Life Style

“Utopia e Betonit”/Mbijetesa që vë në pikëpyetje qytetërimin dhe gjithçka

Nga Bjorn Runa

Gjithmonë e më tepër duket sikur filmat i ofrojnë shikuesve gjykime morale të gatshme. Edhe pse filma si “Taxi Driver,” “Il Conformista,” apo së fundi, “Tár” lënë vend për dyzim moral, kjo mëdyshje haset rrallë në shumicën e historive vizuale, që duket sikur përpiqen të qëndrojnë sa më mirë brenda kornizave të zhanreve. Edhe në filmat me përmbajtje më brutale, ka gjithmonë një dallim të qartë midis dhunës e brutalitetit nga një anë dhe akteve fisnike në anën tjetër. Thënë ndryshe, shikuesit i paraqitet qartë se ç’është e mirë dhe ç’është e keqe, pa e detyruar të analizojë në mënyrë kritike ndonjë dilemë morale. Megjithatë, diçka e tillë nuk ndodh me “Concrete Utopia,” (Utopia e Betonit) filmin koreanojugor, pretendent për Çmimin Oskar si “Filmi më i Mirë Ndërkombëtar.”

Ndryshe nga filma të tjerë të këtij zhanri, “Concrete Utopia” i vendos personazhet e tij në qendër të një situate të dëshpëruar, për jetë a vdekje, duke refuzuar t’iu imponojë shikuesve një përgjigje morale në lidhje me zgjedhjet e tyre [personazheve].

Filmi nis me një montazh pamjesh dokumentare, të cilat shfaqin komplekset e apartamenteve në Seul, ndërsa një folës lajmesh komenton se si këto komplekse e kanë transformuar shoqërinë koreanojugore. Nëse dikur shërbenin si shtëpi të përkohëshme gjer në blerjen e një shtëpie më të madhe, sot ato janë kthyer në synim në vetvete, të lakmuara nga njerëz që konkurrojnë (deri në ç’pikë?) për të blerë e zotëruar një të tillë. Titulli “Utopia e Betonit” i referohet ironikisht apartamenteve si shtëpi, vende të qetësisë dhe sigurisë ekonomike të pronarëve të tyre, por edhe asaj çfarë ndodh më pas, kur një tërmet i fuqishëm rrafshon gjithçka, duke lënë në këmbë vetëm kompleksin e apartamenteve “Hwang Gung”.

Pak minuta nga nisja e filmit, Seuli (Koreja e Jugut dhe ndoshta e gjithë bota) kthehet në një pirg rrënojash: një qytet i kthyer përmbys me rropullitë e telave elektrikë dhe kanalizimeve nëntokësore të dala në sipërfaqe. Në mënyrë alegorike duket sikur gjithë ligësia e fshehur në barkun e një qyteti, del befas mbi dhè. Megjithatë, në mes të shkatërrimit apokaliptik, shfaqet diçka e papritur. Mrekullisht (mallkueshmërisht), një kompleks i vetëm apartamentesh 30-katësh qëndron në këmbë. Është një vend strehimi e qetësie që, në mes të shkatërrimit apokaliptik, duket se meriton të quhet vërtet i tillë, ndonëse gëzimi i banorëve të tij të mbijetuar nuk do të vazhdojë gjatë.

Në nisje të filmit, pak pasi tërmeti ka rrënuar qytetin, banorët e kompleksit “Hwang Gung” janë të prirur t’iu ndihmojnë bashkëqytetarëve të mbijetuar, të cilëve iu janë shkatërruar shtëpitë. Por, ushqimet, uji, ilaçet dhe vetë hapësira janë të pamjaftueshme përballë valës së “refugjatëve” që kërkojnë ndihmë. Ndaj, banorët e kompleksit Hwang Gung organizojnë një mbledhje, e cila me synim mbijetesën, vendos se të ardhurit duhet të largohen. Vetëm pronarët e apartamenteve mund të qëndrojnë. Rregullat strikte (strehim vetëm për banorët; racione sipas kontributit; të pabindurit duhet të largohen), shfaqin një dilemë morale interesante kur përballë gjendet dëshpërimi e pasiguria. Në përpjekje për t’i dehumanizuar, të huajt etiketohen si “furrtare,” që duhen larguar sa më parë, përndryshe rrezikojnë mbijetesën e banorëve të “Hwang Gung.” Shtëpitë e dikurshme befas kthehen në një fortesë që duhet mbrojtur me çdo kusht, ndërsa banorët e saj marrin, shpesh me dhunë, burimet ushqimore të mbetura në qytet.

