Telefonata e munguar edhe në këto zgjedhje

Nga Roland Lami
Pas shpalljes së listave për kandidatë nga koalicionet apo partitë politike ka një reagim deri histerik ndaj emrave të kandidatëve në rrjete sociale duke nënkuptuar një hendek të madh mospërputhje në nivel përfaqësimi. Ose e thënë ndryshe, kategoria e personave të shkolluar mirë, karierist fal aftësive të tyre, me një zë të spikatur në publik, ekspert të respektueshëm në komunitetet e tyre apo familje me histori për kontributet e tyre ndaj vendit në periudha të ndryshme të historisë sa vijnë dhe janë më pak të preferuar nga lidershipet e partive politike.
Krahasuar me fillimin e tranzicionit në Shqipëri kjo kategori kandidatësh po behet një specie në zhdukje në jetën aktive politike duke u zëvëndësuar nga kategori të tjera social – ekonomike dhe kulturore.
Strategjitë pragmatiste e lidershipeve në hartimin e listave i ngjan inxhinierisë sociale. Ajo synon që në përpilimin e listave të pasqyrohet realiteti shoqëror jo të modifikohet apo më keq akoma të rregullohet.
Logjikë e pastër tregu ku peshkohen arketipa mediokër, pragmatistë, anonimë, servilë, partiakë, të paaftyrë, biznesmenë, imazhe femërore, thjesht të rinj, bujq, farefis etj. Me të njëjtën logjikë tregu operon media në ideimet e reality show, kompozitorët në muzikën tallava apo regjizorët në serialet televizive. Askush nuk guxon përtej tregut. Shija, humori, niveli dhe preferenca e shumicës dikton ofertën.
Në këtë kuptim ankthi, pritshmëria apo shpresa se një telefonatë do të bjerë për të ofruar një kontribut në jetën politike për kategorinë e shtresës së mesme është një iluzion.
Jemi në dy realitete të ndryshëm, shumica që i flet vetes dhe komunikon me veten dhe pakica gjithashtu që pretendon të kontribuoj duke mos pasur asnjë mekanizëm përveç se fjalës dhe indiferentizmit të shumicës. Janë dy enë komunikuese që kanë kohë që nuk komunikojnë dhe identifikohen si të ndryshëm pikërisht nga ky mos komunikim. Ditën që do të fillojnë të komunikojnë asnjëri sdo jetë më si më parë.
#Telefonata #munguar #edhe #në #këto #zgjedhje
Java News