Turqia zgjodhi sërish “Sulltanin”/ Si i përmbysi Erdogan sondazhet

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan doli duke kënduar para qindra mbështetësve të tij në Stamboll. Ai shpalli fitoren e balotazhit të zgjedhje presidenciale duke u shprehur se populli turk i kishte dhënë atij përgjegjësinë për të qeverisur në 5 vitet e ardhshme.
Duke folur para mbështetësve të tij, Erdogan, që e ka udhëhequr Turqinë për 2 dekada falënderoi qytetarët që e votuan. “Dashtë Zoti, do të jem i denjë për besimin tuaj ashtu siç kam qenë në 21 vitet e fundit. Jemi bashkë deri në varr. E kisha thënë edhe para zgjedhjeve se kjo dashuri nuk mbaron këtu”, – u shpreh Erdogan.
Presidenti turk më tej ironizoi kundërshtarin e tij Kemal Kilicdaroglu, duke thënë para turmës: “Bye, bye, bye Kemal”. Pak para shfaqjes së Erdogan, Kryetari i Këshillit Suprem Zgjedhor të Turqisë, Ahmet Yeren, tha se presidenti në detyrë udhëhiqte rezultatet me 52% të votave ndërsa rivali i tij Kilicdaroglu kishte vetëm 48% të votave.
Në një deklaratë para mediave, Kemal Kilicdaroglu u ankua për një garë të pabarabartë.
“Nuk munda dot të mbroj të drejtat tuaja. Nuk fitova ndaj një strukture të padrejtë” – tha ai duke shtuar se do të “vazhdojë të luftojë” për të mbrojtur të drejtat e Turqisë. Ai falënderoi elektoratin e tij, duke i cilësuar si “heronjtë e vërtetë”.
Çfarë ndodhi
Mbi 60 milionë persona kishin të drejtë vote në zgjedhjet e së dielës. Qendrat e votimit për rundin e balotazhit u hapën në orën 08:00, sipas kohës lokale, dhe u mbyllën në orën 17:00. Pjesëmarrja në zgjedhje ishte 84%, ose 4% më pak se në raundin e parë. Ishin mbi 400 mijë vullnetarë nga partitë opozitare që monitoruan procesin e votimit dhe të numërimit të votave.
Në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajtën më 14 maj, Erdogan doli i pari, duke fituar 49.5% të votave, ndërsa Kilicaroglu arriti të merrte 44.9% të votave. Kjo ishte hera e parë në 20 vitet që Erdogan është në pushtet që ai nuk fitoi zgjedhjet që në rundin e parë.
Pse sërish Erdogan
Analiztët thonë se zgjedhjet e 14 majit patën shënuan surpriza të shumta dhe një ndër to ishte performanca më e ulët se sa pritej e opozitës që deri atëherë favorizohej ndjeshëm në sondazhe. Koalicioni “Tabela e Gjashtë” përbëhej nga 6 parti që kërkonin t’i jepnin fund sundimit të gjatë të Rexhep Tajip Erdogan. Gama e gjerë e koalicionit kishte bërë bashkë forca me pikëpamje shumë të ndryshme politike nën emrin “Aleanca e Kombit”. Pjesë e saj ishte edhe lëvizja politike kurde, por gjithë ky angazhim nuk u pasqyrua në kutinë e votimit.
“Krizat e mëdha si pandemia, kriza ekonomike e Turqisë dhe tërmeti i shkurtit nuk mjaftuan për të mposhtur Erdoganin. Dhe megjithëse Partia AK e Erdoganit humbi vota, ajo mbajti epërsinë në parlament” – thotë për BBC, Prof. Emre Erdogan nga Universiteti Bilgi.
Sipas tij, mbështetësit e Kemal Kilicdaroglu dukeshin të papërgatitur për raundin e dytë të zgjedhjeve. Kjo u pa kur u shpallën rezultatet e raundit të parë, por edhe në ndryshimin e ekipit të fushatës pas kësaj. Shenja të paqartësisë ishin edhe improvizimi i negociatave politike dhe ndryshimet rrënjësore në diskurs në prag të raundit të dytë.
Partia AK e Erdogan doli në krye të rezultateve që në raundin e parë të zgjedhjeve në 10 nga 11 provincat e goditura nga tërmetet shkatërruese në shkurt. Partia në pushtet sfidoi pritshmëritë se situata e krijuar do të dëmtonte mbështetjen ndaj Erdogan, por ky i fundit u zotua të rindërtojë qytetet e shkatërruara. Rezultati u nxit gjithashtu nga dyshimet te aftësia e opozitës për të përmbushur pritshmëritë e votuesve.
SHBA dhe BE nuk nxitohen të urojnë
Kryeministri Edi Rama ka nxituar që të urojë menjëherë për fitoren e Erdogan. Në një mesazh të shkurtër të rrjetet sociale, Rama shkroi në shqip dhe në turqisht: “Urime për fitoren Zoti President” të shoqëruar edhe me flamujt e dy vendeve. Fitorja e Erdoganit u urua më herët edhe nga kryeministri hungarez Victor Orbán apo presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Ajo që bie në sy është se ende SHBA dhe BE nuk kanë reaguar. Anadolu Agency raportoi se Erdogan e kanë uruar edhe liderët e Katarit, Somalisë dhe Pakistanit.