Sport

Materazzi dhe Sneijder e panë Inter-Milan mes ultrasve, ja si shpërthyen te goli i Lautaro (video)

Dy nga heronjtë e tripletës historike të Interit në vitin 2010, me Jose Mourinho në stol, e kanë parë euro-derbin e mbrëmshëm nga një kënd krejt i veçantë. Më saktësisht, gjysmëfinalen e kthimit të Ligës së Kampionëve në “San Siro” e kanë përjetuar si ultras të vërtetë, mes tyre, jo në trbunën VIP të stadiumit të Milanos.

Dhe krejt natyrshëm, ata kanë festuar si ultras të vërtetë në rastin e golit të vetëm të ndeshjes së mbrëmshme, shënuar nga Lautaro Martinez çerek ore para fundit të kohës së rregullt. Nga fusha si heronj të tripletës historike në shkallët e stadiumit si tifozë të thekur…; e marta ishte një mbrëmje e veçantë për Marco Materazzi dhe Wesley Sneijder.

Ata e ndoqën derbin kundër Milanit direkt nga “Curva Nord”, në mes të ultrasve zikaltër, ishin dëshmitarë të kualifikimit të Interit në finalen e Ligës së Kampionëve, 13 vite pas herës së fundit. Me këtë lloj festimi të çmendur, të hapur nga kamerat, nuk ka dyshim se të dy mbeten tifozë të zjarrtë të Interit, edhe pas shumë vitesh që e kanë lënë futbollin.

“Ta shihje derbin nga ‘Curva’ dukej edhe më bukur, – ka shkruar Materazzi në Instagram, pas ndeshjes. – Shkojmë në Stamboll”. “Nuk kisha dyshime se do të shkonim në finalen e Ligës së Kampionëve, – tha Materazzi për “Inter TV”.

– Interi ishte më i mirë dhe e meritoi. Tani vjen pjesa argëtuese. Në finale do të duhet të luajmë ndeshjen perfekte dhe të përfitojmë nga mundësitë e pakta. Kemi arritur finalen, që deri vonë ishte vetëm një ëndërr”

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button