Tri dramat e pambaruara të Gërdecit –

Nga Mero Baze
Dokumenti që tregon se si shteti i raportonte biznesmenit Shkelzen Berisha për Gerdecin
Historia e tragjedisë së Gërdecit në Shqipëri prodhoi tri drama të mëdha. E para ishte drama e degradimit rrënjësor të historisë së pushtetit të Partisë Demokratike, e dyta drama e Familjes Berisha, dhe e treta dhe më e rëndësishmja, drama e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Drama e Partisë Demokratike ishte historike, pasi kjo ngjarje ndikoi aq shumë sa e ktheu axhendën e pushtetit, nga një axhendë qeverisjeje normale, në një axhendë që vuri gjtihë pushtetin në mbrojtje të djalit të Sali Berishës. Gjykatat, prokuroria, Presidenti, kryeprokurorja, SHISH, gazetat dhe gazetarët kritikë dhe vetë personalitetet brenda Partisë Demokratike, pas tragjedisë së Gërdecit vlerësoheshin vetëm me një kriter “pro apo kundër Shkëlzenit”.
Pati njerëz që shkëlqyen në karrierën e tyre në PD vetëm se ishin dëshmitarë të kësaj historie dhe pranuan të bëjnë rolin e budallait. Mes më të shkëlqyerve, shkëlqen ende budallallëku infantil i Aldo Bumçit, që shkresat e ministrisë ia niste për dijeni dhe Shkëlzenit.
Pati njerëz që e pësuan sepse refuzuan ta firmosin këtë projekt. Ndihmës të afërt të Berishës, që refuzuan të ndihmojnë Shkëlzenin, bile që firmosën kundër tij, u linçuan dhe u nxorën jashtë Partisë Demokratke. Ilir Rusmali është një provë e kësaj historie.
Pati të tjerë që heshtën, duke bërë sikur nuk kishte ndodhur gjë, dhe e shtynë me të zvarritur karrierën brenda PD duke u parë nga Familja si “Ata”, d.m.th një klan që nuk kishte qenë i gatshëm të sakrifikohej për Shkëlzenin.
Fatkeqësisht ky standard vazhdon të diktojë reformimin e pritshëm të Partisë Demokratike dhe ekipet që Lulzim Basha pret të sjellë në krye të partisë. Ky kriter i heshtur vazhdon të jetë i rëndësishëm. Në atë parti ende klasifikimi bëhet pro apo kundër Shkëlzenit, duke nisur qysh nga Gërdeci, kur Familja i përgjaku duart e ndotura, që ishin duke vjedhur.
Drama e dytë është drama e Familjes Berisha. I zoti i shtëpisë, Sali Berisha, një burrë që ishte rikthyer në pushtet pas gjëmave të mëdha të vitit 1997, kish mundur të fluturonte mbi humnerat e hapura në këtë vend, me kalin e antikorrupsionit, duke u premtuar shqiptarëve se do ishte sërisht një “diktator”, por kundër korrupsionit. Goditja që i dha Gërdeci kauzës së rreme të tij, ishte fatale. Ai u kap brenda një dite në krye të punëve të pista, në një projekt që mori në atë kohë 26 jetë dhe katër të tjera më pas. Zoti e ndëshkoi duke fokusuar çdo detaj hipokrit të jetës së tij. Baxhanaku iu gjend i vdekur në makinën ku numëronte paratë për të birin, tabulatet e të birit tregonin se ai ishte njeriu më i rëndësishëm i biznesit, pasi gjysëm ore pas ngjarjes, fliste gjatë me të ngarkuarin me punë në këtë biznes, dhe se gjithë familja, përfshi gruan, vajzën dhe kunatën, e dinin se ç’po ndodhte, “përveç atij”.
