CDU/CSU dhe SPD finalizojnë marrëveshjen për koalicion, ja çfarë përmban plani gjigant i shpenzimeve –

Kancelari i ardhshëm konservator i Gjermanisë, Friedrich Merz ka arritur një marrëveshje me të Gjelbrit për një plan masiv shpenzimesh për të çliruar qindra miliarda euro për mbrojtjen dhe infrastrukturën.
“Gjermania është rikthyer. Ajo po jep kontributin e saj të madh për mbrojtjen e lirisë dhe paqes në Evropë”, tha Merz për gazetarët në Berlin të premten.
Marrëveshja me të Gjelbrit hap rrugën për një votim që do të përjashtojë në mënyrë efektive shpenzimet e mbrojtjes nga kufizimet e rrepta të frenës së borxhit në kushtetutën e vendit dhe do të krijojë një fond special prej 500 miliardë eurosh për të financuar projekte infrastrukturore jashtë shpenzimeve normale buxhetore.
Gjithashtu ajo mund të sjellë përfitime të mëdha për Ukrainën. Sipas planit, shpenzimet për mbrojtjen që tejkalojnë 1 përqind të prodhimit të brendshëm bruto do të përjashtohen nga kufizimet e frenës së borxhit, e cila kufizon në mënyrë drastike deficitin buxhetor strukturor.
Por sipas draftit më të fundit, ky përjashtim tani përfshin gjithashtu ndihmën për vendet që janë sulmuar në mënyrë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar, një nga kërkesat kryesore të të Gjelbërve.
Qëllimi i Merz është që ndryshimet kushtetuese të miratohen deri më 25 mars, kur pritet të mblidhet parlamenti i ri i zgjedhur. Kjo sepse partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe partia e Majta, e cila kundërshton shpenzimet ushtarake, do të kishin fuqinë për të bllokuar reformat kushtetuese, dhe rrjedhimisht paketën masive të shpenzimeve, në parlamentin e ardhshëm.
Nëse ndryshimet kushtetuese miratohen përfundimisht, kjo do të shënojë një kthesë historike nga dekadat e kufizimeve fiskale për të mundësuar shpenzime masive për të forcuar mbrojtjen dhe për të ringjallur ekonominë gjermane. Frena e borxhit të Gjermanisë hyri në fuqi në vitin 2009, gjatë mandatit të ish-kancelares Angela Merkel dhe në kulmin e krizës së borxhit në Evropë.
Të Gjelbrit ranë dakord në terma të gjerë me planin e Merz pasi siguruan angazhime për të përdorur shpenzimet infrastrukturore për politika klimatike. Konkretisht, 100 miliardë euro nga fondi i infrastrukturës do të shkojnë për përmbushjen e objektivave klimatike dhe kalimin në energji të rinovueshme, sipas marrëveshjes.
Kjo është një lëshim i konsiderueshëm për Merz, i cili, para zgjedhjeve kishte kritikuar të Gjelbrit për favorizimin e politikave klimatike mbi rritjen ekonomike.
Megjithatë të Gjelbrit përdorën ndikimin e tyre për ta detyruar Merz të marrë parasysh klimën.
#CDUCSU #dhe #SPD #finalizojnë #marrëveshjen #për #koalicion #çfarë #përmban #plani #gjigant #shpenzimeve
Java News