Hapen aplikimet për lëvizjet paralele të mësuesve në shkolla!

Përpara se të nisin procedurat për rekrutimin e mësuesve të rinj nga portali “Mësues për Shqipërinë” janë një tjetër kategori arsimtarësh që kanë prioritet.
Të parët që “rehabilitohen” në shkollat që dëshirojnë para se të shpallen vendet vakante janë mësuesit në sistem, ata që janë në marrëdhënie pune. Por, duhet të shprehin dëshirën e tyre për t’u zhvendosur në një tjetër shkollë, që zakonisht është më afër vendbanimit të tyre. Kjo procedurë do të nisë këtë vit më herët se vitet e kaluara dhe zhvillohet paralelisht me procedurat e portalit ndërmjetësues të punësimeve “Mësues për Shqipërinë”. Nuk do të jenë muajt korrikgusht kur mësuesit janë me pushime, por i gjithë qershori në dispozicion për aplikime.
AFATI
“Në zbatim të përcaktimeve të Udhëzimit nr.12, datë 10.06.2021 ‘Për procedurat e pranimit të emërimit të mësuesit në një vend të lirë pune në institucionet arsimore publike të arsimit parauniversitar dhe për administrimin e portalit ‘Mësues për Shqipërinë’, i ndryshuar, të shkresës nr.1304, datë 08.05.2023 të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversuitar, mbi procedurat e lëvizjeve paralele me dëshirë dhe të detyruar për vitin 2023, njoftojmë se afati i dorëzimit të dosjeve nga mësuesit që dëshirojnë të kryejnë lëvizje paralele me dëshirë është nga data 01.06.2023 – 30.06.2023. jashtë këtij afati nuk pranohen aplikime”, saktëson Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit parauniversitar në njoftimin drejtuar mësuesve që dëshirojnë të zhvendosen nga një shkollë në tjetrën.
Gjatë kësaj kohe, të interesuarit duhet të bëjnë gati paketën e dokumenteve të listuara në tabelën përbri sipas përcaktimeve të detajuara. Mosrespektimi i tyre çon në s’kualifikimin e kandidatëve e rrjedhimisht edhe refuzimin për kryerjen e lëvizjeve paralele. “Mësuesi, dosja e të cilit nuk përmban dokumentet e detyrueshme për t’u paraqitur sipas shtojcës 2.1 të udhëzimit nr.12, datë 10.06.2021, apo kur paraqitja e dokumenteve nuk është bërë e noterizuar, s’kualifikohet”, sjell në vëmendje DPAP.
RASTE TE VEÇANTA
Përpos rastit të sipërcituar, përmenden edhe dy arsye të tjera për skualifikimin e mësuesve nga gara për të zënë një vend pune në shkollën e dëshiruar. I pari lidhet me vlerësimet nga shërbimi psiko-social apo ai i drejtorit. Nëse nuk janë të noterizuara aplikimi refuzohet. Po ashtu, edhe dëshmitë nëse nuk dorëzohen sic duhet, nuk fitohen pikë.
“Në rast se dokumentacioni i detyrueshëm për t’u dorëzuar/kualifikuar (diplomë, listë notash, licencë (për mësuesit që e kanë detyrim ligjor), librezë pune e plotësuar, vlerësimi i këshillit të prindërve sipas formatit, vlerësim i shërbimit psikosocial sipas formatit, vlerësim i drejtorit sipas formatit, nuk dorëzohet i noterizuar, aplikimi i mësuesit skualifikohet nga komisioni. Në rast se dokumentacioni tjetër (dëshmi kualifikimi, dëshmi e njohjes së gjuhëve të huaja, certifikatë me kreditë) nuk dorëzohet fare apo dorëzohet i panoterizuar, mësuesi kualifikohet, por ky dokumentacion nuk pikëzohet nga komisioni”, nënvizohet në njoftimin e afishuar në zyrat arsimore.