Ishte nga ato ngjarje, ku “familjari shembullor” i Shqipërisë, që nuk ka lënë familje pa marrë nëpër gojë, na rezultonte që gruaja nuk i tregonte të vërtetën, Ai, qokaxhiu i gjithë miqve dhe shokëve, nuk paskësh njohur baxhanakun e tij, Ai, kryeministri i duarve të pastra, linçoi bashkëpunëtorët e vet pse refuzuan projektin e të birit, Ai, që nuk ka lënë gjë pa thënë për të afërm e miq të kundërshtarëve, u detyrua të mbrojë shokun e të birit, me letra zyrtare si përfaqësues i këtij biznesi, Ai, i penduari për aktet kundër lirisë së shtypit, shpalli New York Times letër higjienike pse i përmendi të birin në trafik armësh… Plasaritja e tij brenda 24 orëve i ngjante prishjes së një kufome, që është mabjtur larg oksigjenit për vite të tëra dhe kalbëzohet sapo i hapet kapaku.
Drama e tretë e historisë së Gërdecit është përgjunja dhe dorëzimi historik i drejtësisë shqiptare para pushtetit, edhe pse bilanci i të vrarëve është mbi 26 vetë.
Prokuroria nuk arriti dot të ngrejë akuzë penale për përgjegjësinë e pushtetit dhe korrupsionin në këtë tragjedi. Nën presionin e pashembullt të pushtetit të Sali Berishës, e agresuar si kryeprokurore, si femër dhe si qytetare, ajo e çoi çështjen në gjykatë vetëm si aksident teknologjik. Përgjegjësit politikë të tragjedisë u kufizuan tek një mandat arresti për Fatmir Mediun, i cili nuk u ekzekutua kurrë, edhe pse ai sot nuk ka imunitet. Shkëlzen Berisha, që ka lënë gjurmë gjithandej nëpër këtë masakër, nuk u thirr as formalisht për t’u pyetur. Bashkëpunëtori i tij me letra në këtë biznes, u thirr në pyetje, por nuk u ndëshkua, edhe pse ka ndryshuar dëshmitë nga prokuroria në gjykatë.
Fahri Balliu, i përfshirë në ndërtimin e fabrikës, që duket se ka bërë thjesht punën e sekserit, jo vetëm që nuk u thirr, por u përdor si shantazhues i kryeprokurores, dhe i shërbeu e gjithë kjo hsitori për t’u bërë i pranueshëm si shërbëtor i Familjes.
Gjykimi e degradoi çështjen edhe më shumë se prokuroria, duke iu përmbajtur vetëm problemeve teknike dhe duke i liruar gjithë fajtorët që mundën të arrestohen. Ky dështim fatal i drejtësisë, në të vërtetë i hapi rrugë gjëmave edhe më të mëdha nga drejtësia. Mënyra se drejtësia u mposht nga Sali Berisha në rastin e Gërdecit, ishte një guidë tragjike për drejtësinë, në një tjetër gjëmë të tij, më 21 Janar 2011. Tani gjyqtarët dhe prokurorët e dinin se si duhet të silleshin. Dhe ashtu u sollën. Ulën kokën, mbyllën sytë, mbushën xhepat dhe nuk ndëshkuan askënd nga ata që vranë.
Këtë bilanc final të drejtësisë në këtë vend, e kemi mes të tjerash peshqesh nga drama që iu krijua gjyqësorit pikërisht nga tragjedia e Gërdecit.
17 vjet më vonë, ne mund të themi pa frikë se dëmi më i madh që i ka bërë Familja e Sali Berishës këtij vendi, nuk është se ka bërë miliona apo miliarda, as që mund t’i ketë çuar ato jashtë në investime, sidomos në botën arabe, por ndau historinë e këtij vendi në histori para dhe pas Gërdecit duke shkatërruar çdo sistem vlerash në emër të fshehjes së një krimi. Kjo së paku nuk duhet falur per hire te kryedrames se 26 shpirtrave qe prehen nen toke per shkak te etjes per te bere para nga pushteti.
#Tri #dramat #pambaruara #të #Gërdecit
Java News