Të akuzuarit për spiunazh nuk e pranojnë fajësinë, Muharrem Qerimi e pranon vetëm atë për armëmbajtje pa leje

Asnjëri nga të dyshuarit për spiunazh Besdri Shabani e Muharrem Qerimi nuk e kanë pranuar fajësinë.
Dy kosovarët që akuzohen për spiunazh, në seancën e sotme kanë mohuar çdo akuzë që rëndon mbi ta.
“Plotësisht jam i pafajshëm”, deklaroi Shabani.
Kurse, i akuzuari Qerimi e pranoi fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.
“Nuk e pranoj për veprën penale të spiunazhit, e për armëmbajtje pa leje e pranoj fajësinë”, tha ai.
Prokurorja Fikrije Fejzullahu kërkoi që pranimi i fajësisë për veprën e armëmbajtjes pa leje t’i aprovohet Qerimit.
“Sepse është në përputhje me dispozitat procedurale pasi që nga fillimi ka pasur mbrojtje dhe mjaftueshëm është konsultu dhe se është në përputhje të plotë edhe me provat materiale”, tha prokurorja.
Edhe mbrojtësi i Qerimit, avokati Betim Shala tha se pajtohen me pranimin e fajësisë për armëmbajtje pa leje nga Qerimi pasi bazohet në provat materiale në shkresat e lëndës dhe bëhet pas konsultimit praprak.
Kështu, avokati i propozoi Gjykatës që t’i aprovohet pranimi i fajësisë Qerimit.
Bedri Shabani akuzohet se ka ndihmuar Agjencinë e inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë që njihet si BIA, në formën e mbledhjes dhe dërgimit të informacioneve, dokumenteve dhe materialeve që ndërlidhen me UÇK-në përfshirë eprorët e saj si dhe me ngjarjet dhe objektet si spitali ushtarak i UÇK-së në fshatin Molopollc të Shtimës dhe masakrën e Reçakut në atë mënyrë që i pandehuri të dhënat dhe informacionet në fjalë ia kishte transmetuar zyrtarit të lartë të BIA-së Sergjan Rosiq, përgjegjës për regjionin e Pançevës si dhe kolonel Bogolup Janiveviq ish-komandant i policisë së Serbisë në regjionin e Ferizajt, gjatë kohës së luftës në Kosovë dhe udhëheqës i operacionit ushtarak në masakrën e Reçakut.
#Të #akuzuarit #për #spiunazh #nuk #pranojnë #fajësinë #Muharrem #Qerimi #pranon #vetëm #atë #për #armëmbajtje #leje
gazetablic.com