Zgjedhjet, ja ku pritet të votojnë Rama, Berisha, Meta dhe krerët e shtetit

Krerët më të lartë të shtetit dhe disa nga politikanët më të rëndësishëm të vendit, të cilët votojnë në Tiranë, priti që paraditen e kësaj të diele t’u drejtohen kutive të votimit. Mes orës 09.00-10.00, siç kanë njoftuar zyrat për shtyp, ata do të shkojnë në qendrat e votimit.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj dhe Zonja e Parë, do u drejtohen kutive të votimit në Tiranë në orën 09.00 dhe pritet të japin mesazhet e tyre për qytetarët, që ata të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm për demokracinë.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla pritet të shkojë në orën 11:00 në qendrën e votimit në shkollën “Kushtrimi Lirisë”, Njësia Administrative nr. 1 në kryeqytet.
Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama do të votojnë në zonën e tyre të banimit në Surrel. Ata pritet të paraqiten në qendrën e votimit mes orës 09.00-09.30. Ndërsa, ish-kryeministri Sali Berisha dhe zonja e tij, Liri Berisha do të votojnë pranë shkollës “Kosova”.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi do të votojnë në ambientet e Kopshti nr.31, në rrugën “Pjetër Bogdani”. Kryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, do të votojë në orën 09.45 në Shkollën e Mesme Ekonomike, në Tiranë.
Ku votojnë kandidatët për Tiranë?
Kandidatët për Bashkinë e Tiranës pritet të votojnë pothuajse në të njëjtat orare si krerët e shtetit. Kryebashkiaku aktual Erion Veliaj do të votojë në orën 09.00, te Parku Olimpik, Zyrat e Agjencisë Parqeve dhe Rekreacionit.
Belind Këlliçi i koalicionit “Bashkë Fitojmë” do të votojë në Shkollën “Dora d’Istria” në orën 8.30. Kandidati i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori voton në orën 10:30 tek Liceu, ndërsa Roland Bejko pritet ta hedh votën në orën 11.00 në qendrën e votimit në shkollën “Gustav Mayer”.