Aktualitet

Nëse nuk është në hartë, a ekziston Kosova? –

Nga Lutfi Dervishi

Donald Trump Jr., djali madh i Presidentit Trump bëri dje në Beograd një zbulim: Kosova nuk ekziston.

Në një bisedë të thellë dhe mjaft iluminuese me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Don Jr. publikoi një hartë ku Kosova shihet si pjesë e Serbisë, një zbulim që habiti edhe satelitët amerikanë që ndihmuan NATO-n në 1999-ën.

Trump xhunior me sa duket ka zbuluar një të vërtetë që as Bill Clinton, as Tony Blair dhe as vetë SHBA-ja me 18 aleatë, nuk e kishin kuptuar kur bombarduan Beogradin për të ndaluar fushatën e spastrimi etnik. Pyetje:

nëse Kosova nuk njihet nga Trump xhunior, a ka ndodhur vërtet lufta e vitit 1999?

A u zbuan 1 milionë shqiptarë nga makina ushtarake e Milosheviçit apo kjo ishte sajese/fake news?

A ishte Serbia, Pas 1990, nxitëse e katër luftërave në Ballkan apo i ranë në qafë me të padrejtë, sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe shqiptaret?

Mediat në Rusi dhe Serbi menjëherë e panë këtë deklarim si një kthesë të politikës amerikane. Ndoshta, sipas tyre, ky është hapi i parë për të rishikuar ngjarjet e viteve ‘90, për të zhbërë vendimet e NATO-s dhe ndoshta, për të shpallur se Milosheviçi ishte një keqkuptim historik. Në fund të fundit, nëse historia mund të rishkruhet me një hartë në një podcast, çdo gjë është e mundur.

Vuçiç, mjeshtër i aktrimit si viktimë historike, e shfrytëzoi momentin për të kujtuar se ligji ndërkombëtar vlen vetëm kur i konvenon Serbisë.

Nuk ka më vlerë as vendimi Gjykatës Ndërkombëtare (iniciuar nga Serbia) që njeh Pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë, qeveria e Kosovës po përpiqet të zbulojë nëse ekziston ndonjë manual për të rifituar ekzistencën pas një fshirjeje aksidentale nga një hartë podcast e Trump Jr.

Një pyetje mbetet pezull: A do të vazhdojë historia të ekzistojë nëse Don Jr. nuk e njeh atë?

Përgjigjen mund ta marrim në podcastin e radhës, kur të zbulohet se Berlini ndodhet në Austri, se Lufta e Dytë Botërore ishte thjesht një keqkuptim midis fqinjëve, dhe Hitleri ishte një paqedashës që e futën në luftë luftënxitësit si Çurçill!

#Nëse #nuk #është #në #hartë #ekziston #Kosova
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button