Plumba drejt kompanisë farmaceutike, hetohen konfliktet e pronarit

“Një kompani farmaceutike e ndodhur në rrugën dytësore të autostradës Tiranë-Durrës është qëlluar me breshëri automatiku nga persona ende të paidentifikuar. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë është zbuluar se autorët kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një automjet në lëvizje”.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 2 të mëngjesit, por policia është njoftuar 6 orë me vonesë, kur në godinë kanë shkuar punonjësit e administratës që kanë parë shenjat e plumbave në fasadën e xhamtë. Drejt godinës mësohet se është qëlluar të paktën me 30 plumba, por fatmirësisht pa të lënduar në njerëz, duke shkaktuar vetëm dëme materiale, shkruan A2 CNN.

Në momentin e të shtënave, në kabinë ndodhej vetëm roja e sigurisë. I marrë në pyetje nga policia, ai ka pohuar se ka dëgjuar zhurma dhe kur ka dalë nga kabina nuk ka konstatuar gjë, dhe për këtë arsye nuk ka lajmëruar forcat e rendit. Në pyetje është marrë edhe pronari i kompanisë farmaceutike, i cili ka mohuar të ketë konflikte me njeri.

Hetuesit kanë ngritur dyshimet se sulmi me armë drejt godinës mund të jetë një mesazh kërcënues për pronarin e kompanisë, si dhe janë duke u hetuar konfliktet e mundshme që ai mund të ketë me persona të tjerë. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë ka rezultuar se automjeti i autorëve pas ngjarjes lëviz në drejtim të zonës së Kasharit, ku janë duke u këqyrur një sërë pamjesh të bizneseve përgjatë zonës, që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.

#Plumba #drejt #kompanisë #farmaceutike #hetohen #konfliktet #pronarit
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button