Aktualitet

EUROSTAT: 37.7% e ndërmarrjeve shqiptare zhvilluan takime online në 2022, më pak se mesatarja e BE-së

Në krahasim me mesataren europiane, bizneset shqiptare që preferuan që mbledhjet t’i zhvillonin pa kontakt fizik janë më të ulëta, teksa mesatarja e BE-së ishte 50% në 2022.

37.7% e ndërmarrjeve shqiptare zhvilluan takime online në vitin 2022, sipas statistikave të publikuara nga Eurostat.

Në krahasim me mesataren europiane, bizneset shqiptare që preferuan që mbledhjet t’i zhvillonin pa kontakt fizik janë më të ulëta, teksa mesatarja e BE-së ishte 50% në 20022.

Në rajon, kryeson Serbia, që ka një zhvillim më të lartë të teknologjisë së informacionit, me 41% të ndërmarrjeve, e ndjekur nga Mali i Zi 40.7% dhe Maqedonia e Veriut, pas fare më e lartë se Shqipëria, me 37.9%.

50% e ndërmarrjeve të BE-së kryen mbledhje në distancë në 2022

Sipas Eurostat, pandemia e COVID-19 ndryshoi modelet e punës dhe bëri që shumë ndërmarrje, t’u drejtohen mbledhjeve virtuale për të kapërcyer distancën fizike dhe për të ruajtur bizneset e tyre.

Në vitin 2022, në BE, 50% e ndërmarrjeve me 10 ose më shumë punonjës ose persona të vetëpunësuar, kryenin mbledhje dhe takime  në distancë nëpërmjet internetit.

Midis anëtarëve të BE-së, ka pasur një ndryshim të madh në përqindjen e ndërmarrjeve, që e kanë përdorur këtë veçori. Përqindjet më të mëdha u regjistruan në Suedi (79.4%) dhe Finlandë (78.5%), ndjekur nga Danimarka (78.0%), Malta (68.3%) dhe Irlanda (63.6%).

Në anën e kundërt të shkallës, përqindjet më të ulëta u regjistruan në Bullgari (28.2%), Hungari (29.4%), Rumani (31.2%), Greqi (32.9%) dhe Sllovaki (35.2%).

Kryesisht, ndërmarrjet e mëdha ofronin akses në punën në distancë

Të dhënat statistikore për aksesin në distancë, synojnë të masin gatishmërinë teknologjike të ndërmarrjeve, për të bërë të mundur që punonjësit e tyre të punojnë në distancë, duke u dhënë atyre akses në distancë në tre lloje të burimeve të ndërmarrjes: në sistemin e postës elektronike, në dokumente dhe në aplikacione biznesi ose softuer të ndërmarrje.

Në vitin 2022, në BE, pothuajse 6 nga 10 ndërmarrje (57.0%) me 10 ose më shumë të punësuar ose persona të vetëpunësuar ofruan të tre llojet e aksesit në distancë për punonjësit e tyre.

Sa i përket madhësisë së ndërmarrjeve, 91.0% e ndërmarrjeve të mëdha (250 ose më shumë të punësuar ose persona të vetëpunësuar) ofruan të tre llojet e qasjes në distancë për punonjësit e tyre, ndërsa e njëjta gjë ndodhi në 77.2% të ndërmarrjeve të mesme (nga 50 në 249 të punësuar ose të vetëpunësuar) dhe 52,4% të ndërmarrjeve të vogla (nga 10 në 49 të punësuar ose të vetëpunësuar).

Ndërmarrjet e mëdha udhëheqin në të gjitha llojet e aksesit në distancë. Pothuajse të gjitha ndërmarrjet e mëdha ofruan hyrje dhe përdorim në distancë në sistemin e postës elektronike të ndërmarrjes (97.2%), në dokumentet e ndërmarrjes (p.sh. skedarë, tabela, prezantime, grafikët, foto) (94.0%) dhe në aplikacionet e biznesit ose softuerin e ndërmarrjes ( p.sh. akses në kontabilitet, shitje, porosi, sisteme të menaxhimit të marrëdhënieve me klientët (CRM) (92.4%).

Sa i përket ndërmarrjeve të mesme, 90.9% u kanë dhënë punonjësve të tyre hyrje në distancë në sistemin e emailit, 83.0% në dokumentet e ndërmarrjes dhe 80.4% në aplikacionet e biznesit ose softuerin e ndërmarrjes.

Krahasisht, ndërmarrjet e vogla ofronin akses në distancë në një masë më të vogël, pasi 74.8% e tyre u jepnin punonjësve akses në distancë në email, 60.9% në dokumente dhe 57.5% në aplikacione biznesi ose softuer të kompanisë. / MONITOR

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button