Pse Berisha nuk imiton dot as Beogradin as Bukureshtin? –

Në vitin 1996, gati 30 vjet më parë, studentët në Beograd tronditën regjimin e Millosheviqit me protesta masive. Sali Berisha, i cili ishte në një krizë të thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas manipulimit të zgjedhjeve të majit 1996 dhe i izoluar totalisht prej tyre, po kërkonte ku të gjente një shteg që të ikte vëmendja e SHBA-ve nga ai. Dhe filloi një fushatë për të detyruar Kosovën të mbështeste protestat e studentëve në Serbi.
Ishte aq këmbëngulës në këtë pikë, sa kur pa se Ibrahim Rugova e injoroi totalisht, thirri në Tiranë Adem Demaçin dhe e bindi të deklaronte mbështetje për protestat në Beograd si një shpëtim për Kosovën. Pra, në mendjen e tij, tani do të zgjidhte problemin e Kosovës duke “demokratizuar” Serbinë.
Kështu mendonte se ishte në një linjë me Perëndimin, që mbështeste protestat dhe eliminonte lidershipin e pabindur të Ibrahim Rugovës ndaj tij, duke e zhvendosur vëmendjen nga mungesa e demokracisë në Shqipëri, tek mungesa e demokracisë në Serbi, pjesë të së cilës tani konsideronte dhe Kosovën politikisht.
Nuk i funksionoi skema, edhe pse këmbënguli pafundësisht deri në fillim të vitit 1997, duke u përfshirë pastaj dhe në organizimin e protestave të studentëve të Kosovës kundër Rugovës.
Në atë kohë protestuesit kishin mbështetje të fortë perëndimore, por brenda Serbisë kishin pak shpresa të përmbysnin regjimin në rrugë demokratike.
Në ndryshim me vitin 1996-1997, kur Berisha donte të imitonte protestat e Beogradit në Prishtinë, për t’i hequr qafe protestat që po zienin në Tiranë, sot ai nuk bëhet dot as me protestuesit dhe as me armiqtë e tyre në Beograd dhe Bukuresht.
Sonte në mbrëmje është një panoramë e përmbysur. Studentët kanë ngritur Serbinë në këmbë kundër Vuçiqit, por mjerisht Perëndimi dhe kryesisht SHBA-të janë me Vuçiqin, edhe pse dukshëm protesta është serioze kundër tij. Madje, djali i presidentit Trump kritikoi bombardimin e Serbisë nga Bill Clinton, duke e quajtur një përpjekje për të mbuluar skandalet në jetën private.
Në të njëjtën ditë, po në Rumani, mbështetësit e kandidatit për president, nën influencën ruse, janë në rrugë mes të tjerash dhe si fansa të TikTok-ut të tij. Aty, ndryshe nga në Serbi, bota është e ndarë. Evropa është kundër tij, kurse lidershipi i ri i SHBA-ve është pro tij.
Në Tiranë, Sali Berisha ka dalë me rreth një mijë mbështetës, kryesisht pleq, tu qajnë hallin të rinjve që do t’u mbyllet TikTok-u, por nuk dinë se ç’të bëjnë me protestën e tyre.
Ndërsa në Serbi populli është kundër qeverisë, por Perëndimi fatkeqësisht është me qeverinë; në Rumani Evropa është kundër protestuesve dhe SHBA pro tyre; në Shqipëri, as populli, as Evropa, as SHBA-të nuk janë me Berishën.
Të presim çfarë do të thotë LaCivita për këtë rast. Atë rekomandimin për aleancën me Gjuzin e kishte shumë të mirë.
#Pse #Berisha #nuk #imiton #dot #Beogradin #Bukureshtin
Java News