Si Inzaghi, shumë i fortë

Kristjan Asllani dhe Nedim Bajrami ishin sot në konferencën për shtyp në “Shtëpinë e Futbollit”, ku folën për përgatitjet e skuadrës për dy ndeshjet e para në kualifikueset e Kupës së Botës ndaj Anglisë dhe Andorrës.
Asllani tha se atmosfera brenda ekipit është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë të fokusuar, ndërsa theksoi se Shqipëria do të japë maksimumin ndaj Anglisë për një rezultat pozitiv.
Në fund, ai i bëri thirrje tifozëve të mbështesin skuadrën dhe të mbushin shkallët e stadiumit në “Arenën Kombëtare” për ndeshjen ndaj Andorrës.
Me Interin në Botërorin e Klubeve në Amerikë, sa i sigurtë je që do shkosh vitin tjetër në Botërorin e vërtetë me Kombëtaren? – Këtu jemi për Kombëtaren, kemi një grup të vështirë, e dimë. Tani po stërvitemi dhe jemi gati për ndeshjen e parë.
Me Interin keni luajtur 2 herë kundër ekipeve angleze. Cili është sekreti për t’i ndalur? – Janë një skuadër shumë e fortë, skuadër fizike dhe shumë teknike. Lojtarët e tyre i njohim shumë mirë. Besoj se nuk duhet të mendojmë shumë, por të luajmë me shpirt e zemër. Të mos shkojmë atje si turistë se gjithmonë kur hyjmë në fushë, futemi për fitore. E dimë që është e vështirë, por do të punojmë edhe këto 2-3 ditë dhe do shkojmë aty me shumë shpirt.
Ku ndryshon Inzagi nga Silvinjo? – Janë dy trajnerë shumë të fortë, dinë ta mbajnë mirë grupin. Nuk ka shumë diferenca, jam i lumtur që i kam të dy.
Çfarë presim nga Asllani? – Nuk e di çfarë prisni nga Asllani. Mendoj për ekipin, nuk jam këtu për të luajtur vetëm për veten time. Jemi një grup, një skuadër. Në kombëtare duhet të luajmë të gjithë së bashku. Kemi një ndeshje të vështirë. Po punojmë këto ditë, dje erdhëm. Kemi edhe dy ditë për të punuar, fokusi është te ndeshja me Anglinë.
Mesfusha e Anglisë? – Mesfusha e Anglisë është shumë e fortë. Gjithë skuadra angleze është shumë e fortë. Do jetë ndeshje e vështirë. Do të luajmë si ekip, me shpirt dhe zemër siç kemi luajtur.
Të kënaqur me një barazim? – Ndeshja fillon 0-0. Nuk i dihet, ne do të punojmë. Dhe nëse marrim një pikë do të jetë shumë mirë. Në fushë do të futemi vetëm për fitore.
E keni përgatitur skenarin se si ta frenoni Anglinë? – Nuk isha në Kombëtare në ndeshjen ndaj Anglisë katër vite më parë. Ne do të hyjmë në fushë dhe do të luftojmë që nga minuta e parë. E dimë që do na sulmojnë se kanë lojtarë shumë të shpejtë. Do të luajmë siç kemi luajtur në ndeshjet para Europianit.
Atmosfera në skuadër? – Ekipi ka shumë harmoni dhe skuadra është e fokusuar. Të gjithë duan të shkojnë në Botëror, do të jetë e vështirë.
Mesazh për tifozët për mbështetje? – I presim tifozët, na duhen. I falënderoj tifozët që kanë ardhur në Europian, të gjithë kanë folur për këtë gjë. Shpresoj të na mbështesin edhe në ndeshjen me Andorrën sepse kemi nevojë.
#Inzaghi #shumë #fortë
SportExpress