Banorët e kompleksit “Hwang Gung” nxitojnë të zgjedhin një drejtues, Kim Young-tak, i cili sapo ka ndihmuar në shuarjen e një zjarri, duke shpëtuar nga shkatërrimi të vetmin kompleksin e tyre të apartamenteve. Udhëheqësi i sapozgjedhur i grupit adopton menjëherë sjelljen e tipit “Ne të parët!”. Deri në këtë pikë, filmi duket sikur e zgjidh disi dyzimin moral. Kur është fjala për mbijetesë në kushte apokaliptike, gjithçka mund të justifikohet. Siç thuhet edhe në film, “Nuk ka dallim mes një vrasësi dhe një pastori.” Duket sikur bashkë me ndërtesat dhe qytetin, është shkatërruar dhembsuria, teksa shohim se edhe personazhe të prirur për të ndihmuar të tjerët, gradualisht tërhiqen nga sjellja e tyre e mëparshme.

Ndërkohë, udhëheqësi i ri duket se ka një të kaluar të dyshimtë dhe asnjë prej banorëve nuk e kujton mirë nëse ai ka jetuar vërtetë në pallatin e tyre dhe pikërisht këtu ngjarjet përmbysen edhe më brutalisht. Young-tak do të duhej të qe pronar i një prej apartamenteve të kompleksit, por mashtrohet pak kohë përpara se të ndodhë tërmeti, çka e shtyn drejt disa zgjidhjeve të dhunshme për të marrë në dorëzim apartamentin. Banorët e tjerë (dhe shikuesit) gjenden sërish përballë një dileme morale. Nëse Young-tak është mashtruar, a i takon atij apartamenti, edhe pasi e ka marrë me dhunë, apo duhet përzënë (sipas rregullit të vendosur prej tij), si një i huaj? A nuk mjaftojnë pëprjekjet e tij për të garantuar sigurinë dhe mbijetesën e grupit, që ai të quhet pjesë e tyre?

“Concrete Utopia” është në thelb një film, i cili flet për nevojën jetike të të paturit të një shtëpie, si edhe kuptimin e kësaj të fundit. Është shtëpia një “oaz paqeje e qetësie”, apo një “fortesë,” që duhet mbrojtur me çdo kusht, duke na shtyrë drejt brutalitetit dhe mungesës së dhembsurisë ndaj të tjerëve? Filmi ë shtë një alegori e modernitetit në Seul, por edhe në qytete të tjera të botës, ku shtëpia po kthehet në një komoditet gjithmonë e më të paarritshëm për shumë vetë. Skena përmbyllëse e filmit, që mund të cilësohet edhe si vizualisht më interesantja, tregon një tjetër apartament në një tjetër ndërtesë, ku kamera e kthyer në 90 gradë, (me plot kuptimin e fjalës, kthyer përmbys) tregon se si dy personazhet kryesore të filmit gjejnë më në fund të vetmen strehë normale pas jetës brutale në një shoqëri të fokusuar tek mbijetesa dhe nocioni “Ne të parët!”. Jo vetëm gjejnë strehë, por edhe një grup tjetër të mbijetuarish, që ofrojnë të ndajnë me ta ushqimin, si për të treguar se normaliteti dhe empatia, ndoshta mund të gjenden, ndonëse me vështirësi, edhe në një botë të kthyer përmbys.

Regjisor: Tae-hwa Eom

Skenaristë: Tae-hwa Eom, Lee Shin-ji

Aktorë: Park Seo-joon, Lee Byung-hun, Park Bo-young, Kim Sun-young, Park Ji-hu

Kohëzgjatja: 2 orë e 10 minuta

Marre nga Tema

#Utopia #BetonitMbijetesa #që #vë #në #pikëpyetje #qytetërimin #dhe #gjithçka
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button