Rama ndan pamjet: Muzeu Historik i Shkodrës “Oso Kuka”, destinacion për të mos u humbur

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga Muzeu Historik i Shkodrës ”Oso Kuka”.
Rama theksoi se, ky muze është një destinacion për të mos u humbur, me një numër gjithnjë në rritje të interesit të turistëve.
Muzeu Historik i Shkodrës është një muze lokal dhe bën pjesë në rrjetin e institucioneve kulturore në vartësi të Bashkisë së qytetit. Ai përbëhet nga Muzeu qëndror (i vendosur në shtëpinë e Oso Kukës) dhe ai i Kalasë “Rozafa”.
Funksioni i tij është promovimi i historisë dhe i traditave kulturore lokale e kombëtare tek qytetarët e komunitetit brenda e jashtë vendit. Megjithatë gjatë gjithë jetës së tij ka kryer edhe veprimtari kërkimore në nivel lokal, duke aktivizuar bashkëpunëtorë të shumtë, specialistë e dashamirës të kulturës. Brenda qytetit ai bashkëpunon me sukses me Universitetin L. Gurakuqi, bibliotekën “Marin Barleti”, Galerinë e Arteve dhe Teatrin “Migjeni”, dhe me institucione të tjera simotra në Shqipëri e në rajon.
Muzeu organizon periodikisht aktivitete komemorative, konferenca e seminare me tematika të ndryshme. Aktualisht boton revistën “Kumtari” dhe ka ndërmarrë botimin e 10 vëllimeve me materialet e seminarit “Shkodra në shekuj”, ku përfshihen studime në fushat e historisë, arkeologjisë, etnologjisë, folklorit, gjuhësisë, letërsisë e arteve.
Muzeu përbëhet nga seksionet e mëposhtme: në atë të etnografisë, arkeologjisë, të artit pamor dhe bibliotekën, kjo e fundit shërben si fond i studimeve shkencore qe kryen stafi punonjës në veprimtarinë e tij.
/a.r
#Rama #ndan #pamjet #Muzeu #Historik #Shkodrës #Oso #Kuka #destinacion #për #të #mos #humbur
Java News